Mehmet Loci ishte udbash, është udbash dhe do të vdesë si udbash
Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA – Kur torturat nuk gjejnë adresë institucionale: Muaji gusht ishte muaj i dëshmive rrëqethëse të ish të burgosurve dhe të burgosurave politike shqiptare që u terrorizuan fizikisht dhe psikikisht nga udbashët shqipfolës që ishin në shërbim të Jugosllavisë dhe Serbisë e që zbatonin urdhërat politik të udbashve shqiptarë siç ishin Fadil Hoxha, Mahmut Bakalli, Xhevdet Hamza, Mehmet Maliqi, Xhavit Nimani, Rrahman Morina, Rexhai Surroi, Kolë Shiroka, Azem Vllasi, Sejdo Bajramoviq e të tjerë. Ndonëse dëshmitë e të torturuarve ishin bindëse ku u përmendën shumë emra të torturuesve, asnjë segment institucional i Kosovës nuk reagoi edhe me një fjalë të vetme; as Albin Kurti që shitej si Babë i shqiptarëve dhe i cili tash është shndërruar në njerk të keq dhe shpërfillës, as Vojsa Osmani që na e pati teshë b…me vuajtjen e ukrainasve nga Rusia dhe Putini kurse këta “ukrainasit” tanë të torturuar nga udbashët shqipfolës për këtë mizantrope dhe injorante nuk paraqesin asgjë, as Lenka Quko e Drejtësisë që nuk ka lënë pa i futur hundët në çdo vendim gjyqësor apo të prokurorisë duke shitur moral të pamoralshëm profesional, nuk bëri as vrt e as trt për këto tortura ndonëse Ligjin për Lustrim e ka në maje të gjuhës, as dhunuesi më i madh i Policisë së Kosovës që nuk la mjet pa përdorur për t’ua thyer kokën pas së cilave u vendosë si padre padrino i Policisë së Kosovës duke mrizuar si i pari i Ministrisë së Brendshme.
Këto ishin adresat që do të duhej të reagonin që pas intervistës së parë. Po si të reagojnë kur ministritë apo zyrat e tyre i kanë shndërruar në mbledhës të ndryshkut njerëzor dhe moral, në Mekë dhe Medinë të spiujve, bashkëpunëtorëve të Jugosllavisë dhe të Serbisë, mbetje biologjike dhe politike të atyre që i përmenda më lartë, armiq të sertë të ish të burgosurve politikë dhe të UÇK-së dhe të jashtëqitjeve më të ndyra njerëzore dhe kombëtare. Me të torturuarit u solidarizuan ata që e deshën dhe u sakrifikuan për lirinë, vlerat e vërteta njerëzore, kombëtare dhe morale. Ishin kundër trashëgimtarët biologjikë dhe politikë të dhunuesve dhe torturuesve ndërsa të përmendurit nuk u lajmëruan fare, me përjashtim të një trashëgimtari të padenjë dhe bastard të bardit të Kombit Shqiptar, Kamer Loshit. Edhe ai, ndonëse u paralajmërua, nuk u përballë me të torturuarin që e sfidoi e të cilin e ka torturuar fizikisht dhe psikikisht, Gani Kocin. I dyti që doli në debat, pasi vet kishte kërkuar ishte Mehmet Loci, udbashi shqiptar me përkatësi politike dhe patriotike serbe. Ambalazhimi shqiptar, brendia dhe përmbajtja e kalbëzuar jugosllave dhe serbe.
Po çka tha udbashi Mehmet Loci: Nuk ishte herë e parë që udbashi serb, Mehmet Loci del para mediave me ç’rast, jo që nuk e shprehë as pendesën simbolike por, përkundrazi krenohet me dhunën dhe torturat që i ka bërë kundër patriotëve dhe patrioteve shqiptare. Në emër të mbrojtjes së Kushtetutës së Jugosllavisë dhe të Serbisë. Në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjini i udhëhequr nga Ermal Panduri, udbashi serb Mehmet Loci, në vend se të jepte përgjigje për krimet që i ka bërë, u shndërrua në ekspert juridik dhe u personifikua si njeri i rëndësishëm që mbrohet nga jashtë dhe nga brenda sikur që u kornizua si patriot mbi të gjithë patriotët. Mehmet Loci, udbashi serb që e flet, si gjuhë të dytë shqipen (gjuhën e parë e ka të pendrekut dhe të stupcit – të dhunës) në një emision që zgjati thuaja dy orë e gjysmë, sa thuaja hapësira për 6 të torturuar, çdo fjalë të folur e ka gënjyer duke e zëvendësuar gjuhën e fakteve me gjuhën e zhvendosjes së fakteve të vërteta dhe zëvendësimin e tyre me “fakte” të sigurimit jugosllav dhe serb si dhe të urdhërdhënësve tyre shqipfolës të përmendur më lart.
Në vend që gazetari të këmbëngulë për temën që ishte ftuar, Mehmet Loci, pjesën dërrmuese e shfrytëzoi të promovojë veten si njohës të mirë të zhvillimeve politike lokale, rajonale dhe globale. Pa e pyetur askush ai bënte interpretime për vendimet e GJND-së, Konferencën e Bujanit, Plenumin e Brioneve, ndryshimet kushtetuese në Jygosllavi, Serbi dhe Kosovë sikur edhe për organogramin dhe historinë e shërbimeve zbuluese dhe kundërzbuluese të Jugosllavisë dhe Serbisë. I pafytyri, gënjeu se nga aspekti psikologjik krijohen situata kur njeriu del nga vetja dhe mund ta ndajë ndonjë shpullë aty – këtu. Kurse këtij psikopati shumë mirë i kujtohet se paska ndarë ndonjë shuplakë simbolikisht ndaj personave që numrohen në gishta të një dore. Nuk pranoi të lexohet reagimi i një të torturuari nga ai, i Haki Morinës sepse e dinte çka kishte bërë, ky kriminel i shërbimit jugosllav, dje, sot dhe deri në fund të rrugëtimit të tij jetësor, të pamoralshëm, të turpshëm dhe kriminal. Në debat me Mehmet Locin, në studio, është dashur të jenë përballë të torturuarit e jo të servohen citime me të cilat krimineli Loci as që merrej. Në vend se të mbërthehej me therra murrizi, atij iu vendosë kurora me dafina dhe u mbulua me gjethe fiku. Jo për ta mbrojtur kriminelin Loci, sa për t’i mbrojtur ata që janë prapa tij dhe që e kanë lënë të pandëshkuar. Arma e të gjithë udbashve është të shkaktojnë çarje midis të burgosurve politikë me pyka se ishin bashkëpunëtorë të UDB-së. Këtë armë të mbushur e shfrytëzoi edhe udbashi i qelbur, Mehmet Loci.
“Ministria e Brendshme e Republikës së Kosovës”: Si njërin ndër argumentet kryesore të udbashit Loci për kontributin e tij ndaj shtetit dhe kombit ishte pohimi i tij se ishte ndër themeluesit e shërbimit informativ në kuadër të Ministrisë së Brendshme të Kosovës për çka ishte arrestuar dhe dënuar me burg në Dubravë. Jam i bindur se edhe aty ka punuar për UDB-në. Sa isha në burg në Foçë pata takuar një të burgosur politikë kroat, themelues i Partisë Fshatare Kroate dhe njëri ndër udhëheqësit e emigracionit kroat i cili ishte kidnapuar në Austri nga UDB dhe ishte transferuar në Jugosllavi. Ai kishte mësuar, me vonesë se një agjent i UDB-së kishte qëndruar në burg, sipas detyrës afërsisht 4 vite deri në kohën kur e kishte fituar besimin e të burgosurve politikë kroat nga të cilët kishte marrë detyra për të vepruar në mesin e këtij emigracioni.
Pastaj, UDB kishte arrestuar kroatë brenda dhe jashtë sikur që kishte ekzekutuar krerë të emigracionit, njëri ndër më kryesorët ishte Stjepan Gjurekoviq. Të gjithë ne i njohim udbashët lokalë dhe ata të nivelit më të lartë në rast se kemi kaluar nëpër duar të tyre gjatë procesit të hetimeve dhe pasi kemi përfunduar burgun. Nga përvoja e them se thuaja të gjithë udbashët shqipfolës, pas vitit 1990 janë bërë pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës që nuk ka bërë asgjë përveç se, një pjesë e tyre kanë vazhduar t’u shërbejnë gazdallarëve të përjetshëm jugosllavë dhe serbë. Këta kanë ndikuar në përçarjen e faktorit politik shqiptar duke denoncuar çdo aktivitet dhe duke krijuar frymën e defetizmit dhe dorëzimit përmes një rezistence paqësore, me brekë të lëshuara. Këta pastaj kanë sabotuar luftën duke krijuar formacione ushtarake dhe policore që nuk e kanë shkrepur as edhe një plumb të vetëm për liri të vendit. Këta, një pjesë e tyre kanë dërguar dosje të Serbisë në Tribunal të Hagës si dhe në Gjykatën Raciste Speciale. Janë një hallkë e një zinxhiri që në vazhdimësi ka punuar për Serbinë dhe kundër Kosovës dhe Shqipërisë. Si shqipfolës, pas rënies së diktaturës në Shqipëri, me urdhër të Jugosllavisë dhe Serbisë, të parët kanë shkuar në Shqipëri duke e shtrirë rrjetin e agjentures dhe duke keqpërdorur moralisht femra shqiptare, me para që ua ka dhënë Serbia. Një pjesë e tyre qëndrojnë prapa vrasjeve të cilësuara si politike dhe etnike. Loci mund të jep sqarime se kush e gjuajti Ibrahim Rugovën me eksploziv afër kryqëzimit te “Slloveniasporti”. Dhe shumë të tjera.
Kush ishte Mehmet Loci, udbashi i përjetshëm: Me përgatitje akademike ishte arkeolog por që asnjë minutë të vetme nuk e kishte ushtruar këtë profesion. Studimet e larta i mbaroi në Zarë të Kroacisë ku edhe u rekrutua nga UDB duke vijuar kurse dhe trajnime për udbash. Nuk është aspak normale që një arkeolog i diplomuar, në vend se të punojë në profesion ku kishte mungesë të theksuar të kuadrove, menjëherë pas diplomimit të përfundojë si udbash në sekretariatin për punë të brendshme në Pejë. Nuk njoh raste të tilla. Di për raste që mjekë janë rekrutuar në UDB, pastaj punëtorë arsimorë, shërbyes fetarë por që angazhimin në UDB e kanë pasur si vend të dytë pune. Mehmet Loci ka filluar si udbash dhe do të përfundojë si ubash, konsekuent në stërkeqjen e tij njerëzore, morale dhe profesionale. Këtë përbindësh në asnjë rast nuk duhet ta identifikojmë me kombin shqiptar, është stërkeqje bastarde e tij. Këta nuk duhet të falen në asnjë mënyrë sepse nuk kanë kërkuar falje, nuk kanë shfaqur asnjë pendim për viktimat dhe për veten. Thashë më lartë, me përgatitje akademike ishte arkeolog kurse me profesionin e ushtruar ishte kriminel, torturues dhe dhunues. Armiqtë mund të falen kurse ata që punojnë kundër popullit të vet, asnjëherë.