“Thimi Mitko” shënon Ditën e Shkollës

Gjilan – Shkolla Fillore “Thimi Mitko” ka shënuar ditën e themelimit të saj, me aktivitete të ndryshme kulturo – artistike, në të cilën ishin të pranishëm edhe Kryesuesi i kuvendit Komunal Izmi Zeka, drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit Bujar Nevzati si dhe një numër i madh i nxënësve, personelit arsimor dhe prindër.
Me këtë rast drejtori i Arsimit Bujar Nevzati, në emër të institucioneve lokale, para të pranishmëve ka bartur urimin për festën e kësaj shkolle duke i porositur që në asnjë moment të mos ndalen së punuari për dije dhe përparim të shkollës shqipe.
Ai në emër të drejtorisë së arsimit ka shprehur konsideratën dhe mirënjohjen e tij të thellë për të gjitha të arriturat e kësaj shkolle në krahasim me shkollat tjera në nivel lokal dhe më gjerë.
Ai tha se Gjilani për disa vite me radhë ka qenë i përfaqësuar denjësisht në aktivitete e gara të ndryshme nga shkolla fillore “Thimi Mitko”, e cila asnjëherë nuk është ndalur së punuari. Ai poashtu ka përsëritur të arriturat e kësaj qeverisje veçanërisht në arsim ndërtimi i shkollave të reja me mbi 20 mijë metra katrorë hapësirë shkollore, janë ndërtuar shumë terrene e salla sportive, shumë kabinete, etj. Falë këtyre investimeve në fushën e arsimit, Gjilani ka shënuar rezultate të larta në gara të ndryshme të diturisë, etj, ndërsa, ka porositur që të vazhdohet me punë edhe më fuqishëm sepse interesi i vendit është arsimi kualitativ dhe përkushtimi në punë.
Ndërsa, Drejtoresha e shkollës, Jyksele Gjinolli, informoi të pranishmit me aktivitetet, të arriturat, punën dhe përkushtimit që është në këtë shkollë për zhvillimin e edukimit dhe arsimimit të nxënësve.
Ajo tha se kjo shkollë ka shënuar të arritura të mëdha në të gjitha fushat e veprimit të saj. Kjo shkollë edhe pse punon në tre ndërrime sukseset janë të mëdha dhe shpresuese për të ardhmen.
Ndryshe shënimi i kësaj ditë është përcjellë me aktivitete të ndryshme kulturo – artistike./rajonipress/