Eko Higjiena

Treshja kriminale pasurohet në kurrizin e qytetarëve

/ 8 minuta lexim
ARKATANA

Duke parë efikasitetin jashtëzakonisht të dobët të institucioneve të sistemit të drejtë- sisë në Kosovë, grumbullimin, por edhe në raste të shumta parashkrimin apo dështimin, mbase të qëllimshëm të rasteve të caktuara, njohësit e kësaj fushe theksojnë se shumë nga këto anomali po vijnë edhe si rezultat i pranisë së fenomenit tepër kriminal, funksionimit të shitjes e trafikimit të lëndëve në gjykatat kosovare, me ndërmjetësim të avokatëve të caktuar, disa prej tyre të lidhur ngushtë edhe publikisht, por të tjerë fshehurazi, me politikën dhe pushtetarët e inkriminuar.

Sipas njohësve të kësaj fushe, një rrezik serioz për drejtësi të pavarur dhe të palidhur me krimin e organizuar përbën funksionimi perfekt në dëm të klientëve të ndryshëm treshja avokat-gjyqtar-pala, që kjo e fundit vetëm paguan e që vjen ekskluzivisht me “rekomandim” nga politika e inkriminuar dhe mafio-oligarkët e inkriminuar. Mbetet shqetë- sues fakti se si roli i avokatit nuk është më gjithmonë në mbrojtje të klientit. Akoma më shqetësues mbetet fakti që deri më tani nuk ka as transparencë në Odën e Avokatëve, nuk raportohet se sa avokatëve deri sot iu janë shqiptuar masa adekuate disiplinore e ligjore, pikërisht për shkak se kanë bërë shitblerje të lëndëve të klientëve të tyre.

Edhe këshilltar kryeministri ose presidenti, edhe sekser

“Deri te kjo situatë ka ardhur, pasi treshja avokatgjyqtar-pala që paguan e që vjen ekskluzivisht me “rekomandim” nga politika e inkriminuar dhe mafio-oligarkët e inkriminuar”, tha Florim Zeqa për “Kosova Sot”

Analisti politik Florim Zeqa ka pohuar se roli i avokatit është për një zhvillim të një procesi gjyqësor të drejtë, të pavarur dhe të paanshëm përmes ndihmës juridike, si përfaqësues i interesave të ligjshme të individit.

Ai thotë se pavarësia e avokatit në një proces gjyqësor është fundamental për vënien e drejtësisë në bashkëpunim me gjyqësorin, prandaj edhe në Kodin e Etikës së Avokatit thuhet se ai duhet t’i shërbejë individit për dhënien drejtësisë dhe forcimit të shtetit ligjor, që për fatin e keq nuk po funksionon edhe në Kosovë. “Në asnjë rrethanë, roli i avokatit nuk duhet të jetë i shitblerësit apo shantazhuesit të drejtë- sisë, por i përfaqësimit profesional, dinjitoz dhe me përkushtim për palën që e përfaqëson. Mirëpo, në shtetin e Kosovës nuk po ndodh kështu, për shkak të mosfunksionimit të treshes avokat-gjyqtar-pala! E gjithë kjo për shkak të trafikimit të lëndëve në gjykatat kosovare, me ndërmjetësim të avokatëve të caktuar, disa prej tyre të lidhur ngushtë edhe publikisht, por të tjerë fshehurazi, me politikën dhe pushtetarët e inkriminuar”, potencoi ai. “Si pasojë e ndikimit të fuqishëm të politikë mbi sistemin e drejtësisë, avokatët përdoren si ndërmjetësues në blerjen e gjyqtarëve, ku disa prej tyre tani janë deklaruar publikisht se punojnë për këtë apo atë parti politike, për këtë ose atë lider politik. Nuk ka paradoks më të madh sesa ai i një avokati, që në njërën anë kryen funksionin e këshilltarit juridik të kryeministrit apo presidentit, ndërsa në tjetrën rolin e sekserit juridik. Viteve të fundit kemi pasur rastin të shohim edhe situata “komike”, ku paradite avokati shihej në zyrën e kryeministrit si këshilltar i lartë i tij, ndërsa pasdite të njëjtin avokat e shohim në seancë gjyqësore duke mbrojtur një ‘peshk të madh’ të krimit të organizuar në Kosovë”, potencoi Zeqa për “Kosova Sot”.

KURDISJE KRIMINALE E RASTEVE

Fundamenti

“Nëse i paguani avokatët shumë, ata nuk kërkojnë vetëm për ta, pjesën e kulaçit duhet ta ndajnë me aktorët e tjerë, në koalicion joparimor që janë ata. Qytetari paguan për të gjithë. Shqetësues janë gjyqtarët dhe hetuesit, të cilët për pangopësinë e tyre e gllabërojnë edhe buxhetin e shtetit, edhe qytetarin drejtpërdrejt, që do të thotë qytetarin dy herë”, tha ishkryetari i AKK-se, Hasan Preteni për “Kosova Sot”

Për këto lloj kurdisjesh kriminale të rasteve flet edhe ishkreu i Agjencisë kundër Korrupsion Hasan Preteni, duke iu referuar raportit kritik të Avokatit të Popullit për punën e gjykatave. “Para disa kohe, Avokati i Popullit, në raportin e tij, potencoi me theks të veçantë stërzgjaten e lëndëve nëpër gjykata, siguroi se kjo stërzgjatje ndodh me rastet ku aktorë janë qytetarët e thjeshtë,qytetarët që nuk kanë mundësi pagese shtesë, nuk kanë mundësi të angazhimit të avokatëve me nam, avokatët të cilët vetëm për caktimin e takimit kërkojnë shuma të veçanta. Nëse i paguani avokatët shumë, ata nuk kërkojnë vetëm për ta, pjesën e kulaçit duhet ta ndajnë me aktorët e tjerë, në koalicion joparimor që janë ata. Qytetari paguan për të gjithë, shqetësues janë gjyqtarët dhe hetuesit të cilët për pangopësinë e tyre e gllabërojnë edhe buxhetin e shtetit, edhe qytetarin drejtpërdrejt, që do të thotë qytetarin dy herë”, tha Preteni për “Kosova Sot”.

PAZARET QË DEKONSPIROJNË LËNDËT

Eksperti tjetër i fushës Naim Miftari thotë se zakonisht aty ku ka korrupsion, në organet e gjyqësisë, gjithnjë dalin edhe disa avokatë të implikuar në korrupsion, pasi ata shërbejnë si urë lidhëse në mes të të akuzuarve të fuqishëm dhe gjyqtarëve, prokurorëve dhe hetuesve. “Dhe, pasi bëhet pazari, atëherë gjyqtarët dhe prokurorët e dekonspirojnë lëndën dhe e mbushin me gabime të qëllimshme, ku pastaj faktet shpallen të pavlefshme dhe të skaduara. Zakonisht përfituesit janë politikanët e fuqishëm që kontrollojnë drejtësinë, por edhe janë dora vetë e krimit të organizuar”, u shpreh ai për “Kosova Sot”. Sipas tij, në këtë treshe kriminale të tregtisë me drejtësinë, e vetmja anë që nuk përfiton është ligji dhe qytetarët tanë, pasi çdo padrejtësi shkon në barrë mbi kurrizin e popullit të varfër dhe shpresë humbur. “Këshillat e gjykatave, odat e ashtuquajtura të avokatëve, janë vetëm maskime të krimit të organizuar, ku askush askujt deri më sot nuk i dha llogari për dështimin total të drejtësisë dhe të mbrojtjes juridike të të akuzuarve, Avokatëve të tyre, që disa janë shndërruar vetëm në sekserë të mafisë dhe politikës”, theksoi Miftari. Njohësi tjetër i kësaj fushe, Blerim Burjani thotë se gjyqtarët dhe prokurorët duhet të jenë të pavarur dhe me dinjitet, këto dy kategori personash duhet t’i shërbejnë rendit dhe ligjit , mirëqenies sociale dhe funksionimit normal të drejtësisë në shtet, por që shpesh nuk po funksionon kështu. “Involvimi në çfarëdo rasti në mes avokatëve dhe gjyqtarëve me qëllime për të dëmtuar rendin dhe ligjin paraqet vepër penale”, potencoi ai.

DREJTËSIA NË ANKAND

Edhe njohësi i fushës së të drejtës, Skënder Kapiti thotë se drejtësia në Kosovë ashtu, sikurse politika janë dhe funksionojnë si pazar, si biznes fitimprurës, si mallra ankandi ku përvetësues dhe pronar i të drejtave bëhen ata të cilët i cakton dhe i seleksionon politika, korrupsioni ,krimi dhe ai i cili paguan më shumë te pushteti, te politika, te gjyqtari dhe te prokurori.”Ligji, drejtësia, posti dhe detyra dhe gjithçka tjetër publike dhe shtetërore manipulohen, pra, manipulimi dhe pazarllëku e paraja veprojnë dhe e bëjnë ligjin me aprovimin kriminal të kamufluar, duke spekuluar rëndë me ligjin, me postet, me detyrat e privilegjin, të cilat ua japin atyre pushteti dhe politika”, u shpreh ai. “Edhe avokatia apo mbrojtja është palë dhe instrument në funksion të korrupsionit dhe të ryshfetit, është dhe luan rolin e ndërmjetësit apo të sekserit ndërmjet klientit të tij me gjyqtarin dhe prokurorin. Ndërsa te pushteti qendror dhe ai lokal veprojnë edhe atje sekserët besnikë dhe matrapazët. Institucionet e shtetit dhe të drejtësisë janë vetëm godina institucionale prej të cilave dalin formalizimet e vendimmarrjeve, por realisht vendimet paramerren jashtë tyre, nëpër lokale, nëpër resorte pushimi dhe dëfrimi, merren me anë porosish dhe telefonatash politike etj.”, potencoi Kapiti për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)