Tragjedi në Gjilan: 28-vjeçari ndërron jetë pas aksidentit, shoferi i veturës ishte i mitur
Gjilan – Ka përfunduar me fatalitet aksidenti i rëndë i trafikut që ndodhi më 31 korrik në fshatin Shurdhan të Gjilanit. Pas më shumë se një jave në gjendje të rëndë në QKUK, ka ndërruar jetë Fatbardh Islami, 28-vjeçar, i cili drejtonte një motoçikletë.
Në aksident ishin përfshirë një Mercedes-Benz, i drejtuar nga një 16-vjeçar, dhe motoçikleta Suzuki pa targa. Dyshohet se aksidenti ka ndodhur gjatë një kthimi të pasigurt majtas.
Islami fillimisht u trajtua në Spitalin e Gjilanit, ndërsa më pas u transferua në QKUK për shkak të gjendjes së rëndë. Ai ndërroi jetë mëngjesin e sotëm, rreth orës 08:05.
Me rastin është njoftuar Prokuroria për të Mitur, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Rasti është duke u hetuar si aksident trafiku me fatalitet, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësisë lidhur me aksidentin./rajonipress/


