Fundamenti

Trepça ngadhënjen në turneun Bezi – Raci – Reshi

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Skuadra e futbollit Trepça, ka ngadhënjyer në turneun memorial Bezi- Raci-Reshi, që u mbajt të dielën në Gjilan në përkujtim të Selami Osmanit, Kemajl Halimit dhe Reshat Osmanit, të cilët vlerësohen kontribuues të mëdhenj për futbollin gjilanas e kosovar tha Besim Ismajli organizator i turneut.

Të dielën është mbajtur turneu memorial Bezi – Raci – Reshi, ku janë përkujtuar dhe nderuar vepra e tre njerëzve që dhanë shumë për futbollin gjilanas Selami Osmani – Bezi, Kemajl Halimi – Raci e Reshat Osmani – Reshi.

Kreu i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa ka vlerësuar me këtë rast iniciatorët për këtë turne duke thënë se me të po nderohen tre kolosë që kanë dhënë shumë nga vetja e tyre për sportin gjilanas, por edhe për krejt hapësirën e Kosovës, në veçanti për sportin e futbollit.

Mustafa tha se këta të tre që po përkujtohen përmes këtij turneu kanë dhënë një pjesë të jetës së tyre për sportin, duke kontribuar edhe materialisht, pa kursyer nga vetja e tyre, andaj shoqëria e ka për obligim t’i përkujtojë.

Mustafa tha se këta dhe të tjerë që dhanë shumë për sportin nuk duhet harruar, por duhet që tani të jemi të përkushtuar, të zhvillojmë sportin dhe të ngrisim cilësinë që të konkurrojmë edhe jashtë kufijve të Kosovës.

Kurse, Fadil Vokrri kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka thënë se ndihet i privilegjuar që është në këtë mes për të përkujtuar këto tri figura që kanë dhënë shumë për futbollin gjilanas dhe të Kosovës në përgjithësi.

Mobi Casa

Ai tha se Bezi, Raci e Reshi me vite të tëra kanë kontribuar për futbollin andaj ka vlerësuar këtë turne në përkujtim të tyre dhe ka kërkuar nga ekipet pjesëmarrëse lojëra të mira dhe fer play mu siç kanë qenë këta tre.

Turneun sipas shortit e hapi takimi Gjilani – Liria, ndeshja tjetër do të luhej mes Dritës e Trepçës. Përndryshe do të ketë edhe gjysmëfinale e finale, takime këto që do të zgjasin që të gjitha nga 45 minuta, ndërsa organizatori ka paraparë kupa për vendin e parë, dytë e tretë, për ekipin më fer play, lojtarin më të mirë dhe portierin më të mirë.

Përndryshe, kryetari i këshillit organizativ të turneut njëherësh nënkryetar i bordit të KF Drita, Besim Ismaili ka lexuar shkurtimisht historikun e Bezit, Racit e Reshit, duke i vlerësuar ata si tre njerëz që dhanë shumë për futbollin, pa e kursyer vetën e tyre.

“Vepra e këtyre figurave të ndritshme në futbollin gjilanas është e pavdekshme ka thënë Ismaili.

Sipas Ismajlit në këtë turne kanë marrë pjesë katër ekipe, Drita, Gjilani, Liria e Trepça.

Nga këto takime të zhvilluara Trepça ka dalur fituese./rajonipress/