GRANDEMALL

Tri kohët e një monografie

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Nga Hysen Kqiku- Prof. Tefik Selimi: Gjimnazi “Zenel Hajdini” i Gjilanit (1945 – 2013)- monografi.

Koha e parë: Shërim plagësh.

Një poet, mik i autorit të monografisë, bashkudhëtar i letrave shqipe, fillimin e punës “për një jetë ndryshe” nga ajo që kishte përjetuar populli ynë, me shekuj, e fillon kështu: Lindja ime nuk qe 1945. Grupi punues i ofiqeve gaboi. Më 1945 u hap varri im. Sipas projektit të varrmihësve oviqojanë. Ishte koha më e vështirë që përjetoi populli autokton i Kosovës, si në Gjilan po ashtu edhe gjithandej Kosovës, së cilës, nuk i mbeti skutë e sigurt për t’i mëkuar plagët që kullonin gjak lirie. Gjithandej ndjekje, arrestime, vrasje, plagosje, dëbime.

Lufta e Velegllavës, Lufta e Gjilanit, Shpallja “Gjendje e jashtëzakonshme në Kosovë”, Vrasja, në rrethana misterioze të më se 8 000 shqiptarëve në Gjilan, Masakra e Deçanit, Masakra e Tivarit, Dëbimi i shqiptarëve për në Turqi deri në vitin 1968, “Otkupi”- Grumbullimi i tepricave, Aksioni për grumbullimin e armëve, Punët angari të rrugëve dhe hekurudhave, jo në Kosovë por në Serbi, Bosnje, në ato vende që i nevojiteshin serbëve dhe Serbisë fashiste etj, etj. Mund të imagjinohet se çfarë gjendje u krijua pas gjithë asaj katrahure dhe në këtë gjendje të realizimit të skenarëve më makabre të pushtetit të Aleksandër Rankoviqit, populli ynë kërkonte frymëmarrje në hapësirën e tij ku i kishin jetuar gjyshstërgjyshërit. Në atë hapësirë, e ndrydhur pamëshirshëm, dilnin xixa shprese të cvilitura për të kap ndonjë fije shprese për një jetë tjetër, dilnin dhe shuheshin prandaj, poeti edhe në kohën kur e kishte këmbën e okupatorit në fyt, e tha me forcën e shpirtit, të urrejtjes dhe të ironisë “Lindja ime nuk qe viti 1945.

Koha e dytë: Ringjallja

Viti 1945 deri më 12 qershor 1999, kur Kosova u çlirua nga ajo shtypje e paparë, nga një robëri etnocidiale- ishte rruga nëpër të cilën eci me hapa tunxh çdo iniciativë, eci edhe rruga e zhvillimit të arsimit shqip. Se sa e rëndë ishte ajo kohë, na e përkujton bindshëm autori i monografisë “Gjimnazi “Zenel Hajdini” në Gjilan, e cila kap periudhën kohore 1945-2013 – Tefik Selimi, i cili para opinionit lexues doli me disa monografi që historisë sonë më të re i shërbejnë si një arkiv i begatshëm, si një memorie shumë e kthjelltë, si një angazhim intelektual e fisnik, si një personalitet krijues, të cilin në mos kush tjetër e respekton puna e tij. Duke e lexuar këtë kontribut të çmueshëm të Tefikut, na bie në sy vështirësia e të shkruarit të monografive, jo vetëm të fushës së arsimit por edhe e fushave tjera pikërisht në mungesë të dokumenteve dhe nga ajo se monografia kërkon shumë. Ajo është e pangopshme. Në situata të tilla, sukses mund të kenë ata që i prijnë një porosie popullore “Ec, kshyr dhe mbaj në mend”.

Tefiku e bëri këtë, eci, i përjetoi dhe i regjistroi ngjarjet e ndryshme, ato më relevantet që e karakterizuan kohën dhe hapësirën, që ishin vulë dhe letërnjoftim i kohës. Nisma ishte e vështirë, i frikësoheshin pasigurisë. Mençuria ishte strukur në ilegalitet. Për të ecur e për ta kapur atë më të shtrenjtën diturinë, arsimin i cili amën e shpërndarjes e ka shkollën, duhej flijuar dhe numri i të flijuarve për shkollën shqipe nuk është i vogël. Regjistër i gjatë bëhet po t’i gjejmë e t’i rreshtojmë.

Formula, mbase u mendua, kërkesat për shkolla shqipe u bënë në emër të Fryteve të luftës Nacional Çlirimtare. Monografia na mëson se u deshtë pritur për shkak të kuadrove për mësim në gjuhën shqipe. Në bazë të atyre pak dokumentave dhe kujtesës së dobët të të moshuarve “së shpejti në bankat e nxënësve u ulën shkollarët e rritur dhe luftëtarët me uniforma partizane” (Shih faqe 16)Fillimi, viti 1945, ishte me nxënës serbë dhe me kuadër po ashtu serbe, drejtor Andrea Slunj.

Tek pas vitit 1968, pas rënies së rexhimit antishqiptar të kryepolicit serb A. Rankoviq, shqiptarët fillojnë të regjistrohen më me pa dro në paralelet shqipe. Duhet t’i kujtojmë kuadrot e para shqiptare në gjimnaz siç janë Abdurrahman Hafizi, Tasim Sulejmani, Hasan Vokshi, Ruzhdi Ushaku. Hamzë Halimi, Reshat Ramadani, Ferat Rexhepi, Ajshe Godanca, e shumë të tjerë.

FIDANISHTJA

Po ashtu, mësojmë se me zellin e themeltarëve dhe të atyre që erdhën pas tyre, sa vinte duke u rritur numri i nxënësve shqiptarë, aq rritej fama dhe lavdi për këtë Gjimnaz i cili brenda një kohe jo shumë të gjatë u bë shkolla më në zë në tërë Kosovën. Në vitin 1968/69 në këtë gjimnaz ishin të regjistruar 250 nxënës shqiptarë, në vitin pasues prej 250 nxënësve shqiptarë u fitua besimi, i cili ndikoi të rritet numri i shqiptarëve prej 250 në 500 sish.

Në shënimet që na i sjell autori, përmes kësaj Monografie nuk zbehet kurrë kontributi i më të mirëve themeltarë, i më të guximshmëve, të cilët shfrytëzuan të gjitha mundësitë për të kërkuar kushte më të përshtatshme për zhvillimin e arsimit dhe edukimit dhe për të qenë të barabartë me të tjerët. Është nder dhe krenari t’i kujtojmë edhe sot profesorët shqiptarë që përveç punës së palodhshme arsimore, bashkë me nxënës bënë edhe kërkesa tjera edhe politike, për të qenë të barabartë edhe në fusha dhe sektorë të tjerë me rëndësi shoqërore.

Ata, si bie fjala: Ruzhdi Ushaku, Hasan Vokshi, Mehmet Surdulli e shumë të tjerë bënë emër nderi e patriotizmi, jo vetëm për guximin e mbarështimit të kërkesave por për zellin që mbollën tek nxënësit e tyre në ruajtjen, forcimin dhe kalitjen e ndjenjave kombëtare. Punë kjo e cila do të rrezatojë në momente të rëndësishme historike duke bërë kthesa fundamentale për lirinë që e kemi sot. Në kohën kur punëtorët arsimor merreshin në të ashtuquajturat “biseda informative” thuaja se të gjithë akuzoheshin për nxënësit e tyre që bënin demonstrata kudo në Kosovë. Po me këtë armë ishin furnizuar gjenerata e gjenerata, për t’i dalur zot vendit të tyre, gjakut të derdhur për liri dhe dinjitet kombëtar. Ata nxënës të këtyre veteranëve të pathyeshëm e me plot ideal atdhetarie, nuk pati forcë që i kthen prapa nga rruga e nisur dhe nga vendosmëria e tyre .

Koha e tretë: Krejtësisht të lirë

Kuadri arsimor i gjimnazit “Zenel Hajdini” në Gjilan, gjeneratë pas gjenerate trashëguan vlerat më sublime dhe në forma të ndryshme i përcollën tek nxënësit e tyre. Grupet e ndryshme të aktiviteteve të shumta, përveç mësimit të rregullt por edhe atij plotësues e shtues, krijuan personalitete të shumta, profesorë të të gjitha lëndëve, mjekë, inxhinierë, shkrimtarë, kuadro ushtarake e policore, artistë të fushave të ndryshme si piktorë, skulptor, arkitekt, aktorë, muzicientë etj. Këto kuadro me punën, zellin dhe talentin që derdhën nëpër vepra të tyre, nderuan dhe nderojnë ecjen tonë drejtë synimeve më të shenjta.

Tefik Selimi në këtë vepër bëri punë blete, nuk la lule pa e prekur dhe pa ia shijuar nektarin. Ai duke filluar nga historia, e kësaj vatre të diturisë, të kulturës e të shkencës, të qëndresës dhe flijimit, të sakrificës e të vetmohimit, të shtëpive shkolla gjatë luftës, të humanitetit në situata të nevojshme, të gjetjes së formave dhe metodave më të rëndësishme për arritje suksesesh në të gjitha hapësirat dhe dimensionet e mundshme, të bashkëpunimit e të binjakëzimit, të bashkëpunimit e të këmbimit të përvojave me shkolla të suksesshme, me shkolla me modele pune avancuese, me programe të shumta, grupi letrar, i aktorëve, i piktorëve, i muzicientëve, i sportistëve, i shkencëtarëve të ndryshme, pjesëmarrja në gara të shumta dhe rezultatet frymëzuese që patën gjithandej Kosovës dhe jashtë saj, me nxjerrjen e fletushkave dhe revistave si “Gjimnazisti” bie fjala, lan gjurmë për shembull se si mundet dhe duhet të punojë një shkollë e profilit të gjimnazit “Zenel Hajdini”…

Të gjitha këto veprimtari, krijimtari, angazhime, kanë krijuar një kolektiv shembullor. Tefik Selimi i ka radhitur në 107 faqe, duke shënuar biografinë e tyre me fotografi, dhe rezultatet me të cilat secili nga punëtorët arsimor është shquar. Duke filluar nga drejtori i parë i këtij gjimnazi e deri tek drejtori aktual Sami Hoxha, janë radhitur po ashtu me portrete, të dhëna nga jeta dhe veprimtaria e tyre udhëheqëse duke i potencuar edhe sukseset që e kanë karakterizuar secilin veç e veç. Kolektivi aktual sipas libërshkruesit, vazhdon traditën patriotike për krijimin e nxënësit personalitet të dobishëm në ruajtjen e vlerave patriotike, të vlerave të larta kombëtare, shkencore, artistike, të krijimit të personalitetit që e do vendin e tij dhe është i gatshëm të flijojë për të.

Në vend të përfundimit

Të nderuar të pranishëm, nëse shoqëria jonë demokratike, mendon ndonjëherë që të cilësohen punëtorët tonë jo vetëm arsimor dhe të dekorohen me dekoratën “Hero i punës” përkatëse Tefik Selimi meriton ta merr një dekoratë të tillë. Puna e tij është e madhe. Nuk e ka pasur lehtë që të bëj monografi për shkollën me më shumë suksese, më me shumë nxënës dhe me shkollën me përgjegjësinë më të madhe për sa i përket angazhimeve sublime për një të ardhshme më të ndritshme . Monografinë “Gjimnazi “Zenel Hajdini” 1945 – 2013” e karakterizon metoda e punës, metoda e një krijuesi që ka derdhë përvojën e pjekur për mbarshtrime të librave të formës monografike.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.