UBT

T’i gëzohesh vdekjes së tjetrit

/ 6 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Imer Mushkolaj – Tri rrëfime për njerëzit që i gëzohen fatkeqësisë së tjetrit, pa e sjellë ndërmend se nesër mund të pësojnë edhe vetë. Tri rrëfime për ata që jetojnë në situata jonormale dhe bien viktima të sjelljeve ekstreme. Për ata që tragjeditë do të duhej t’i bashkonin, e jo t’i ndanin më shumë.

Një fotografi e publikuar në Twitter nga gazetari Allan Sorensen, korrespondent i gazetës daneze “Kristeligt Dagblad” shokoi botën. Më se 60 izraelitë, kryesisht të rinj, ishin ngjitur në majën e një kodre, prej nga shihej tërë Rripi i Gazës dhe të rehatuar në karrige kampingu, duke pirë kafe, shijonin “spektaklin” e bombardimit të palestinezëve nga bashkëkombasit e tyre. Ishte natë dhe shpërthimi i bombave ndriçonte qiellin. I kishin thënë Sorensenit se ky ishte “reality show” më i mirë për ta. Në mesin e tyre kishte nga ata që kishin ardhur nga larg, për të parë se si ushtria e tyre shënjestronte Hamasin, por viktima ishin kryesisht qytetarët e pafajshëm. Çdo shpërthim bombash, izraelitët e përcillnin me duatrokitje.

Sorensen ishte tronditur dhe fotografinë e këtyre njerëzve që i gëzoheshin vdekjes së tjetrit e kishte publikuar në Twitter. Të nesërmen bilanci i viktimave përfshinte shumë gra dhe fëmijë të vrarë.

Gazetari danez ka kohë që përcjell konfliktin në Lindjen e Afërt. I kishte ndodhur që edhe në anën e palestinezëve të shohë se si vrasja e izraelitëve në Jerusalem festohej me shpërndarje ëmbëlsirash në Gaza. Thotë se të dy palët kanë ardhur në pikën e dehumanizimit të plotë. Ata, thjeshtë, i gëzohen vdekjes së njëri tjetrit. Vdekjet e njëri-tjetrit i festojnë me duatrokitje e ëmbëlsira.

Sorensen është i vetëdishëm se jo të gjithë palestinezët dhe izraelitët festojnë kur njerëz nga kampi armik vdesin. Por, ai thotë se situatat e tilla tregojnë qartë se si njerëzit e rëndomtë bien viktima të sjelljeve ekstreme, kur jetojnë në situata jonormale.

* * *

Para pak muajsh një pjesë e Serbisë, Kroacisë dhe Bosnjës u përfshi nga vërshime të tmerreshme, që lanë prapa dhjetëra viktima e miliarda euro dëme. Shkatërruan jetë njerëzish e shtëpi familjesh të tëra, të cilat ende jetojnë nëpër kampe të improvizuara, pa e ditur nëse mund të kthehen ndonjëherë në shtëpitë që janë kthyer në mjedise të pabanueshme.

Në rrjete sociale atëbotë, një numër shqiptarësh nga Kosova shpërthyen në gëzim për atë që iu kishte ndodhur fqinjve të tyre serbë. Festuan tragjedinë e tjetrit. Madje edhe udhëheqës kontraversë fetarë ngarendën të gjejnë formulën pse iu kishte ndodhur e zeza.

Pakkujt i erdhi ndërmend që të tregojë anën njerëzore, të shpreh një grimë dhembje e keqardhje për fatkeqësinë që nesër mund t’i ndodh secilit vend, secilit popull.

Euforia e gëzimit karshi fatkeqësisë së tjetrit në këtë rast dëshmon pikërisht atë që gazetari danez e vëren në Lindjen Afërt – që njerëzit e rëndomtë bien viktima të sjelljeve ekstreme, kur jetojnë në situata jonormale. Dhe shqiptarët e Kosovës e serbët e Serbisë jetojnë në të tilla situata.

UBT

Gjithçka e keqe që ndodh në Serbi shihet nga shqiptarët si një hakmarrje për krimet që regjimi serb ka bërë në Kosovë, pavarësisht se nesër mund të jenë vetë viktima të ndonjë fatkeqësie natyrore. Nuk e di si do ta arsyetonin tragjedinë prijësit ekstremistë fetarë, por e di se gjeneratat e reja po rriten pa ndjenjën e empatisë ndaj tjetrit, me të cilin duhet ndarë dhembjen dhe shprehur keqardhjen pa marrë parasysh fenë apo etninë së cilës i takon. Gjeneratat e reja, këndej e andej po rriten të brumosura me urrejtje e mosdurim ndaj njëri-tjetrit, e kjo nuk çon askund. Ndjenja e gëzimit për fatkeqësinë e tjetrit dehumanizon, nuk fisnikëron.

* * *

Të dielën e kaluar katër të rinj serbë kosovarë vdiqën në Liqenin e Gazivodës. Përderisa Komuna e Mitrovicës Veriore shpalli tri ditë zie, asnjërit nga udhëheqësit kosovarë nuk i erdhi ndërmend të dërgojë një telegram ngushëllimi, thua se tragjedia kishte ndodhur në tjetër planet. E të njëjtët flasin pandërprerë për integrimin e serbëve të veriut në institucionet dhe shoqërinë kosovare.

Në mos askush tjetër, presidentja është dashur të tregohet e kujdesshme në këtë rast.

Për telegram ngushëllimi, madje, nuk u kujtua as e dyta e Qeverisë, Edita Tahiri, e cila nuk ngurroi që dy ditë më vonë në kafeterinë famëkeqe Dolçe Vita të pijë kafe me Agim Bahtirin.

Nëse banorët serbë të veriut konsiderohen qytetarë të Kosovës dhe katër nga ta, të rinj në moshë, kanë humbur jetën tragjikisht, më njerëzorja e mundshme do të ishte që familjet e tyre të ngushëllohen nga institucionet, në mënyrë që të tregohej respekti minimal për të vdekurit.

Duke injoruar tragjedinë, qoftë edhe nga pakujdesia, zyrtarët e institucioneve kosovare vetëm sa thellojnë hendekun ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, si dhe dëmtojnë besimin e ndërsjellë edhe ashtu të pakët.

Të vdesin tragjikisht katër të rinj në një ditë nuk është pak. Po të kishin qëlluar shqiptarë, së paku telegramet e ngushëllimit nuk do të kishin munguar. Pse duhet lejuar vetes që në momente të tilla të vështira shteti të tregohet i dobët përballë pjesëtarëve të një komuniteti të caktuar?

Njësoj si katër të rinjtë serbë që u mbytën në Liqenin e Gazivodës, nesër mund të ndodhë që në Liqenin e Badovcit a të Batllavës të mbyten katër të rinj shqiptarë. Si do të ndiheshin familjarët e tyre nëse nga adresa e institucioneve nuk iu shkon së paku një telegram ngushëllimi? Apo, edhe vdekjet, tragjeditë duhet ndarë sipas etnisë, fesë e racës? Tragjeditë do të duhej të bashkonin, e jo t’i ndanin më shumë.