ARKATANA

Tri paradokse

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Nga Ismail Syla – Më parë se vlerat kulturore, historike dhe kombëtare, sporti po bëhet simbol i masës së shqiptarëve, simbol i ngritjes së nacionalizmit të shëndoshë shqiptar.

UNMIK dhe vëllazërim bashkimi jugosllav

Koleksioni i paradokseve në jetën politike rreth nesh do të ishte shumë i madh dhe interesant, qoftë nga përditshmëria banale, qoftë nga pozicionime afatgjata, kur dukuri përballë njëra tjetrës ose pranë njëra tjetrës ose brenda njëra tjetrës prodhojnë situata të pakuptimta, pra absurde, kontradiktore, kundërthënëse.

Paradoks interesant i Kosovës së pasluftës është ai i qëndrimit të administratës ndërkombëtare, UNMIK, përballë administratës vendore, përkatësisht përballë një force të re politike, e cila për herë të parë kishte mundësi për ta shpalosur vetveten në realitetin e ri të Kosovës së çliruar.

Administrata ndërkombëtare ishte më shumë e prirë për ta favorizuar klasën administrative që ishte produkt i administratës së kohës së Jugosllavisë, qoftë në polici, qoftë në gjyqe, në shërbime civile dhe kudo tjetër. Ndërkombëtarët kishin rezerva ndaj një klase politike në shpërthim, në “invazion”, klasë politike cila në kohën e sundimit jugosllav kishte qenë e mënjanuar, e shkelur, e burgosur e ekskomunikuar.

Pra, administrata ndërkombëtare midis atyre që kishin qenë brenda sistemit jugosllav dhe atyre që kishin kundërshtuar atë, kishte një pëlqyeshmëri të heshtur, një ADN të pranueshme pikërisht për ata të cilët në të kaluarën kishin kaluar në shkollën e vëllazërim bashkimit jugosllav. Veçanërisht klasa politike që kishte luftuar me armë në dorë sundimin serb, shikohej dhe ende shikohet me rezerva.

Edhe kur klasa e re “invazive” më nuk mund të pengohej të jetë e pranishme kudo në administratën e Kosovës së lirë, pengesat në avancimin e kuadrove të saj vërehej qoftë ne policinë e Kosovës, qoftë në TMK (FSK) në gjyqësi etj.

Diferenca ndërmjet vlerësimit vendor, “luftë çlirimtare”, dhe atij ndërkombëtar, “konflikt i armatosur”, për Kosovën e vitit 1998 1999 tashmë është e njohur. Por, autori i këtij shkrimi u gjet i befasuar kur nga një analist tri herë “as”, pra as me ndërkombëtarët plotësisht, as me ultrajugosllavët, as me atë kategori që konsiderohet që ka sakrifikuar për lirinë e Kosovës, në tekstin me sintagmën “nën robërinë serbe” reagoi duke thënë “ Shoki, shqiptarët nuk janë ndier të robëruar nga Jugosllavia, kanë bërë jetë…” E po pse t’ia zësh për të madhe UNMIK-ut! Pas këtij “ndriçimi” që më ndodhi, aty për aty në mendje u formua kjo njësi e shkrimit. Paradoksi i parë.

Injorimi i Shqipërisë dhe ngritja e nacionalizmit të pafrikshëm

Paradoks më vete, si një rrëfim i madh është ai i injorimit të Shqipërisë, si një psikologji e shtrirë gjerë e gjatë gjithandej, e që nis që nga syprina e tavolinës së zyrtarëve të Kosovës, në të cilën ftesa zyrtare e ambasadës së Shqipërisë është më së paku e respektuara. Për dallim nga ato të shteteve të fuqishme perëndimore, ajo është ftesë në një zarf të pa peshë, ashtu siç konsiderohen se janë edhe pritjet e ambasadës shqiptare, për të cilat nuk ka ndonjë turrje entuziaste për pjesëmarrje.

Ndërkaq, praktika ka treguar të kundërtën. Ajo Shqipëri e zarfit të lehtë, u provua se peshon rëndë në Paris, në UNESCO. Ajo Shqipëri e mos respektuar peshon rëndë në Strasburg, në UEFA dhe kudo gjetkë. Madje, ajo Shqipëri e vogël me zarf të parespektuar, krahas SHBA-ve, Gjermanisë dhe Turqisë është avokatja më e mirë e interesave të Kosovës.

Shqipëria duke qenë anëtare e OKB-së, në të gjitha institucionet dhe mekanizmat ndërkombëtar ka dhënë dhe është duke dhënë kontribut për Kosovën. Kapacitet e saj janë ato që janë, por mbi të gjitha ajo për Kosovën është gjithmonë e dobishme dhe asnjëherë e dëmshme. Kjo duhet vlerësuar nga Kosova

E për anën tjetër, të paradokseve që Shqipëria prodhon në raport me Kosovën, në këtë shkrim nuk ka vend. Për to mund të shkruhet nga qasje tjetër, kur vihen në peshore gabimet dhe të metat e njëri tjetrit.

Një shenjë e mirë e raporteve Kosovë Shqipëri ishte loja e kombëtares së Shqipërisë në kampionatin evropian (2016) në Francë. Më parë se vlerat kulturore, historike dhe kombëtare, sporti po bëhet simbol i masës së shqiptarëve, simbol i ngritjes së nacionalizmit të shëndoshë shqiptar.

Uji Dea

Mijëra shqiptarë të Kosovës, të diasporës, por edhe nga vetë Kosova stolisën kuqezi sheshet e rrugët e Francës. Kjo është ajo rruga e natyrshme, spontane, e vetvetishme, e pafrikshme e ngritjes së nacionalizmit shqiptar

Diskreditimi moral para atij politik

Një paradoks i lloji të vet, që është përballja e vetë llojit me vetveten, ishin disa shkrime me akuza për këtë të ose atë qëndrim të disa udhëheqësve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pa dyshim që u prodhua jo vetëm një paradoks i madh por edhe një shije e hidhur, e keqe, e athët, thuaje si të duash.

Letra e hapur nxirrte letrën e hapur, përgjigja përgjigjen dhe thellë e më thellë dilnin gjëra gjithnjë e më banale. Çdo paraqitje “argumentuese” kundër njëri tjetrit, sikur e plotësonte parapërshkrimin që i bëhet UÇK-së nga kundërshtarët e saj fanatikë. “E po kur ia kanë bërë këtë njëri tjetrit, paramendoje se çka u kanë bërë kundërshtarëve të tyre” – ja ky ishte rezultati dhe e arritura e atij debati, padyshim paradoksal, absurd dhe të dëmshëm.

Kjo hapje varresh mes lloji të vetë është shumë e mirëseardhur sidomos për ta krijuar klimën politike të arrestimit të disa krerëve të UÇK-së dhe topitjen e ndjenjës së reagimit të ish ushtarëve të UÇK-së dhe të popullatës që ka qenë e lidhur më shumë me luftën çlirimtare, në kuadër të arrestimeve për të ashtuquajturën Gjykatë Speciale.

Të kujtojmë se çfarë reagimi kundërshtues ka ndodhur në kohën e arrestimit të Grupit të Drenicës disa vite më parë, dhe të arrestimit të ish komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla.

Prej asaj kohe e deri në arrestimin z. Azem Syla është gdhendur dhe dobësuar shumë imuniteti i figurës së komandantit të UÇK-së nga shumë drejtime: 1) Nga propaganda serbe e cila është fabrikuar nga shërbimet e saj sekrete. 2) Nga qarqet antishqiptare ndërkombëtare që bazohen në konstruksionet serbe kundër liderëve të UÇK-së. 3) Nga qarët anti UÇK brenda shqiptare që kanë ekzistuar që nga koha e luftës dhe ekzistojnë edhe sot.

Që të arrestohet pa bujë të kundërshtimit qytetar dhe të ish ushtarëve të UÇK-së komandanti i përgjithshëm i UÇK-së Azem Syla është ndjekur një rrugë që para se arrestimin në esencë ka për qëllim komprometim bazik personal të tij, diskreditimin moral dhe njerëzor, njollosjen e integritetit të tij para se figurën politike, kombëtare dhe historike.

Që të ndodh arrestimi dhe të mos i “dhimbset’ askujt z. Azem Syla duhet konstruktuar paraprakisht një gjetje inkriminuese, atë të lidhjes së tij me uzurpimin e pronave, bërjen milioner dhe krejt në fund që të mos reagojë askush për arrestimin e tij, duhet gjetur 6 apo 7 serbë me të cilat gjoja ka bashkëpunuar. Kur bëhen të gjitha këto, dhe këto “bëhen” edhe nga dëshmitarët e mbrojtur e të pambrojtur, atëherë arrestimi i Azem Sylës nuk bëhet problematik.

Dhe ky skenar jep rezultat. Heroin e zhveshin e bëjnë antihero, e përdhosin, e bëjnë tradhtar, madje e bashkëpunëtor të armikut shekullor në keqpërdorim pronash publike etj.

Ky është paradoksi më i madh që ka krijuar historia e arrestimit dhe përdhosjes së një njeriu me peshë dhe rëndësi të madhe për lirinë dhe çlirimin e Kosovës.

Nuk dua ta luaj rolin e profetit parathënës, por vetëm një gjë mund ta them me besim të plotë. Koha do të kalojë, të gjitha njollat dhe akuzat e konstruktuar do të çmontohen, do të çmitizohem, do të shthuren dhe një ditë Azem Syla do të jetë qytetar i lirë dhe i pafajshëm. I lirë, por që pagoi paradoksalisht shumë shtrenjtë arrestimin, si një figure e madhe kombëtare, përmes një procesi të konstruktuar të linçimit personal, moral e njerëzor.

E, ndërkaq, EULEX, gjykata dhe prokuroria do ta thonë me plot gojën se nuk janë kundër UÇK-së. Se individët…