Shkolla e Mesme - UBT

Gjilani jep shembull të humanizmit në Ditën e Flamurit, gjashtë familje pajtohen pas përleshjes së rëndë mes nxënësve

Gjilani jep shembull të humanizmit në Ditën e Flamurit, gjashtë familje pajtohen pas përleshjes së rëndë mes nxënësve

Gjilan – Një akt i rëndësishëm humanizmi, mirëkuptimi dhe solidariteti është shënuar sot në Gjilan, më 28 Nëntor, ku gjashtë familje të përfshira në konfliktin e ndodhur para dy javësh ndërmjet nxënësve të shkollave të mesme „Marin Barleti“ dhe „Sahit Baftiu“, kanë arritur pajtimin mes tyre. Ky akt i faljes dhe i shtrirjes së dorës së pajtimit vjen në një ditë me rëndësi të veçantë kombëtare, duke përcjellë mesazhin se paqja, mirëkuptimi dhe bashkimi janë vlera që duhet të mbizotërojnë mbi çdo mosmarrëveshje.

Pajtimi ndërmjet familjeve është rezultat i një angazhimi të përbashkët të njerëzve që ndërhynë për të qetësuar situatën, për të afruar palët dhe për të krijuar mundësinë e tejkalimit të konfliktit përmes dialogut dhe mirëkuptimit.

Kontribut të veçantë në këtë nismë humanitare kanë dhënë Sami Hoxha, Emrush Qamili, Sami Ahmeti, Valentina Bunjaku, Shkëlqim Latifi, Rexhep Sejdiu dhe të tjerë, të cilët me angazhimin dhe përkushtimin e tyre kanë ndihmuar në arritjen e këtij rezultati të rëndësishëm.

Ecohigjiena

Rëndësia e këtij pajtimi merr edhe më shumë peshë për faktin se bëhet fjalë për një incident të rëndë, i cili kishte shqetësuar opinionin publik dhe komunitetin arsimor në Gjilan, pas përleshjes ndërmjet dy grupeve të nxënësve, ku kishte pasur edhe persona të lënduar.

Ngjarja kishte ndodhur më 11 nëntor 2026, rreth orës 13:00, në rrugën „Mësuesit e viteve ’90“ në Gjilan, pas një mosmarrëveshjeje ndërmjet dy grupeve që kishte eskaluar në përleshje fizike. Gjatë incidentit dyshohej se ishin përdorur edhe mjete të mprehta, ndërsa disa persona kishin pësuar lëndime trupore.

Pas rastit, Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për të Mitur, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kishte ndaluar tre persona të mitur nën dyshimin për veprën penale „Tentim vrasje“. Prokuroria kishte ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe kishte paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.

Megjithatë, përtej dimensionit institucional dhe procedurave ligjore, pajtimi i sotëm ndërmjet familjeve përfaqëson një zhvillim me rëndësi të veçantë njerëzore dhe shoqërore. Ai dëshmon se edhe pas situatave të rënda, dialogu, ndërmjetësimi dhe vullneti për falje mund të hapin rrugë drejt tejkalimit të mosmarrëveshjeve.

Në një shoqëri ku konfliktet ndërmjet të rinjve shpesh mund të marrin përmasa shqetësuese, nisma të tilla kanë rëndësi të veçantë, sepse kontribuojnë në rikthimin e besimit ndërmjet familjeve dhe në krijimin e një ambienti më të sigurt për fëmijët dhe të rinjtë.

Ky akt pajtimi, i realizuar pikërisht në Ditën e Flamurit, përcjell edhe një mesazh simbolik: festat kombëtare nuk duhet të jenë vetëm momente kujtese dhe krenarie, por edhe raste për të dëshmuar vlerat më të larta njerëzore, si falja, solidariteti, respekti dhe bashkimi.

Po ashtu, është bërë e ditur se nga dita e martë nxënësit e lënduar pritet t’i rikthehen procesit të rregullt mësimor.

Pajtimi i gjashtë familjeve në Gjilan është një shembull se kur mbizotëron arsyeja dhe vullneti i mirë, edhe përplasjet më të rënda mund të tejkalohen përmes dialogut. Një dorë e shtrirë për pajtim vlen më shumë se një konflikt i vazhdueshëm, ndërsa e ardhmja e të rinjve ndërtohet mbi paqen, edukimin dhe mirëkuptimin./rajonipress/(foto Lumi Press).

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.