Tregtia kriminale po helmon Kosovën
Ushqimet e dyshimta kanë vërshuar tregun, dy tonë mish të konfiskuar brenda javës.
Ekspertë të ekonomisë dhe deputetë të opozitës në Kuvendin e Kosovës kanë shfaqur brengën e tyre se si është kriminalizuar industria e ushqimit në Kosovë. Ata pyesin se çka po importohet nga mafio-oligarkët e mishit, qumështit, miellit që dyshohet se është kancerogjen etj., se sa po kërcënohet shëndeti i popullatës me produkte të rrezikshme dhe si janë kapur AVUK-u, Doganat dhe inspektoratet që duhet të zbatojnë ligjin. Pyetja e tyre është se a po e shkatërrojnë shëndetin e qytetarëve hipermarketet e mëdha, si ETC-ja e Ramiz Kelmendit, ish-zëvendëskryeministër, si dhe ” Viva Fresh”, me mish të prishur dhe janë bërë të pangopshëm me përfitime, duke rrezikuar rëndë shëndetin e qytetarëve me prodhime me afat të skaduar? Analistët habiten se si kompanisë ” Viva Fresh” iu zbrazën frigoriferët me 573 kg mish të prishur në Mitrovicë, ndërsa inspektorët komunalë gjeten në ambientet ku mbahet dhe prehet mishi në ETC një sasi prej 550 kg mishi i prishur, por masat ndëshkuese mungojnë. Gjithashtu njohësit e kësaj tematike theksojnë se që mbi një dekade edhe Devollët po e rrezikojnë shëndetin e qytetarëve me krunde të kafshëve nga Serbia si dhe me qumësht pluhur që dyshohet të jetë kancerogjen nga Ukraina, ndërkaq autoritetet përgjegjëse nuk denjojnë të marrin as edhe një veprim në zbatim të ligjit. Në këtë biznes qindra- milionësh, mafio-oligarkët e lidhur me pushtetin e inkriminuar dhe nëntokën kriminale vazhdojnë ta rrezikojnë shëndetin e qytetarëve, derisa Prokuroria do të injorojë veprat e tyre penale.
Shtohen konfiskimet e mishit të prishur Pas skandalit të mishit të importuar nga Belgjika, 12 vjet të vjetër, kanë pasuar konfiskime të mishit në Kosovë. Inspektorati Komunal ka konfiskuar afro 1 ton mish dhe nënprodukte të mishit në Ferizaj. Kryetari i Komunës, Agim Aliu, ka kërkuar që të rritet kontrolli dhe kushtet higjeno-sanitare në subjektet afariste që operojnë në territorin e Ferizajt. “Sot, Inspektorati Komunal me inspektorët e veterinarisë, sanitarisë dhe të tregut kanë zhvilluar një aksion të gjerë në disa subjekte afariste për kontroll sanitar të produkteve, me ç’rast kanë hasur në produkte dhe nënprodukte të mishit të skaduar, të prishur dhe të dëmtuar”, thuhet në njoftimin për medie. “Me këtë rast, inspektorët komunalë kanë konfiskuar një sasi prej afro 1 ton mish, nënprodukte të tij dhe produkte të tjera shtazore, të cilat janë konstatuar si të prishura, dëmtuara dhe skaduara. Inspektorët komunalë kanë proceduar këtë aksion duke bërë menjëherë asgjësimin e kësaj sasie produktesh dhe për të njëjtat, bazuar në ligjet në fuqi, do të iniciohet procedurë pranë organeve gjyqësore”. Ky aksion, sipas njoftimit, do të vazhdohet dhe zgjerohet edhe ditëve në vijim. Ndërkaq, konfiskime të mishit ka pasur edhe në komuna të tjera. Pardje gjatë ditës janë konfiskuar dhe asgjë- suar e 1.1 toni mish të prishur në marketet “Viva Fresh” dhe ETC në Mitrovicë.
“Zakonisht, më të rrezikuarit nga mishi i prishur dhe produktet e tjera me afat të skaduar janë shtresat më të varfra dhe të nëpërkëmbura të shoqërisë kosovare, të cilëve asnjëherë nuk u bie ndërmend të mendojnë për cilësinë duke numëruar centët e fundit në xhepat e tyre”, theksoi Florim Zeqa për “Kosova Sot”
“Paramendoni, në top marketet kosovare gjinden qindra- mijëra produkte pa afat edhe ato ende nuk janë mbyllur, nuk janë pezulluar, vazhdojnë të helmojnë çdo qytetar, dhe kjo nuk ndodh askund në botë, kjo është një lloj lufte, këta biznesmenë profiterë rolin dhe qëllimin e paskan për ta helmuar këtë popull, pra ajo çka dua të them është se nuk duhet të heshtet dhe boll më”, tha Lulzim Beqiri për “Kosova Sot”
“Ata nuk janë në nivel të detyrës dhe ndonëse është agjenci e pavarur,AUVK-u asnjëherë nuk është marrë me ata.Sepse si agjenci në shërbim të të gjitha kompanive të mëdha,duke filluar nga ‘Viva Freshi’, ETC-ja dhe kompanive të tjera që importojnë produkte nga Serbia dhe që janë të lidhura kryekëput më politikën dhe kryesisht importojnë produkte nga Serbia”,tha Salih Salihu për “Kosova Sot”
Të rrezikuar nga të gjitha anët
Analisti Florim Zeqa tha për ‘Kosova Sot” se lirisht mund të thuhet se në këto 30 vjetët e fundit asnjëherë nuk ka qenë më i rrezikuar shëndeti i popullatës kosovare shkaku i importimit të produkteve ushqimore me afat të skaduar, në radhë të parë nga Serbia, Ukraina dhe disa nga shtetet e Bashkimit Evropian. “Dominimi i produkteve të huaja në tregun kosovar ka bërë që të mos ketë siguri në ushqimet që konsumojmë. Oligarkët ekonomikë, përveç importimit të miellit dhe qumështit pluhur kancerogjen, shëndetin e qytetarëve janë duke e rrezikuar akoma më shumë përmes mishit me afat të skaduar, madje dhe të prishur tërësisht”, u shpreh ai. Ai pyet se pse po e shkatërrojnë shëndetin e qytetarëve, hipermarketet e mëdha, si ETC e Ramiz Kelmendit, ish-zv.kryeminister, dhenë anën tjetër ka mbi një dekadë që edhe Devollët po e rrezikojnë shëndetin e qytetarëve me krunde të kafshëve nga Serbia, si dhe me qumësht pluhur kancerogjen nga Ukraina, ndërkaq autoritetet përgjegjëse në këtë vend nuk denjojnë të marrin as edhe një veprim në zbatim të ligjit kundër tyre. “Edhe pse inspektorët në hipermarketet ETC dhe ‘Viva Fresh’ kanë gjetur sasi të mëdha të mishit të prishur, nuk e kanë pasur guximin të shkojnë tutje me mbylljen e tyre qoftë edhe për një kohë të caktuar si masë ndëshkimore për rrezikim të shëndetit të qytetarëve”, potencoi ai. Analisti Zeqa thotë se të gjitha produktet ushqimore me afat të skaduar kalojnë pa asnjë pengesë nëpër doganat tona, ndërsa AVUK-u i kapur nga mafio-oligarkët mbyll sytë para skandaleve të bëra publike nëpër hipermarketet e sipërpërmendura. “Qeveria, përkatësisht ministritë përkatëse as që qajnë kokën për shëndetin e qytetarëve, pasi familjet e drejtuesve të dikastereve të sipërpërmendura konsumojnë mish të freskët dhe cilësor pa i pasur frikën helmimit nga mishi i prishur”, ka vlerësuar Zeqa.
200 sëmundje nga ushqimi i pasigurt
Analisti i ekonomisë, Lulzim Beqiri tha për “Kosova Sot” se sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ushqimi i pasigurt mund të përmbajë baktere, viruse, parazitë apo substanca kimike të dëmshme dhe shkakton më shumë se 200 sëmundje që sillen prej diarresë deri tek kanceret. “Shembujt e ushqimit të pasigurt përfshijnë ushqimet me origjinë shtazore të ziera jomjaftueshëm, frutat dhe perimet e kontaminuara me feces dhe butakët që përmbajnë biotoksine detare”, u shpreh ai. “Duke u nisur nga fakti i pasigurisë në ushqim në Republikën e Kosovës dhe moskujdesit të vazhdueshëm nga ana e institucioneve vendore ka bërë që konsumatori kosovar të rrezikohet, jo pak herë. Kemi lexuar dhe raportuar edhe nga” Kosova Sot” për raste të skadencës së ushqimit dhe ende nuk kemi ndonjë informatë konkrete se çka ka ndodhur me ata kriminelë që janë duke e rrezikuar jetën e qytetarëve”, theksoi më tutje analisti Beqiri. “Në vendet normale demokratike ose gjysmëdemokratike shkon qeveria për një skandal të tillë, madje aq larg shkon sa edhe ndiqen penalisht të gjithë zinxhirët e përgjegjësisë”, ka thënë ai. “Pse paguhen gjithë ato agjenci për kontroll të tregut e të cilësisë, më e pakta është që agjencia për kujdesin në ushqim të shkarkohet e tëra dhe të fillohet një formë tjetër e kontrollit të cilësisë”, propozoi Beqiri.
Shkatërrimi i shëndetit dhe konkurrencës
Analisti Mustafë Kadriaj për ” Kosova Sot” tha se hipermarketet që nga pas lufta me veprimtaritë e tyre afariste kanë shkelur parimet e ekonomisë së tregut njëherësh duke bërë veprimtari antiligjore si ndaj konkurrencës dhe konsumatorit. “Po këto hipermarkete kanë shkatërruar konkurrencën e lirë, duke i hapur çdo pikë në çdo lagje të Prishtinës dhe në çdo qytet të Kosovës si rezultat janë mbyllur shumë markete me kapacitete të vogla për shkaqe nuk kanë mundur të përballojnë konkurrencën nga këto hipermarkete”, vlerësoi ai. “Po ashtu, këto hipermarkete kanë shitur produkte me afat të skaduar për faktin që duke i vazhduar afatet disa herë dhe më e rënda në produkte të mishit zakonisht produktet e importuar dhe që një pjesë e këtyre hipermarketeve janë përfaqësues të produkteve të mishit dhe të ngjashme”, vijoi më tutje Kadriaj. “Këto hipermarkete janë sjellë mbi ligjin për dy arsye: së pari, shumica e këtyre hipermarketeve janë të njerëzve të pushtetit dhe të lidhur me ta po ashtu edhe duke i korruptuar të gjitha institucionet, si ATK-ja, Doganën e Kosovës, Inspektoratin e Punës, po ashtu edhe Inspektoratin ushqimor për faktin sepse po të vepronin këto institucione sipas ligjit këto kompani do të meritonin gjoba, por si rezultat i institucioneve të korruptuara këto biznese notojnë në këto ujëra dhe rriten çdo ditë”, ka thënë ai. Sipas tij, këto biznese me rastin e produkteve kanë bërë shkelje të dyfishtë, duke ofertuar produkte të rrezikshme për shëndetin e qytetarit po ashtu duke manipuluar me çmime, sepse vazhdimisht konsumatorët janë ankuar që tjetër çmim ka pasur produkti në ekspozim tjetër kur është paguar tek arka. Deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Sali Salihu tha për “Kosova Sot” se një grup i deputetëve e kanë iniciuar që në Kuvendin e Kosovës të bëhet një debat rreth cilësisë së ushqimit që konsumohet në Kosovë, sepse jemi bërë poligon i produkteve edhe nga aspekti i cilësisë dhe sigurisë ushqimore . “Kjo për shkak se vendet fqinje dhe më larg në Kosovë mungon kontrolli i cilësisë në kufijtë tanë nga ana e AUVK-ut dhe Doganave, por përgjegjësia kryesore bie mbi AUVKun që janë të obliguar ta kontrollojnë çdo mall që futet në Kosovë, sidomos kur është në pyetje ushqimi që prek çdo familje, fëmijë apo të moshuar”, potencoi ai. Deputeti opozitar Salihi tha se roli i AUVK-ut është më i rëndësishëm sesa roli i AKI-së, sepse përmes AUVK-ut kontrollohet ushqimi që po futet në Kosovë dhe që është në çdo tavolinë.


