Eko Higjiena

T’i lutesh “argatit të Serbisë”

/ 5 minuta lexim

Nga Imer Mushkolaj – Për Vetëvendosjen, Isa Mustafa nuk është më “argat i Serbisë”. As bujk e blegtor i Prapashticës. As mazohist. Për njerëzit e Vetëvendosjes, kryetari i LDK’së nuk është më i paaftë. Përnjëherë Mustafa për ta është bërë i mirë. Po i luten për koalicion. Po duan të bashkëqeverisin me “argatin e Serbisë”. E dikur ia gjuanin shtëpinë me molotov, ia rrezikonin jetën. Në luftën për pushtet, parimet harrohen.

Asnjë lider partie nuk ka qenë ndo jëherë më i atakuar nga rivalët politikë sesa Isa Mustafa nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje. Jo vetëm me kritika e akuza edhe të llojit “Isë, Isë argat i Serbisë”, por edhe protesta, madje edhe aksione që rrezikonin jetën e tij. Gjithë kjo po ndodhte kur kryetari i LDK’së udhëhiqte qeverinë dhe Vetëvendosja, bashkë edhe me dy partitë tjera opozitare atëbotë, AAK’në e Nismën, e kundërshtonin ashpër atë në mënyrën e qeverisjes.

Mustafa nuk është kryeministër tash dy vjet, por edhe Vetëvendosja nuk është më ajo e vjetra.

Tashmë kur janë paralajmëruar zgjedhjet e reja dhe Mustafa është rizgjedhur në krye të LDK’së, Vetëvendosja jo që po i bën ofertë, por po i lutet që të bëjë koalicion me të. Madje, duke shfaqur edhe dëshira e duke projektuar ide se si do të mund të dukej ky bashkëpunim. Sipas projektimit të Glauk Konjufcës, Albin Kurti kryeministër e Vjosa Osmani kryetare e Kuvendit. Kombinim perfekt për Vetëvendosjen, por jo edhe për LDK’në.

Thuajse secili hulumtim i opinionit publik e nxjerr LDK’në partinë e parë. Një arsye e fortë kjo, ndonëse jo e mjaftueshme, për të mos bërë koalicion me asnjërën nga partitë dhe për t’u matur e vetme në zgjedhje.

Ndërkohë, pavarësisht deklaratave publike e mediale, nuk është se është harruar frustrimi i njerëzve të LDK’së ndaj atyre të Vetëvendosjes, ndaj “marksistëve”, siç i quan ata ndonjëri nga njerëzit e rëndësishëm të partisë.

* * *

Është interesant ky evoluim i partisë së Kurtit karshi LDK’së dhe vetë Isa Mustafës. Pak vite më parë, aktivistët e Vetëvendosjes ia sulmonin me molotov shtëpinë Mustafës në Prishtinë dhe protestonin para shtëpisë së tij në Prapashticë. Shtëpi të cilën Kurti e quante ranç, teksa thoshte se nuk ka kurrfarë respekti për Mustafën i cili, sipas tij, flet me mendësinë e fermerit të rançit në Prapashticë, tamam si bujk ose blegtor.

Po ashtu, Kurti e quante Mustafën të paaftë dhe e akuzonte se bashkë me Hashim Thaçin po e sillnin “Zajednicën” në Kosovë. E akuzonte Mustafën dhe qeverinë e tij edhe për vdekjen e Astrit Deharit në Burgun e Prizrenit. E quante edhe mazohist.

Çka ka ndryshuar tash, që Kurti dhe partia e tij të ndërrojnë mendje për Mustafën e LDK’në? Asgjë. Ose asgjë seriozisht, sa Kurti parimor të mendojë kështu.

Fidanishtja

LDK’ja është ajo që ka qenë, edhe Mustafa është ai i vjetri. “Zajednica” e nënshkruar nga Mustafa është aty, ndërsa në Kuvend është votuar edhe marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, të cilën Kurti e kundërshton ashpër dhe për të cilën thoshte se Mustafa po e çonte vendin në luftë.

Si nuk paska qenë i mirë Mustafa si kryeministër, e qenka i mirë tash? Si nuk paska qenë e mirë LDK atëherë, e qenka tash? A ka ndryshuar LDK apo Vetëvendosja? A don të thotë kjo se Vetëvendosja mund të bëjë koalicion, pa problem, me secilën parti e secilin lider që mund ta sjell në pushtet, pa marrë parasysh të kaluarën dhe bëmat e tyre?

Njerëzit e Vetëvendosjes po sillen ndaj LDK’së sikurse ata të LDK’së ndaj PDK’së. Zakonisht, LDK e kritikonte PDK’në, e akuzonte SHIK’un për vrasje e krejt të zezat që kanë ndodhur në vend, e në fund bënte koalicion pikërisht me SHIK’un e PDK’në, madje udhëheqësit e tyre i bënte president e kryeparlamentar.

Vetëvendosja po vepron njësoj. Po e lut të qeverisin bashkë njeriun të cilit s’ka lënë gjë të zezë pa i thënë e pa i bërë. Ndërkaq, vazhdon të flasë për parime. Cilat parime?

* * *

Secili e secila që dëgjon zyrtarët e Vetëvendosjes duke folur për LDK’në e Mustafën duhet ta pyesin veten se çfarë ka ndodhur. Secili e secila që i ka dëgjuar vazhdimisht ata duke folur për parime, duhet të lexojnë për të parë çfarë vërtet janë ato.

Deri vonë, njerëzit e Vetëvendosjes thoshin e LDK e PDK janë të njëjta. Pse tash po duan ta “amnistojnë” LDK’në, sipas kritereve të tyre?

Nëse Isa Mustafa ka qenë “argat i Serbisë”, si ndodhi që ai nuk qenka më i tillë? Kush e “pastroi” nga kjo njollë? Si e kaloi ai “testin e patriotizmit”? Pse Kurti po dëshiron të bashkëqeveris me një person të tillë, pse po dëshiron ta rikthejë në qeveri një argat të Beogradit?

Kurti dhe Vetëvendosje po bëjnë thirrje të harrohen ato çfarë kanë ndodhur. Po bëjnë thirrje të harrohen edhe ideologjitë partiake. Gjithçka në favor të ardhjes në pushtet. Porosia e Kurtit dhe Vetëvendosjes është se në luftë për pushtet, parimet harrohen.