Fundamenti

Tri palë zgjedhje

/ 9 minuta lexim
Mobi Casa

S’kemi arsye ta dërgojmë Dekretin e Presidentes për emërimin e Blerim Shalës në Gjykatën Kushtetuese. Por, Atifete Jahjaga duhet të respektojë marrëveshjen LDK-PDK-AKR dhe të largohet. Në vitin 2013 duhet të ketë zgjedhje parlamentare, lokale dhe presidenciale. Në procesin e integrimeve, Kosova është në pikën zero dhe pa luftë kundër krimit dhe korrupsionit s’ka BE. Kryetari i Komisionit për Integrime Europiane, Lutfi Haziri, flet për Express.

Express: Po përfundon ky vit dhe Kosova ende është larg liberalizimit të vizave. Nëse premtimet e politikanëve do të ishin të sakta, në vitin 2013 qytetarët e Kosovës do duhej të lëviznin pa viza. Kur prisni që ky proces të ndodhë?

L. Haziri: Keni të drejtë. Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, ky ka qenë një premtim i z. Thaçi në vitin 2009 dhe më vonë është konfirmuar në çdo proces zgjedhor që ka kaluar Kosova se liberalizimi do të jetësohet shumë shpejt. Në fakt, marrja e udhërrëfyesit është tregimi i vetëm sa i përket liberalizimit të vizave. Evaluimet e para që pritet të dalin në pranverën e hershme do të tregojnë qartë se Kosova e ka rrugën shumë të vështirë në arritjen e kësaj të drejte, e cila nënkupton qarkullim të lirë të njerëzve të Kosovës. Shumica e qytetarëve e njohin Europën vetëm përmes kampionatit të futbollit.

Express: Sot, Lunacek tha se s’ka liberalizim të vizave pa luftimin e korrupsionit…

L. Haziri: Lufta kundër korrupsionit dhe krimeve të organizuara dhe krimeve të luftës është njëra nga kërkesat e vazhdueshme që Komisioni Europian ia ka drejtuar Kosovës. Kemi të bëjmë me një proces që është i lidhur në kërthizë me sundimin e ligjit. Sundimi i ligjit nënkupton sundim të ligjit prej Zyrës së Presidentes e deri te ofiqari që është shërbyesi i fundit i shtetit. Politika e Kosovës duhet të kalojë prej nivelit deklarativ në nivel të veprimit politik, veprimit institucional dhe veprimit të ligjit në çdo nivel. Ana e errët e këtij procesi është mungesa e luftës së krimeve dhe korrupsionit. Në fakt, BE kërkon veprim të menjëhershëm sepse sot është vonë. Veprimet kundër krimeve dhe korrupsionit është dashur të ndodh dje, është dashur të veprohet shumë më herët sepse neve na është thënë në qershor të këtij viti se vetëm mbi bazën e shkallës së sundimit të ligjit do të ecet më tutje në procesin e liberalizimit të vizave, në proceset kontraktuale dhe në marrëdhëniet tregtare.

Express: Ku është Kosova në rrugën e saj drejt BE?

L. Haziri: Kosova është në pikën zero. Jemi në një dekadë që Kosova ka punuar në procesin e integrimeve europiane. Nëse Samiti i Selanikut ka qenë kthesa më e madhe për Ballkanin Perëndimor, ku është përfshirë edhe Kosova pavarësisht statusit, tregon se jemi në shkallë të njëjtë sepse Kosovës i premtohet integrim. Kosova është vend aspirant për këtë proces. Edhe përkundër premtimit se do të nënshkruhet marrëveshje për MSA’në, kemi ngelur në nivel të dialogut. Në kuptimin praktik dhe formal, Kosova mbetet në konfirmimin që Këshilli i Ministrave dhe Komisioni Europian ia njeh si vend potencial për të hyrë në BE. Por, vetëm në hapin e parë, nuk ka ndodhur ende hapi i madh. Këtë e mbështes në faktin se për dhjetë vjet Kroacia, prej Samitit të Selanikut po bëhet anëtare e barabartë e BE’së. Me cilindo shtet të rajonit që e krahasojmë Kosovën, vendi jonë është në fillim të procesit.

Express: Partia juaj ka vendosur të bojkotojë aktivitetet e Presidentes. A do të vazhdoni të injoroni edhe mbledhjet e Këshillit Kombëtar për Integrime Europiane?

Mobi Casa

L. Haziri: Më lejoni të konfirmoj një çështje: Arritjen e konsensusit në procesin e integrimeve europiane…ky konsensus është mbërritur në Kuvendin e Kosovës. Konsensus ka mes pozitës dhe opozitës dhe konsensusi është mbërritur edhe në nivel të liderëve politikë, përfshirë Vetëvendosjen dhe grupet e pakicave. Ndërsa Këshilli Nacional si institucion që ka qenë i paraparë me u marr me integrimin, duke garantuar përfshirjen e të gjitha palëve është mbështetur parimisht nga LDK. Ne kemi marrë pjesë në dy nivele, Kryetari i LDK’së dhe unë si Kryetar i Komisionit për Integrime Europiane. Tash më është sqaruar se LDK nuk merr pjesë në nivel të liderit të saj. Kryetari Mustafa nuk merr në asnjërin komisioni të Presidentes, por nuk e ka përjashtuar mundësinë që në nivel të Kryetarëve të Komisioneve për shkak të obligimeve institucionale ne të marrim pjesë. Presidentja duhet ta respektojë marrëveshjen politike sikurse ata që kanë nënshkruar, ashtu edhe ata që kanë përfituar. Presidentja ka ardhur për një mandat transitor, ai mandat po përfundon dhe ajo duhet t’u hapë rrugë zgjedhjeve dhe përfundimit të reformave zgjedhore e kushtetuese.

Express: Z. Haziri, a do ta dërgoni Dekretin e Presidentes për emërimin e Blerim Shalës koordinator në Gjykatën Kushtetuese?

L. Haziri: Unë si deputet i LDK’së dhe si njeri që ka qenë i përfshirë në proceset politike, çfarëdo qofshin ato – nuk besoj se ka arsye dhe mund të gjejmë motiv që vendimet e Presidentes Jahjaga në emërimet e saj, qoftë dekretet për ambasador, qoftë ato për emisar apo në fund për koordinator, s’duhet të shkojnë në Gjykatë Kushtetuese sepse neni që ia njeh emërimet me dekret është kushtetues. Nuk kemi nevojë me harxhu frymë dhe as kohë me u marrë me këto çështje, por kemi nevojë me kërku që ajo të respektojë vendimin politik, marrëveshjen politike, e cila ia ka dhënë petkun e Presidentit. Ky petk i Presidentit mbahet me nder vetëm nëse respektohet marrëveshja politike. Nuk po them se e humb legalitetin, por ajo e humb legjitimitetin. Sepse fundja, të gjithë ata që kanë provu me ba punë për këto njëzet e tri vjet, ose kanë dështu ose kanë destinu me dështu.

Express: Në vitin 2013 do të ketë zgjedhje lokale, por nuk është shumë e sigurt se do të ketë edhe zgjedhje parlamentare. Cilat janë pritjet tuaja?

L. Haziri: Marrëveshja politike për President e ka për synim vetëm këtë kuptim. Nuk e ka pasur për qëllim domosdoshmërisht prodhimin e zonjës Jahjaga për Presidente, por marrëveshja politike ka prodhuar agjendën e re zgjedhore. Kjo është rezultati i asaj marrëveshjeje politike. Kjo është kërkesa fondamentale e LDK’së në kërkesën politike. Agjenda e asaj marrëveshjeje është që zgjedhjet parlamentare të mbahen në pranverën e vitit 2013 ose verën e vitit 2013 sepse nuk është thënë sezoni. Ndërkohë, zgjedhjet lokale janë mandatore në shtator-tetor të vitit të ardhshëm dhe zgjedhja e Presidentit sipas Ligjit Zgjedhor të vjetër ose Ligjit të ri që mund të vjen, e përcakton dhe e gjen rrugën më të mirë për me mbajt zgjedhje presidenciale. Kosova nuk ka me pas mundësi me shpëtu nga mbajtja e tri palë zgjedhjeve vitin e ardhshëm. Kosovës i duhen zgjedhjet jo vetëm për shkak të kësaj marrëveshjeje politike, por edhe për shkak të legjitimitetit politik, legjitimitetit institucional dhe kredibilitetit që duhet të prodhojnë këto zgjedhje sepse dihet se zgjedhjet e fundit kanë qenë faqja e zezë për Kosovën. Nuk bën t’i bishtnohet marrëveshjes Mustafa-Thaçi-Pacolli. Çdo bishtnim i kësaj marrëveshjeje do të prodhojë kriza që nuk i duhen Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Express: Pse i ftohët raportet me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës? Zyrtarë të LDK’së tashmë janë deklaruar se koalicioni PDK-AAK është një e keqe për vendin…

L. Haziri: Nuk i quaj ftohje të raporteve, i quaj afri më e madhe apo më e distancuar. Unë ende mendoj se me AAK kemi raporte të një niveli që kemi pasur pas lidhjes së koalicionit në vitin 2004. Ardhja e Haradinajt na ka gëzuar shumë dhe ai e ka gjetur AAK’në dhe LDK’në në opozitë. Bashkëpunimet në të ardhmen do të varen krejt në atë se si do të ndalet kjo qeverisje e keqe që po ndodh në Kosovë. Sipas asaj që po e shohim sot, AAK ka një afri me PDK’në, por nuk ka ftohje me LDK’në. Ne edhe më tutje mendojmë se legjitimiteti i vetëm janë zgjedhjet. LDK po punon që të ofrojë të gjitha subjektet politike, të cilat kanë filozofinë rugoviane të qendrës së djathtë, të qendrave liberale. Kushdo që i bashkohet këtij koalicioni të madh ideologjik, besoj, do të jetë pjesë e ndryshimeve të mëdha në Kosovë. Viti i ardhshëm do të jetë vit i madh i ndryshimeve politike, institucionale. Sa i përket të ardhmes, LDK duhet të ndërtojë partneritet me pjesët e veta të saj, pra me LDK’në. Për shkak të problemeve më 2006, në vitin 2007 LDK e ka humbur LDK’ja. Është rrjedhë logjike se LDK fiton nëse ndërton koalicion me LDK’në me pjesët e brendshme, me pjesët e saj dhe në çdo situatë do të fitojë përballë të gjithëve, edhe përballë PDK’së.