Fundamenti

Turqia kundër ndarjes së Kosovës

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Zëvendëskryeministri i Turqisë, Bekir Bozdag, pas takimit me homologun e tij kosovar, Hajredin Kuçi, ka thënë se Turqia mbështet integritetin territorial të Kosovës dhe se është kundër ndarjes së saj.

Me këtë rast zëvendëskryeministri Kuçi e ka falënderuar homologun e tij turk, Bozdag për ndihmën që e ka dhënë Turqia deri më tani në shumë fusha për shtetin e Kosovës, posaçërisht për mbështetjen e pakusht të pavarësisë së Kosovës qysh nga zanafilla e saj dhe për lobimin e vazhdueshëm që ajo bën për të sjellë njohje edhe nga shtete të reja, për çka ka kërkuar mbështetjen e Turqisë edhe në të ardhmen.

“Gjatë takimit, Bozdag ritheksoi qëndrimin e shtetit turk se pavarësia, integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës janë çështje të padiskutueshme, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Ministria e Drejtësisë.

Pas takimit Zëvendëskryeministri Kuçi ka deklaruar se Turqia është një prej shteteve të para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe që vazhdon fuqishëm ta mbështesë Kosovën edhe në kuptimin e sovranitetit e tërësisë territoriale por edhe të prezantimit në arenën ndërkombëtare.

“E njoftova zëvendëskryeministrin për zhvillimet politike në Kosovë dhe në rajon, për procesin e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, për qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që duhet të implementohen marrëveshjet e arritura në dialogun teknik, që të gjitha, të shtatë marrëveshjet e me theks të veçantë ajo për menaxhimin e integruar të kufijve, po ashtu për gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për bashkëpunim, paqe dhe fqinjësi të mirë në rajon, ku edhe Republika e Turqisë mund të luajë një rol pozitiv krahas SHBA-ve dhe BE-së”, ka thënë Kuçi.

Eco Higjiena

Po ashtu në këtë takim është theksuar edhe niveli i bashkëpunimit ekonomik, dhe po ashtu bashkëpunimi kulturor në mes të dy popujve tanë.

Zëvendëskryeministri Kuçi e ka falënderuar homologun e tij edhe për ndihmën që ka dhënë TIKA e Turqisë për zhvillimin ekonomik të vendit tonë por edhe për bursat e ndryshme për studentët, dhe ka kërkuar që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Zëvendëskryeministri Kuçi ka kërkuar nga zëvendëskryeministri turk Bozdag që të vazhdojë edhe më tutje Republika e Turqisë lobimin e saj për njohjen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës e sidomos në shtetet e botës islame në të cilat ka ndikim.

“Si Ministër i Drejtësisë kërkova që të bëjmë bashkëpunime edhe në ngritjen e kapaciteteve për Akademinë e Drejtësisë dhe në trajnimin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve tanë, e në veçanti të sigurohen bursa për studentët tanë në Turqi”, ka thënë Kuçi.