Tubimi i skamnorëve në qendër të qytetit për marrjen e ndihmave humanitare, një antireklamë e vërtetë

Nga Selman Ymeri – Humaniteti dhe zemërgjerësia e qytetarëve dhe donatorëve të ndryshëm, ka ekzistuar dhe do të ekzistojë, përderisa të ekzistojë edhe njerëzimi. Kjo është një e vërtetë e madhe dhe nuk ka se si të jetë ndryshe. Por, ajo që po bëhet ndryshe dhe që po mundohet që në formë sipërfaqësore të kapitalizojë me këtë aspekt humanitar, është çështja e shpërndarjes së këtyre ndihmave nga kryetari i Komunës së Vitisë, gjithnjë në funksion të formës dhe të mendësisë propogandistike të politikës ditore.
Me të ardhur në pushtet kryetari aktual i Komunës së Vitisë dhe qeveria komunale “lansuan“ një sihariq të natyrës së vet për shpërndarjen e ndihmave për skamnorët në prag të ndërrimit të motmoteve.
Pra, kësaj radhe do të ndalemi te mënyra se si kryetari i komunës mundohet të paraqitet si strumbullar i ndihmave humanitare, të cilat i kanë dhënë donatorë të ndryshëm, që është dashur të shpërndahen përmes Shoqatës Humanitare “Nëna Tereze” apo edhe ndonjë shoqate tjetër humanitare që verpojnë në Komunën e Vitisë, ashtu siç janë shpërndarë përherë dhe pa asnjë arësye të vetme të politizimit të kësaj çështjeje.
T’i tubosh skamnorët në qendër të qytetit në ditët e ftohta të dimrit, madje edhe skamnorët pleq e plaka, për të realizuar një fjalim para tyre dhe gjithsesi në prani të kamerave televizive, do të thotë t’i përdorish ata si një objekt (mjet) në funksion të marketingut politik dhe mediatik.
Kategoria e skamnorëve, para së gjithash, ka nevojë imediate tejkalimin e kësaj gjendjeje, aspak të mirë për ta, ka nevojë për të pasur ndonjë nga anëtarët e familjes të punësuar, në vend se të bëhen punësime mbi baza partiake dhe punësime me kontratë mbi vepër për militantë partiak.
Kategoria e skamnorëve, para së gjithash, ka nevojë që përdorimi i buxhetit komunal të bëhet në përputhje me ligjet në fuqi, në mënyrë që në të ardhmen, qoftë në mënyrë direkte apo indirekte të përfitojnë edhe ata.
Dhe, mbi të gjitha, kategoria e skamnorëve ka nevojë që së paku të zvogëlohet numri i tyre, me angazhim të përbashkët të shoqërisë dhe të institucioneve lokale dhe të atyre qendrore.
Më pas, kur të ndodh ky zvogëlim i numrit të skamnorëve, përmirësimi i kushteve ekzistenciale dhe përmirësimi substancial i mirëqenies së tyre, tek atëherë, këta akterë – përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore, do të duhej të pasqyrojnë këtë përmirësim, por, e ritheksoj se në asnjë mënyrë të trumbetojnë para kamerave televizive gjëra stereotipe dhe t’i ftojnë skamnorët për xhirime televizive me rastin e shpërndarjes së ndihmave humanitare.
Se qëllim kryesor i kësaj “sfilate humanitare” të kryetarit të komunës është marketingu politik dhe mediatik, dëshmohet edhe gjatë fjalës së kryetarit me këtë rast, ku ai veç tjerash, theksoi se ky aksion është ndër aksionet e karakterit të tillë nga më të mëdhatë në Kosovë.
Nëse vërtet është ashtu, siç tha kryetari i komunës, atëherë, logjika e shëndoshë çon në përfundimin se, nëse Komuna e Vitisë qenka një lloj shoqate humanitare, më e madhja në Kosovë, atëherë, ajo si e tillë do të duhej t’i bënte disa veprime në këtë drejtim, të cilat nuk i ka bërë, së paku jo deri më tani, p.sh. do të duhet të shpërndajë ndihma humanitare edhe për qytetarët skamnorë nga e tërë Kosova ose edhe t’i formojë degët e saja në komunat e Kosovës, por pse jo edhe më gjerë.
Por, për pushtetin komunal ajo se çfarë thuhet nuk ka shumë rëndësi, ashtu siç nuk ka rëndësi fare se çfarë emocionesh mund të shkaktojë te skamnorët marrja e ndihmave humanitare para kamerave televizive, e organizuar nga kryetri i komunës, përmes një pompoziteti të paparë për raste të tilla apo të ngjashme.
Logjika e arsyeshme thotë se veprim fisnik do të ishte që ndihmat humanitare, atyre skamnorëve, t’iu dërgoheshin (nëse ka nevojë përmes transportit të financuar nga Komuna e Vitisë), në shtëpitë e tyre, fare pa efekte të karakterit propagandistik.
E kundërta e kësaj që theksuam më lart, pra shpërndarja e ndihmave në fokus të kamerave televizive dhe me shumë zhurmë të panevojshme dhe artificiale, ashtu siç bëri kryetari i Komunës së Vitisë, paraqet vërtetë një veprim të pamatur dhe të paanalizuar mirë, i cili si i tillë, vërtet nuk do t’i bënte nder asnjë udhëheqësi komunal apo udhëheqësi të nivelit qendror.
Çdo udhëheqje, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror mbahet në mend për politikat zhvillimore dhe kualitetin qeverisës përballë përgjegjësive ligjore që kanë.
Por, udhëheqja komunale dhe kryetari i Komunës së Vitisë do të mbahen në mend për synimin e arritshmërisë së efekteve në kuptimin simbolik të fjalës, qoftë edhe atëherë kur kategorinë e skamnorëve e përdorin si paravan për realizimin e “aksioneve humanitare”, nëpërmjet syrit të kamerave televizive dhe efekteve audio-vizuele.
Kjo ishte ajo sa i përket dy viteve të para qeverisëse, në aspektin e shpërndarjes së ndihmave humanitare nga ana e kryetarit të komunës, mbase në fund të vitit 2016, këtë gjë do të mund ta bëjnë edhe me tupana dhe me zurle…