“Toka e shpirtrave të trazuar”, shfaqje ku gërshetohen teksti poetik, imazhet, skenografia, mizanskena dhe koreografia

Gjilan – Në mbrëmjen e tretë të Festivalit të Dramës Shqipe “Talia e Flakës”, i cili mbahet në kuadër të Manifestimit Shumëkulturor “Flaka e Janarit” para artdashësve gjilanas është dhënë shfaqja “Toka e Shpirtrave të Trazuar” me autore Shqipe Malushi dhe në regji të Zana Hoxhës.

Si rëndon në këtë festival, publiku që ka mbushur sallën përplot e ku të pranishme ishin edhe ministret Albulena Haxhiu dhe Arbërie Nagavci, që ishin mysafire të kryetarit të komunës Alban Hyseni, patën rastin të shohin një shfaqje të realizuar me mjeshtri, shfaqje që në fakt ishte një performancë e bazuar në poezitë e Shqipe Malushit, të cilat evokojnë kujtimet tona kolektive për mungesën e paqes dhe përballjen me luftën dhe konfliktin si një gjendje konstante për shoqërinë kosovare ndër shekuj e në veçanti ndikimin e saj në traumat tona ndër gjenerata.

E shtrirë në një format unik eksperimental në shqip dhe anglisht, performanca e regjisores Zana Hoxha krijoi një sinergji multidisiplinare përmes poezive imazhiste të Malushit, koreografisë bashkëkohore teatrore të Robert Nuhës dhe dramaturgji të Shpëtim Selmanit, muzikës eksperimentale me elemente burimore dhe këndimit, si dhe video projeksioneve që krijojnë një narrativë të re të bazuar mbi kujtesën tonë kolektive.

“Toka e Shpirtrave të Trazuar” përmes akteve kronologjike përshkruan njërën ndër etapat më të rëndësishme të kosovarëve drejt asaj që e kishin ëndërruar ndër shekuj, lirisë. Në këtë shfaqje dramaturgjinë e ka bërë Shpëtim Selmani, koreograf ishte Robert Nuha, kurse në role me mjeshtëri ishin mishëruar aktorët Donikë Ahmeti, Kushtrim Qerimi, Qendresa Kajtazi, Mikel Markaj, Zhaneta Xhemajli, Kaltrinë Zeneli, Edlir Gashi. Në shfaqje kërcimtarë ishin Altina Binaku, Qendrim Makolli, Erëza Grajqevci, Patriot Osmani, soliste Donika Rushiti, Shaban Behramaj, Urta Haziraj, Etrit Nura, kostumograf ishte Arbnor Brahimi, videoprojeksionet skenike i bëri Florian Canga, asistente dhe organizatore Elira Lluka, skenografia Arben Shala, tonist: Arben Aliu, ndriçimi: Sherif Sahiti dhe Mursel Bekteshi, mjeshtër skene: Aziz Maloku, Flora Hasani, grimere Myrvete Tahiri dhe Flora Hasani.

Si rëndom në këtë festival, pas shfaqjes është bërë debat me publikun, por edhe me ekspertët e dramaturgjisë, ku kanë folur Josif Papagjoni, dramaturg, Zana Hoxha, regjisore dhe Trinë Hoti, sociologe.

Josif Papagjoni, dramaturg nga Shqipëria, ka theksuar se në skenat tona rrallë shihen shfaqje që dalin jashtë standardit klasik e një e tillë ishte shfaqja që është dhënë në Gjilan, e cila ka një qasje realiste, shfaqje me një logo tjetër, që në fakt në të pati një trup poetik, ku regjia ka lënë shumë mbresa.

“Në këtë shfaqje gërshetohen të bukurit e tekstit, imazhet, skenografia, mizanskena dhe koreografia”, tha Papagjoni, që e cilësoi shfaqjen si një metaforë teatrore, të atillë si një lloj magjie.

Zana Hoxha, regjisore, e cila tha se këtë shfaqje ia ka dedikuar personave të zhdukur, ajo është bërë asisoj që t’i paraqitet publikut anekënd Evropës, kurse një pjesë e madhe është kthyer në gjuhën shqipe enkas për festivalin. Ajo ka thënë se shfaqjen e ka ndërtuar që të ruajë fuqinë e poezisë dhe është ndarë shumë e kënaqur se si atë e ka pritur publiku.

Tringë Hoti, sociologe, ka thënë se në këtë shfaqje paraqiten vende të caktuara të kujtesës dhe se kjo shfaqje jep një mesazh për të dhënë më shumë histori personale, ngase në Kosovë nuk kemi memorie të institucionalizuar. Ajo tha se shfaqja komunikon edhe me gjeneratat e reja, të cilat duhet të njihen me të kaluarën tonë jo fort të largët.

Duke debatuar rreth shfaqjes, Gani Neziri, ka kërkuar që më tepër duhet të ishte i pranishëm faktori vendorë, duke vlerësuar si një ndër faktorët kyç luftën tonë të armatosur. Hysen Kqiku, shkrimtar, tha se shfaqja pati fuqinë e saj, skenën e vlerësoi madhështore e aktorët në harmoni të plotë. Vedat Xhumshiti, tha se regjisorja me mjeshtërinë e saj përmes shfaqjes arriti të paraqes të kaluarën dhe të tashmen në Kosovë, derisa rreth shfaqjes folën edhe Njomëza Arifi, Ejona Neziri, Mehmetali Arifi, Migjen Salihu e Avni Rudaku, që përgjithësisht e kanë vlerësuar shfaqjen të arrirë dhe të atillë që i bënë nder këtij festivali.

Në mbrëmjen e radhës, të katërtën me radhë, do të jepet shfaqja “Burrnesha”, të Multimedia nga Prishtina.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS