Eko Higjiena

Tropoja i bllokon titullin “Qytetar Nderi” akademikut Rexhep Qosja

/ 3 minuta lexim

Tiranë – Akademikut Rexhep Qosja i është ‘refuzuar’ titulli “Qytetar Nderi” në Tropojë, edhe pse për këtë vlerësim ishin marrë më herët dy vendime zyrtare. “GSH” disponon dy shkresa që hedhin dritë mbi ngjarjen e ndodhur në Komunën Tropojë të qytetit verior.

Pasi këshilli i komunës, me shumicë votash kishte arritur t’i akordonte akademikut të njohur titullin, ka qenë kryetari Ram Kortoçi, ai që e ka bllokuar atë. Dy shkresat që po botojmë, tregojnë, njëra vendimin e marrë për të vlerësuar profesorin e njohur dhe tjetra anulimin e të parit. Po çfarë ka ndodhur në të vërtetë?

Ngjarja

RCCOLA

Me propozim të një grupi këshilltarësh, Komuna Tropojë, me vendimin nr.70, datë 7.11.2012 kishte vendosur t’i akordojë akademikut Rexhep Qosja titullin: “Qytetar Nderi”, si studiues i përkushtuar, shkrimtar me veprimtari të pasur kulturore e atdhetare dhe veprimtar i njohur i çështjes kombëtare. Nga 9 këshilltarë të pranishëm, vendimi u mor me pesë vota pro e katër kundër dhe motivacioni ishte: “Figurë komplekse dhe intelektuale e kombit shqiptar, arkitekt i bashkimit kombëtar, shkrimtar i njohur dhe njëri prej përfaqësuesve më në zë të mendimit filozofik shqiptar”. I njëjti vendim ishte marrë edhe më herët, por qe anuluar sepse bashkë me profesorin, titulli i qe propozuar e qe miratuar edhe për dy emra të tjerë.

Fakti që vlerësimi u dha për tre veta njëkohësisht, u përdor si justifikim për ta bërë atë të pavlefshëm. Ndërsa pas vendimit të dytë, ka qenë vetë kryetari i Komunës Tropojë-Fshat, ai që përmes shkrese që mban datën 8.11.2012 e refuzon vendimin e këshillit.

Në letrën që mban firmën e vulën e tij, Ram Kortoçi e kthen për shqyrtim vendimin e mësipërm. Një ndër arsyet e refuzimit që ai përdor është fakti se sipas tij, “Për marrjen e një titulli të tillë duhet që personi i propozuar të ketë dhënë një kontribut ku të ketë përfituar komuniteti i kësaj komune dhe për këtë arsye personi në fjalë nuk e plotëson këtë kriter”. Në këtë mënyrë, ai lë të kuptohet se Qosja nuk ka kontribut për këtë komunë, paçka se motivacioni i thënë më herët tregon kontribute të jashtëzakonshme të akademikut.(Gazeta Shqiptare)