Uji Dea

Tre në gjendje të rëndë, me A/H1N1

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Tre persona të prekur me gripin e derrave (A/H1N1) janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Ata po mjekohen në Klinikën Infektive. Sipas drejtorit Shemsedin Dreshaj, në këtë klinikë janë duke u trajtuar gjithsej pesë pacientë. Ai thotë se gjithçka që nevojitet për luftimin e këtij gripi i posedojnë në QKU`.

Virusi A/H1N1, i njohur si gripi i derrave, vazhdon të jetë prezent në Kosovë. Në Klinikën Infektive të QKUK-së janë të shtrirë pesë pacientë me këtë virus, ndërsa tre prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Mjekët kanë bërë të ditur se në Kosovë deri tani janë regjistruar 52 raste të prekura nga virusi A/H1N1, por sigurojnë se nuk do të ketë ndonjë përhapje të kësaj epidemie, duke thënë se janë marrë të gjitha masat e duhura.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive në QKUK, prof.dr. Shemsedin Dreshaj ka deklaruar për Kosovapress se pacientët që kërkojnë ndihmë në këtë klinikë trajtohen në mënyrë dinjitoze dhe nuk u mungon asgjë. Mirëpo, ai ka shtuar se nga ky virus po vuajnë edhe vendet tjera të rajonit, por, sipas tij, po bëhen përpjekje maksimale që këto raste të mbahen të izoluara dhe të mos shpërndahet ndonjë epidemi.

“Këtë vit kemi disa raste të rënda. Momentalisht në Klinikën Infektive janë të shtruar 5 pacientë. Njëri prej tyre është i dyshimtë, por ende nuk e kemi të konfirmuar dhe prej tyre tre janë në gjendje të rëndë shëndetësore”, ka thënë ai. Për dallim nga klinikat tjera të QKUK-së, të cilat po e vuajnë mungesën e barnave, prof. Dreshaj sqaron se barnat për trajtimin e pacientëve që janë të prekur nga virusi A/H1N1, e që quhet “Tamiflu”, i kanë të siguruara, jo pse Ministria e Shëndetësisë i ka siguruar, por u kanë tepruar nga epidemia e mëhershme.

KKVITI

“Shumicën e barnave neve i kemi, mendoj prej barnave tjera që përdoren si terapi mbështetëse të të sëmurëve. Ndërsa barin kryesor, i cili përdoret për trajtimin e tyre, që është ‘Tamiflu’, e kemi në sasi të mjaftueshme nga epidemia paraprake”, ka thënë ai. Rastet që kanë kërkuar ndihmë në Klinikën e Infektives, sipas Dreshajt, i takojnë të gjithë regjionit të Kosovës dhe janë të moshës rreth 50 vjeçare, e të cilët vuajnë edhe nga sëmundje tjera kronike.

Ndërsa, Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, ka bërë të ditur për Kosovapress se janë marrë të gjitha masat preventive kundër gripit A/H1N1, duke vaksinuar mbi 100 mijë qytetarë të Kosovës. “IKSHP-ja që nga muaj shtator i vitit të kaluar ka ndërmarrë të gjitha masat që virusi A/H1N1, i njohur si gripi i derrave, të mbahet nën kontroll. Kemi bërë vaksinimin e mbi 100 mijë qytetarëve me vaksina kundër gripit dhe kemi zhvilluar disa fushata vetëdijësuese. IKSHP siguron qytetarët e Kosovës se nga ky virus nuk mund të pritet ndonjë epidemi, përveçse të ndonjë rasti të izoluar. Deri më tani janë regjistruar 52 raste dhe të gjitha janë nën kontroll”, ka thënë Ramadani.

Ndryshe, një femër 37-vjeçare nga Prishtina, e cila ishte diagnostifikuar me virusin A/ H1N1, ka vdekur para dy jave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ajo nuk mbijetoi pavarësisht se po trajtohej me “Tamiflu” dhe barna të tjera kundër këtij gripi. 37-vjeçarja ishte viktima e parë që vdes nga ky grip në Kosovë, pas një periudhe rreth dyvjeçare.

Gripi vdekjeprurës u paraqit në Kosovë në vitin 2009 duke marrë një jetë, kurse rasti i fundit ishte shënuar në vitin 2011. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, prej vitit prillit të vitit 2009 e deri në gusht të vitit 2010, në mbarë botën AH1N1, që shkurt njihet edhe si gripi i derrit, u mori jetën gjithsej 18 mijë e 500 njerëzve. Gripi i ashtuquajtur i derrit (Swine Flu) është një sëmundje që atakon sistemin respirator dhe e shkakton virusi i tipit A (H1N1) që origjinën e ka nga derrat. Gripi H1N1 ka simptomat e ngjashme me gripin e zakonshëm. Përzierje, vjellje dhe diarre janë të zakonshme. Gripi H1N1 duket që zhvillohet në mot shumë më të ngrohtë sesa në mot zakonisht të ftohët në të cilin gripi i zakonshëm lulëzon.(express)