Turistët zviceranë sfidojnë paragjykimet për Kosovën

Gjatë prillit, Kosovën e vizituan dy grupe turistësh, kryesisht pedagogë socialë nga Kantoni i Argaut. Ata u ndanë me mbresa shumë të mira për natyrën e Kosovës dhe për mikpritjen kosovare.
Po ta pyesësh ndonjë kosovar nëse ka vende turistike në Kosovë, mbase edhe mund të marrësh përgjigje negative; jo se kjo është e vërteta, por shumë të rinj kosovarë janë lodhur nga varfëria, nga papunësia dhe paperspektiva e tyre jetësore. Kështu atyre gjithçka u duket keq, fatkeqësisht. Shumica e shohin vetëm anën e pashpresë të medaljes.
Por a mendojnë kështu vizitorët e huaj që e vizitojnë Kosovën? Assesi! Ata, sigurisht që shohin mjaft mangësi në Kosovë, por shohin edhe shumë premisa, saqë Kosova del të jetë një vend i preferuar për turizëm, bile edhe për jetesë dhe investime siç bëri ditë më parë zvicerani që investoi një milion e gjysmë euro në Kosovë.
Në pjesën e dytë të muajit prill 2013 Kosovën e vizituan dy grupe turistësh, kryesisht pedagogë socialë nga Zvicra gjermane, përkatësisht nga Kantoni i Argaut.
Ndonëse vizitorët kishin paragjykime negative për Kosovën, ata shumë shpejt u njohën me realitetin kosovar dhe, në fund, gjykimi për shtetin e ri të Kosovës ishte kryesisht pozitiv.
„Meqë deri tani Kosova për mua ishte krejtësisht e panjohur, pas vetëm një javë qëndrimi në Kosovë, unë po kthehem në shtëpi me përshtypje të shumta, të cilat tani më duhet t´i përpunoj“, ishte shprehur Carolina gjatë udhëtimit për në aeroport ditën e kthimit, për të vazhduar: „Shteti i Kosovës është i ri dhe ka pasur një të kaluar të trishtueshme. Nuk do të ishte „fer“ që të bëhet një krahasim me Zvicrën. Sidoqoftë, është bërë një punë e jashtëzakonshme për rindërtimin e vendit. Nuk do të kisha besuar se do të fitoj kaq shumë përshtypje pozitive. Për shkak të paragjykimeve ky vend duhet parë me sy dhe dëgjuar me veshë“, përfundon Carolina.
Vizita e këtyre grupeve kishte karakter studimor dhe në vete ngërthente një program të ngjeshur shtatëditor. Pedagogët zviceranë vizituan Kosovën trup e tërthorë për t´u njohur me vendin dhe njerëzit gjithandej Kosovës. Në program ishte vizita në shkollën fillore „Faik Konica“, në Prishtinë, në Fakultetin e Edukimit, në Ambasadën zvicerane, në Ministrinë e Diasporës, te memoriali „Adem Jashari“ në Prekaz etj., duke mos lënë anasha as qytete e fshatra, institucione kulturore e fetare dhe, natyrisht, edhe bukuritë natyrore të Rugovës e të Sharrit.
E pyetur se çfarë e ka shtyrë për ta vizituar Kosovën, mësuesja B. Kienzler përgjigjet: “Kam ardhur këtu për ta njohur dhe kuptuar më mirë mentalitetin e nxënësve të mi shqiptarë dhe prindërve të tyre dhe, për ta ndier për së afërmi, përse këta nxënës janë aq krenarë me vendin e tyre”.
Natyrisht, në Kosovë ka çka të vizitohet. Nuk janë vetëm monumentet kulturore e fetare që synohen nga shumica e vizitorëve. Kosova, sado e vogël që është, është përplot me pasuri nëntokësore e mbitokësore. Mjafton të përqendrohesh në fushat bukatore përgjatë gjithë luginave siç janë: Anamorava, Anadrini, Fusha e Kosovës, Llabi e Dukagjini etj. dhe të konstatosh se Kosova është një kopësht midis Ballkanit. Nisur nga ky realitet, në program ishte paraparë edhe vizita e një bodrumi të verës në rahovec. Ciceroni i verarisë “Bodrumi i Vjetër”, priti ngrohtësisht vizitorët zviceranë dhe nuk ngurroi të japë sqarime të hollësishme për procedurën e prodhimit të verës që nga kontrollimi i rrushit në vreshtë e deri te prodhimi final. Ai tha se moti me diell prej rreth 280 ditësh gjatë vitit që përshkon Anadrinin është stimulimi më i mirë për kultivimin e rrushit. Ky fakt ka inkurajuar edhe vëllezërit Haxhijaha që ta blejnë verarinë “Bodrumi i Vjetër” në Rahovec. “Jam i fascinuar me guximin dhe suksesin e tre vëllezërve ndërmarrës të prodhimit të verës”, shprehet agronomi zviceran z.Robert Obrist, pas pyetjeve të shumta që ia bëri përfaqësuesit të “Bodrumit të vjetër”.
Mësuesja tani në pension, zonja Brogle A. në Kosovë kishte ardhur për shkak të dashurisë dhe respektit që kishte ndaj ish nxënësve të saj. “Sa keq që nuk e kam vizituar Kosovën më herët për të komunikuar edhe më mirë me kosovarët. Ishte kënaqësi ta vizitosh Kosovën. Një herë tjetër do ta përjetoj edhe më shumë natyrën; do t´i vizitoj fshatrat malore, por edhe të qëndroj më gjatë në Prizrenin e bukur” thotë mësuesja e pensionuar.
“Nga të gjitha vendet që i kam vizituar deri tani nuk kam hasur në popull më mikpritës”, thotë Martina Bausch, bashkëshorti i së cilës (biologu Christoph Bausch) mëson disa nxënës shqiptarë. Ata dëshirojnë që sërish ta vizitojnë Kosovën, sidomos natyrën e begatë me lloje të ndryshme të florës dhe faunës.
Duke pasur parasysh të gjitha ato që dëgjuam nga turistët zviceranë gjatë këtyre shtatë ditëve, mund të thuhet se Kosova mund të bëhet vend atraktiv për turistët e huaj. Në Kosovë, sot, kemi gjithandej hotele e restorante që u lënë përshtypje të shkëlqyeshme vizitorëve, sidomos shumëllojshmëria e ushqimeve tradicionale, por edhe menytë perëndimore.
“Keni ushqim senzacional, po ashtu edhe hotelet janë në nivel të lartë. Duke u njohur me kulturën, qytetet, natyrën, shkollat, sidomos me reflektimin e nivelit të nxënësve, unë i plotësova kërkesat e mia prej vizitori“. Natyrisht, do t´i përjashtoja mbeturinat e hedhura gjithandej, por shpresoj se kjo është vetëm përkohësisht”, thotë pedagogia sociale Isabelle Freytag. Kështu mendojnë edhe Andreasi, Kathrin, Adina, Beatrice, Eva, Barbara etj.
Ajo që i duhet gjithsesi Kosovës në fushën e turizmit është krijimi i shtigjeve të ecjes, i shtigjeve për çiklizëm, mundësimi i kontaktit me zyrtarë institucionesh përkatëse, të cilat preferohen të vizitohen nga të huajt, pastrimi i domosdoshëm i brigjeve të lumenjve nga mbeturinat e shumta që hidhen nga qytetarë të papërgjegjshëm, por edhe joshja e mërgimtarëve nga diaspora, shumica e të cilëve nuk kanë njohuri të mjaftueshme për vendin e tyre./Xhevdet Kallaba/albinfo/