RCCOLA

Trajnohen nxënësit për sigurinë në komunikacionin rrugor

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Në shkollën e mesme teknike “Mehmet Isai” në Gjilan, në drejtimin e komunikacionit, janë duke u mbajtur trajnimet për sigurinë në komunikacionin rrugor. Financues i këtij projekti është Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Arsimit, komitetin për komunitete, Policinë e Kosovës, njësiti i trafikut, OSBE, ndërsa përfitues do të jenë nxënësit e këtij drejtimi. Kjo është hera e parë në mesin e Komunave të Kosovës që në një shkollë të mesme nis së realizuari një projekt shumë me rëndësi i kësaj natyre.

Kryesuesi i Komitetit për Komunitete Kemajl Shahin iniciues i projektit, ka sqaruar në detaje projektin duke thënë se një mbështetje e fuqishme është dhënë nga ana e Komunës që njeherit është edhe sponzorizuese e projektit, për t’u ndihmuar këtyre nxënësve dhe për t’a ndihmuar rendin dhe rregullin në komunikacion.

Ai tha se prezenca e nxënësve në aktivitet ditor në terren të shoqëruar nga një ekip e policisë do të jetë nga data 1 qershor deri më 10 shtator 2013 kur edhe do të përfundoj ky projekt për këtë vit me mundësin e vazhdimit për secilin vit pasues. “Qëllimi ka qenë që në kohën kur fluksi i qytetarëve dhe i veturave është më i shtuar, gjatë verës dhe ardhjes së bashkatdhetarëve të jenë të përgatitur të gjithë për të tejkaluar këto vështirësi të qarkullimit sa më të shpejt dhe të sigurt. Do të jetë e mundur që numër më i madh i udhëkryqeve të kontrollohet nga personat zyrtar”, ka përfunduar ai.

UBT

Projekti, “Siguria në Komunikacionin Rrugor” ka nisur në muajin mars ndërsa do të zgjas deri në muajin shtator. Nga Policët e stacionit Policor të Komunës së Gjilanit nxënësit kanë marrë njohuri teorike në klasat e tyre për një periudhë dy javore e më pas një gjë e tillë ka nisur së praktikuari edhe në udhëkryqet kryesore të qendrës së qytetit. Trajnimi është bërë për të parë nga afër nxënësit e këtij drejtimi se cila është e vërteta në komunikacion, çfarë situata mund të paraqiten gjatë lëvizjes së këmbësorëve dhe automjeteve, cili është roli i shenjave, i semaforëve, por edhe i personit zyrtar (policit), në drejtimin dhe qarkullimin e lirshëm në komunikacion. Policët të cilët kanë qenë ligjërues dhe mbikëqyrës në teorinë dhe praktikën e këtyre nxënësve janë jashtëzakonisht të kënaqur me angazhimin e nxënësve por edhe me rezultatet dhe seriozitetin që ata kanë treguar në praktikë.

Projekti si qëllim, pos trajnimit të nxënësve ka edhe parandalimin e parregullsive në komunikacion gjatë sezoneve me shtim të frekuentimit në komunikacionin rrugorë, shtimin e imazhit dhe përforcimin e besimit për të rinjtë, bashkërendimin e aktiviteteve ndër – institucionale për rend dhe siguri në bashkësi.

Projekti në tërësi kap një shumë prej mbi 2300 euro, ndërsa gjatë praktikës do të hiqet nga një shujtë ditore për personat e përfshirë në këtë projekt. Vlen të theksohet se trajnimet mbahen vetëm ditëve të punës, por pa i penguar nxënësit në mësimet e tyre të rregullta që kanë me orar të shkollës. /rajonipress/