Tirana qyteti më atraktiv rajonal

/ 3 minuta lexim

Nga Nexhmedin Saqipi – Jemi në javën e tretë të prillit, muaji kur pranvera ka zënë të nxjerr në sipërfaqe bukurinë e saj përrallore.

Vendosëm me një mik të vizitojmë Tiranën me rrethinë, duke kaluar Rrugës së Kombit dhe me padurim prisnim të arrijmë në kryeqytetin e Republikës së Shqipërisë, një bukuri e papërshkruar e zhvillimit “ekonomik, social dhe urban, me ndërtimin dhe rregullimin monumentale e parqeve, ndërtesave, duke përfshirë edhe rindërtimin e objekteve fetare të shkatërruara gjatë pushtimit turk dhe regjimit komunist”.

Qendra e Tiranës me vende shumë atraktive për pushim dhe relaksim me përmendoren e Skënderbeut në mes e objekte të tjera me vlera artitektonike, na jepnin frymëzim dhe në të njëjtën kohë edhe krenari.

Por, kur ka qenë kështu Tirana?! Përse ne heshtim ose nganjëherë shkruajmë me pakujdesi për Tiranën sot dhe dje?

Nëpër mediat, mjerisht, shqiptare pak të zë syri ndonjë rrëfim apo shkrim, që vihen në spikamë vlerat e këtij qyteti, atmosferën e ngrohtë natyrore e njerëzore, por theksohen disa dukuri negative si plaçkitja e bankave, vrasjet me prapavi kriminale, protestat etj.

Fundamenti

Me këto shkrime gazetash, jo vetëm se cenohet imazhi i një kryeqyteti shqiptar, por edhe zhvillohet një propagandë e keqe për ardhjen e vizitorëve ndërkombëtarë.

Shtypi shqip, nuk është duke e kryer misionin e vetë informativ ashtu si duhet sipas kodeksit gazetaresk, por të motivuar nga qarqe të ndryshme nxjerrin në letër vetëm anët negative të Tiranës dhe bukurive të saj përrallore.

Ne nga Lugina e Preshevës, që kemi një ndjesi të veçantë për vendin amë e posaçërisht për Tiranën e rrethuar nga Mali i Dajtit dhe Kodrat e Kërrabës, shkrimet e tilla na iritojnë e besa edhe na mllefosin.

Pavarësisht, nga shkrimet gazetareske jeta në kryeqytetin shqiptar, zhvillohet normalisht, njerëzit që rastisëm rrugës dhe shesheve të saj, dukeshin të lumtur dhe krenarë aq sa jemi edhe ne për Tiranën tonë, që dita ditës po rritet dhe zhvillohet, ashtu si metropolet botërore.

Kthehemi nga Tirana dhe disa qendra të tjera shqiptare, që patën kënaqësinë t’i vizitojmë me përshtypjet më të mira, me shpresë që herat tjera të qëndrojmë më gjatë, duke shijuar këto vlera njerëzore dhe natyrore, që vetëm i lumi Zot, mund t’i dhuroj shqiptarëve gjithandej.