Tjetër gol nga Azemi
Paderborni i Alban Mehës ka siguruar inkuadrimin në Bundesligën gjermane pas fitores 2:1 ndaj Aalenit, teksa në barazh ka shkuar Greuther Furthi i Mërgim Mavrajt dhe Ilir Azemit. Ky i fundit shënoi gol në fitoren 2:0 ndaj Sandhausenit.
Paderborni është skuadra e dytë nga Bundesliga 2 që ka siguruar inkuadrimin direkt në Bundesligë. Skuadra e Alban Mehës ka arritur të triumfojë 2:1 ndaj Aalenit për t’iu bashkuar Kolnit në inkuadrimin direkt.
Meha luajti 90 minuta në këtë fitore të skuadrës së tij, por kësaj here nuk arriti të shënojë.
E, golin edhe këtë fundjavë e ka gjetur anëtari i Përfaqësueses së Kosovës, Ilir Azemi.
Ky i fundit shënoi në fitoren 2:0 të Greuther Furthit ndaj Sandhausen, por përkundër këtij triumfi, Furthit i mbetet të luajë në barazh për ta siguruar inkuadrimin në Bundesligë.
Azemi e shënoi golin e parë të skuadrës së tij në minutën e 52-të të sfidës, teksa edhe ai edhe Mërgim Mavraj luajtën 90 minuta në këtë ndeshje.
Kësisoj, Furthi do të luajë ndaj Hamburgut në përballjen e barazhit për të siguruar inkuadrimin në Bundesligë.
Gol këtë fundjavë në Bundesliga 2 ka shënuar edhe Edmond Kapllani në fitoren 2:0 të Frankfurtit ndaj Kolnit.


