RCCOLA

Tregimi tjetër

/ 6 minuta lexim

Në gjithë telashet e privatizimit ka edhe tregime suksesi. Ndërmarrjet e industrisë së rëndë vlerësohet se kanë treguar goxha sukses pasi kanë kaluar në duar të privatëve – qoftë përmes shitjes, qoftë përmes komercializimit. Të tilla konsiderohen Aeroporti, SharrCemi, Ferronikeli, por edhe shumë ndërmarrje tjera.

Godina e terminalit të ri të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari” ka nisur të marrë formë. Për pak vite këtu pritet të investohen mbi 100 milionë euro. Përveç kësaj buxheti i shtetit do të fitojë çdo vit dhjetëra miliona euro nga përqindja e fitimit që realizon koncesionari Limak-Lion dhe do të punësohen qindra kosovarë.

Dhënia me qira e kësaj ndërmarrjeje është vlerësuar si veprimi më i suksesshëm që është bërë nga institucionet e vendit me ndërmarrjet që janë në menaxhim të shtetit.

Madje është njëra ndër veprat me të cilat zyrtarët e institucioneve shpesh në medie thonë se Kosova do të ketë një aeroport modern, pasqyrë për të gjithë që e vizitojnë vendin.

Por, nuk është ky i vetmi projekt për të cilin flitet mirë.

Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit thonë se mund të cilësohen si të suksesshme edhe shumë ndërmarrje që kanë dalë nga procesi i privatizimit.

Pavarësisht telasheve dhe kritikave me të cilat është përcjellë privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore në vend, ndërmarrjet në fushën e industrisë së rëndë thuhet se kanë treguar goxha sukses.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se ndërmarrjet e kësaj industrie kanë njëfarë lloj suksesi duke pas parasysh se kanë arrit ta vazhdojnë aktivitetin e para privatizimit, i kanë ruajtur vendet e mëhershme të punës dhe kanë krijuar vende të reja pune.

“Në vendet ku veprojnë kanë ngjall aktivitetin ekonomik”, thekson Rukiqi.

Sipas tij, me gjithë problemet në procedura, kanë treguar sukses ndërmarrjet si Ferronikeli, Sharr Cemi, Birra e Pejës e tash edhe Llamkosi.

Për Rukiqin, kapacitete e këtyre ndërmarrjeve janë edhe më të mëdha se që po shfrytëzohen aktualisht. Për këtë edhe i porositë që të rrisin investimet për të qenë më konkurrent dhe të mos presin që shteti të kujdeset për aktivitetet e tyre vazhdimisht.

“Duhet të jenë pro aktive, që të rrisin investimet dhe të mos ndalen vetëm me ato që kanë qenë të parapara me kontratë”, thotë Rukiqi.

Në ndërmarrjen për prodhimin e çimentos Sharr Cem, e cila tashmë është shitur dhe menaxhohet nga kompania Titan Group premtojnë se do të bëjnë investime të vazhdueshme duke tejkaluar obligimet që i kanë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit me kontratën e shit-blerjes.

Fidanishtja

“SharrCem ka përmbushur 100 për qind të kushteve të kontratës me Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Në shumë raste edhe ka tejkaluar këto kushte, si p.sh në rastin e punësimit dhe investimeve”, thonë në zyrën për informim të kësaj ndërmarrje.

Sa i takon pjesë së investimeve, kompania ka përpiluar planin investiv i cili ka se paku 4 projekte kapitale të cilat do të ngrehin vlerën e investimeve në më shumë se 90 milion euro, të cilat janë të domosdoshme për të ngritur fabrikën në nivel konkurrues me fabrikat tjera të rajonit.

Qeveria tanimë i ka projektet konkrete për këto investime, siç janë: hapja e minierës për lëndën e parë,për shfrytëzimin e linjitit dhe transformimin për shfrytëzim të nevojave në industri, e cila do të ndihmojë edhe industritë tjera, projekti i shfrytëzimit të mbetjeve industriale, si dhe projekti i gjenerimit të energjisë nga mbeturinat.

“Duhet theksuar se në kohën kur Kosova është duke kërkuar aq shumë investitorë të huaj, humbja e një rasti të tillë do të ishte një sinjal jo shumë pozitiv drejtë komunitetit të investitorëve”, thonë në Sharr Cem.

Në bazë të kontratës AKP-ja e ka në monitorim deri në vitin 2015 dhe njëri ndër kushtet është vazhdimi i kontratave dhe mbajtja në punë e punëtorëve që kanë qenë të punësuar para privatizimit.

Edhe këtë kusht thonë se e kanë tejkaluar dhe vazhdon të investojë në ngritjen e kapaciteteve të shumë punëtorëve duke i mbështetur financiarisht në studime dhe ngritje profesionale.

Përveç kësaj thonë se i kanë investuar mbi 8 milionë euro në pajisje për mbrojtjen e ambientit të cilat kanë hyrë në funksion në fillim të vitit.

Edhe në AKP shprehen të kënaqur me angazhimin e disa ndërmarrjeve për përmbushjen e kushteve të kontratës për investime dhe numër të punëtorëve.

Zëdhënësi i AKP’së Ylli Kaloshi, tregon se AKP ka trashëguar nga Agjencia e mëparshme 25 ndërmarrje të privatizuara me spin-off special. Numri më i madh i tyre tashmë janë liruar nga monitorimi dhe raportimi në AKP si rezultat i përmbushjes së zotimeve sipas marrëveshjes kontraktuese. Ndërkaq, thotë se gjatë mandatit të saj AKP ka privatizuar me kushte 6 ndërmarrje, të cilat janë nën monitorim të Agjencisë (Amortizatorët, Dubrava, Famipa, Llamkos, Sharr Cem, Remonti Servisi).

Përveç kësaj, Kaloshi pohon se gjithsej 18 ndërmarrje janë dhënë me koncesion të cilat me fjalë të tjera njihen si Ndërmarrjet e Komercializuara.

“Në përgjithësi ky program është treguar të jetë i suksesshëm vetëm në disa raste ku ka krijuar të hyra nga pagesat e qirasë, ka ofruar punësim për punëmarrësit e NSH-ve, ka ngritur përvojën dhe njohurinë e punëmarrësve të disa ndërmarrjeve për punë dhe mbi ta gjitha ka ruajtur dhe madje edhe ngritur vlerën e aseteve duke bërë investimet e duhura”, thotë Kaloshi.

Megjithatë në raste tjera NSH-të e komercializuara sipas zyrtarëve të AKP-së nuk kanë arritur rezultatet e pritura dhe kanë pësuar dëme të konsiderueshme në asetet dhe biznesin e tyre.(express)