Tri dimensionet që sipas analistëve opozita do ta sfidojë Kurtin në zgjedhje
Analistët politikë kanë ngritur shqetësime për qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), duke theksuar se përqendrimi i saj në veriun e Kosovës dhe dialogun me Serbinë ka lënë në hije çështje të rëndësishme të brendshme dhe ka krijuar sfida në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Analisti Kastriot Jahaj ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për përqendrimin e saj në veri të Kosovës dhe në dialogun me Serbinë, duke theksuar se këto arritje kanë lënë pasoja të paimagjinueshme për Kosovën në raportet ndërkombëtare.
Në një diskutim në emisionin “Debat Plus”, Jahaj po ashtu kritikoi bojkotimin e LVV-së ndaj seancave të Kuvendit, një veprim që, sipas tij, nuk është i përshtatshëm për një parti në pushtet.
Jahaj argumentoi se qeverisja aktuale e LVV-së përballet me sfida serioze, përfshirë sundimin e ligjit, shëndetësinë dhe arsimin.
Ai nënvizoi se LVV-ja duhet të fokusohet në përmbushjen e detyrave të saj si qeveri, duke mos lënë pas dore angazhimin në Kuvend për të siguruar kalimin e ligjeve dhe emërimin e anëtarëve në institucione publike.
“Mosrespektimi i Kuvendit nga deputetët e shumicës është i papranueshëm,” tha Jahaj, duke shtuar se kjo tregon një mospërfillje ndaj detyrimeve institucionale.
Analisti Ylli Hoxha shtoi se zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit do të paraqesin sfida të reja për LVV-në.
Sipas Hoxhës, largimi i disa figurave të rëndësishme dhe vota më pak militante e përkrahësve të Vjosa Osmanit mund të ndikojnë në performancën e LVV-së në këto zgjedhje.
Hoxha parashikoi se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mund të përfitojë nga çdo humbje e mbështetjes për LVV-në, dhe përmendi liderin e saj, Lumir Abdixhikun, si një kandidat potencial për të udhëhequr ndryshimet në skenën politike.
“Konsideroj që elektorati i LDK-së dhe Vetëvendosjes është elektorat që rrjedhë nga një anë tek tjetra, dhe përbën shumicën në Kosovë. Nëse do të ketë rënie potenciale të Kurtit, kjo do të reflektohet me rritje të LDK-së. Do të kemi Lëvizjen Vetëvendosje në sfidë, në tri dimensione për ruajtje të votes të vitit 2021, të zgjedhjeve të përgjithshme, vota më pak militante nga Vjosa Osmani. Do të ketë sfidë votën e Eman Rrahmanit. I treti sfidimi më kryesor i LVV-së është një lloj zotnimi i përkrahjes tek elementi urban në tri vite e gjysmë qeverisje”, tha Hoxha.
Në vijim, Belgzim Kamberi analizoi rolin e opozitës dhe theksoi se Abdixhiku dhe Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) janë dy kandidatë potencialë për të sfiduar Albin Kurtin në zgjedhjet e ardhshme.
Kamberi theksoi se opozita duhet të sigurojë një mbështetje të gjerë votuesish për të realizuar ndryshimin e pushtetit.
“Kemi krejt një opozitë tjetër sesa vitet e kaluara. Veçanërisht do të matet Lumir Abdixhiku dhe Bedri Hamzaj. Albin Kurti është për ta rikonfirmuar vetën. Ramush Haradinaj është për rikonfirmim të AAK-së dhe vetës së tij. Këto zgjedhje do të sfidonin Abdixhiku dhe Hamza. Abdixhiku është për here të pare si kreu i LDK-së dhe Hamza kandidat për kryeministër”, deklaroi Kamberi.
Në përgjithësi, analistët vlerësojnë se zgjedhjet e ardhshme do të jenë një test për partitë kryesore, ndërsa LDK dhe PDK do të përpiqen të rrisin ndikimin e tyre, ndërsa LVV-ja do të luftojë për të ruajtur mbështetjen e vitit 2021./Telegrafi/