Mobi Casa

Tirons apo malok ?

/ 7 minuta lexim
KKVITI

Shkruan: Borana Shala-«Malokët duhet t`i djegim të gjallë ».Kjo është një shprehje që hasa në një faqe interneti teksa po lundroja për të kërkuar disa diskutime të shqiptarëve mbi faktin e të qenit toskë apo gegë.

Jam e sigurt që personi që e ka shkruar do të kishte qenë më besnik se Goebbels (krahu i djathtë i Hitlerit) ndaj Führer (Adolf Hitler).

Me duket një shprehje e pastër fashiste apo një doktrine që do i shkonte për shtat një plani anti-human nazist. Nuk e di nëse më vjen keq më shumë kur shoh shprehje të tilla që ofendojnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë shqiptare, apo më vjen keq më shumë nga injoranca që e ka pushtuar një pjesë të këtij populli të shkretë.

Unë, si një ‘’cuce malesh’’ , kam hasur në situata dhe diskutime të pakëndshme mbi këtë dukuri gjatë qëndrimit tim në Tiranë për rreth 7-8 muaj për disa praktika mësimore.

Shoqëria shqiptare më duket si një shoqëri imperialiste që e ndan popullsinë në shtresa të një piramide ku ajo në krye është më superiore se të tjerat. Dhe siç mund ta keni vënë re edhe ju, shtresa në krye ju takon « tironsve ».
Akoma nuk e kam kuptuar arsyen përse. Gjithmonë i them një shoku me origjinë korçare që edhe gjyshërit i kanë lindur në Tiranë,se është më mirë të prezantohet si korçar sesa si tirons.

Kur në Korçë bëheshin karnavalet,në Tiranë vajzat dilnin me perçe e dimi(çitjane) .Ne e dimë shumë mirë që Tirana është bërë kryeqytet në 1920 dhe mesa di unë Shqipëria është shumë më e vjetër se kaq.

Atëherë,më thoni të dashur tirons se ku është krenaria, ose më mirë superioriteti i të qenit Tirons ,se gjer më sot nuk e kam kuptuar. Neqoftëse do doja t`i prezantoja Shqipërinë një turisti të huaj, me patjetër nuk do e çoja në Tiranë, Shqipëria ka vende të tjera për tu krenuar për bukuritë,antikitetin dhe historinë e saj.

Ah po, për të festuar është shumë mirë Tirana. Ndoshta, Blloku ju bënë krenar. Kaq pak keni për tu krenuar ?!Sa herë kthehem në Shqipëri dhe takoj shoqërinë e vjetër, vë re se ata shoqërohen gjithmonë me studentë të ardhur nga rrethet, veri apo jug, s’ka rëndësi. Mesa kuptoj,për to është shumë e vështirë të futen në shoqërinë tironse, ndoshta për faktin e të qenit nga rrethet, sidomos nga veriu ku emri yt i dytë është malok krijon pengesë.

Thua t`i që male ka vetëm në veri,apo pse Korabi (maja më e lartë) qenka në veri. Atëherë keni shumë për të lexuar e mësuar. Nuk mund ta kuptoj frustrimin dhe përpjekjet e të rinjve nga rrethet për të ndërruar mënyrën e të folurit thjesht për tu pranuar në shoqëri, saqë disa herë kthehen në qesharake dhe tjetërsojnë personalitetin e tyre.

A thua ia vlen kjo sakrificë ?A nuk e dinë ata që gjuha është personifikim i personalitetit të një individi,të kulturës së tij,të prejardhjes. Pse duhet të tjetërsohen nga presioni i ca kokëboshëve që kurrë s’kanë lexuar për dialektet dhe faktin që ata e pasurojnë gjuhen dhe kulturën e një populli .

Ata s’kanë lexuar që dialektit gege i janë bërë padrejtësi në Kongresin e 1972 , ata nuk e dinë që në shkolla kemi studiuar në gjuhën letrare,që e njohim mirë atë. Ne dimë të lexojmë Mjedën e Frashërin,gegë e toskë.

KKVITI

E një tirons më pati thënë njëherë që Mjeda është i vështirë për tu lexuar dhe prandaj s’e ka lexuar asnjëherë .E këtë si ta quajmë, kulturë tironse ?Po historia më qesharake ka qenë njëherë në Prishtinë kur një tironse,pasi mori vesh që isha e Shqipërisë,më pyeti pse nuk flas shqip (për dialektin tirons e kishte fjalën).

Ndoshta më mirë është t`i lëmë t`i gëzohen faktit që janë kryeqytetas, se ndoshta s’kanë gjë tjetër për të rrahur gjoksin. Veç vazhdoni kështu. Por këtë dukuri nuk e hasim vetëm ne verioret e Shqipërisë,por edhe shqiptarët e Kosovës.

Ndoshta ata nuk janë malokët,por janë shqiptarët që « tironsit » në fjalë tentojnë t’i konsiderojnë inferiorë,madje ndonjë publiçist në Tiranë ka bërë edhe shkrime lidhur me këtë inferioritet deri në racizëm.

Dhe ajo që më bënë për të qeshur e qarë njëkohësisht është momenti kur tironsit mundohen të tregohen superior ndaj shqiptarëve të Kosovës vetëm duke folur ‘’gjuhen tironse’’.

Zoti na ruajt !E inteligjenca e tyre është aq dritëshkurtër saqë nuk e dinë historinë e trishtë të shqiptarëve të Kosovës, faktin se si ata kanë lexuar libra në shqip, fshehtas pushtuesve serb,kanë lexuar Fishtën e Koliqin, kur në Shqipëri ishte « mollë e ndalueme »,madje e kanë pasur edhe në programe mësimore,nuk duan ta dinë që shqiptarët e Kosovës kanë dialektin e tyre që i përfaqëson ato.

E si mund ta dinë,kur në vend që të lexojnë kalojnë kohën lokaleve të Bllokut. Shpeshherë ju them miqve të mi nga Kosova që ata(tironsit) nuk kanë asgjë personale kundër jush. Edhe mua që ndodhem brenda kufijve të Shqipërisë më quajnë maloke, kur më dëgjojnë që flas gege.

E nëqoftëse në shoqërinë shqiptare njeriu vlerësohet për dialektet, e jo për atë që thotë, ne jemi të kalbur edhe në marrëdhëniet shoqërore. E nëqoftëse individi vlerësohet në vjen nga malet apo fushat atëherë kemi akoma shumë për të mësuar
“Pyll pa derra nuk ka’’ thotë populli, kështuqë të paedukatë ka në veri e jug,në Kosovë,në Maqedoni,Itali,Francë etj.
Por kjo nuk do të thotë që të gjithë geget janë të tillë.

E në vend që të tregoheni kaq mendjecekët,në vend që të humbisni gjithë kohën tuaj kafeneve apo duke paragjykuar dhe rrahur gjoksin,futjuni punës më mirë,hapni librat,lundroni ne Internet(jo vetëm Facebook) për të kuptuar më shumë mbi dialektet e Shqipërisë,se ata janë pasuri kombëtare dhe që asnjëri nuk është më superior se tjetri.

Lexoni Mjeden, ndoshta horizonti juaj kulturor dhe mendja juaj do të zgjerohet. Lexoni më shumë mbi Kosovën dhe shqiptarët e Kosovës,merrni dialektin e tyre si personifikim i kulturës se tyre dhe jo si një cilësi për tu përçmuar dhe për t`i bërë të ndihen keq e të bëhen qesharak duke ndërruar dialektin saherë që vijnë në Tiranë.

E mësoni të krenoheni për diçka më të vlefshme se të qenit tirons, se keni filluar të dukeni shumë qesharak e mendjeshkurtër. Unë jam kuksiane,jam veriore,jam cuce malesh,flas dialektin gege,por mbi të gjitha jam shqiptare .P.s : Ky shkrim ka të bëjë me « tironsit » që ndihen ashtu siç e kam përshkruar më lart,të tjerët të më falin.

Strasbourg ,më ,18 maj 2012
(Autorja është studente në vitin e pestë nivelin Master për Politikë Ekonomike Europiane në Universitetin e Strasbourgut-Francë)/rajonipress/