Fundamenti

Tri ditë para Shëngjergjit

/ 5 minuta lexim

Nga Ibrahim Rexhepi – Distribucioni i KEK-ut që e premtja e kësaj jave kalon në duart e pronarit të ri. Këtë ditë nisë një kaptinë e re, kur për herë të parë në Kosovë një pasuri publike kalon në pronësi private, kur i huaji bëhet faktor në një sistem strategjik për vendin dhe kur duhet të verifikohet serioziteti i konsorciumit “Limak & Çalik”.

Privatizimi i pasurisë publike është çështje e cila gjithkund nxitë debate. Madje, janë të zakonshme edhe tensionet e përplasjet, qoftë kur ato vijnë nga sindikatat, partitë politike, apo edhe nga qytetarët si përfitues nga shërbimet publike.

Më 3 maj, përkatësisht të premten e kësaj jave do të ndodhë dita e shumëpritur, por jo edhe e mirëpritur për të gjithë. Distribucioni i Korporatës Energjetike të Kosovës, së voni i njohur me akronimin KEDS edhe zyrtarisht kalon në pronësi të konsorciumit të përbërë nga dy kompani turke “Limak & Çalik”, të cilin e blenë 26,2 milionë euro. Për herë të parë në Kosovë do të ndodhë që një investitorë i huaj të bëhet pronar i një sektori tejet të rëndësishëm për ardhmërinë ekonomike dhe për gjendjen sociale në vend. Në kuptimin e mirë, këtu do të nisë zgjidhja e paqartësive dhe e arsyeve për skepticizëm që e përshkoi këtë pazar të udhëhequr nga Qeveria e Kosovës.

Në fakt, paqartësitë dhe skepticizmi kryesisht kanë ardhur nga bindja që kemi se vetëm shteti, përkatësisht qeveria, di të menaxhoj me këto pasuri dhe ka përgjegjësi ndaj konsumatorëve – qytetarëve. Një botëkuptim nostalgjik, i cili përkujton kohën kur shteti kujdesej për kilovatët, çmimin, investimet … Por, ky botëkuptim ka për bazë edhe modelet e ndryshme në botën me treg të lirë, ku edhe më tutje shteti ka këto përgjegjësi, apo ato i ka ndarë me operatorët privat. KEDS-i do të jetë një formë tjetër. Këtu qeveria nuk ka më hise dhe të vetmen përgjegjësi e ka që në momente të domosdoshme t’i jep para KEK-u, kompanisë së mbetur publike, për importimin energjisë elektrike, të cilën ia shet KEDS-it.

Fundamenti

Pos çmimit të shitjes, i cili gjithmonë do të jetë i diskutueshëm, “Limak & Çalik” ka marrë përgjegjësi tejet të mëdha, të cila domosdoshmërisht se duhet t’i përmbushë, nëse nuk e dëshiron dështimin në Kosovë. Fillimisht janë investimet, pasi që ka premtuar se deri në vitin 2025 do të shpenzojë deri në 300 milionë euro për ta forcuar e funksionalizuar. Sado që duken shumë para, në raport me nevojat nuk janë shumë. Të përmendim se distribucionit aktual të KEK-ut vjet i kanë humbur 1.750 gigavat orë energji elektrike. Kjo humbje i ka dy rrugë: përmes asaj komerciale kanë humbur ( janë vjedhur ) 971 gigavat orë, ndërsa nëpër stabilimente kanë rrjedhur 778 gigavatorë energji elektrike. Puna duhet të fokusohet në dy fronte, së pari në atë teknik, ku humbjet duhet të sillen përbrenda standardeve , apo më pak se 10 për qind nga sasia e shpërndarë. Aktualisht në këtë sasi humbjet teknike marrin pjesë 16,32 për qind, ndërsa që ato të zvogëlohen një për qind duhet investuar rreth 40 milionë euro. Sipas kësaj matematike, për të eliminuar 6 pikë të përqindjes në këto humbje duhen rreth 240 milionë euro. Pjesa tjetër e humbjeve janë vjedhjet, të cilat nuk ka mundur t’i eliminojë as pronari i deritashëm- Qeveria e Kosovës.
Nuk do ta kenë lehtë as turqit, meqenëse, si ilustrim shërben rasti i Distriktit të Mitrovicës, i cili jep pamje të zbehtë raportit ndërmjet energjisë së shpërndarë dhe pagesave. Nga më shumë se 658 gigavatorë energji të dërguar, kanë humbur 403 gigavat, prej të cilëve përmes kanaleve komerciale – 321 gigavat orë. Ky nuk është i tërë problemi me energjinë e humbur, meqenëse ky distrikt në totalin energjisë së shpërndarë, sipas të dhënave të ZRRE-së, merr pjesë 14 për qind, ndërsa në humbje 23 për qind. Pra, problemi shtrihet në tërë Kosovën.

Hiq humbjet komerciale, për të cilat kërkohet një qasje krejt ndryshe, për eliminimin e atyre teknike duhen para. Ndërkaq, çdo cent i investuar reflekton në koston e fundit të cilën e paguan konsumatori. Kjo imponon një qasje tejet racionale, meqenëse “Calik & Limak” do të jetë jo i mirëseardhur nëse ka për qëllim të krijojë mbulesë financiare dhe të rrisë fitimin duke ngarkuar buxhetin e kosovarëve. Këtu konsumatorët nuk do ta fajësojnë rregullatorin pse ka lejuar nivelin e tarifave, por atë që ua sjell faturat te dera. Prandaj, kjo është pika më neuralgjike që operatori i ardhshëm të ndërtojë raporte miqësore me tregun dhe me konsumatorët. Në të kundërtën ky operator do të përkujtohet me konotacionin historik, se “tri ditë para Shëngjergjit na erdhën turqit”.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)