Themelimi i Task Forcës kundër piraterisë mbetet premtim
Prishtinë – Qysh në ditët e para të qershorit, kreu i kulturës në vend, Memli Krasniqi, kishte folur për dëmet që po i shkaktohen vendit nga pirateria. Kishte premtuar se këtë punë do ta rregullojë me një Task Forcë që do ta luftonte atë.
Por këtë nuk ka arritur ta kryejë për gjashtë muajt pasues. Themelimin e Task Forcës e ka lënë për vitin që vjen. Në konferencën e fundvitit, që ministri Krasniqi ka mbajtur para gazetarëve, njëra ndër pikat për të cilat ka folur ai ka qenë edhe ky mekanizëm.
Pas miratimit të Ligjit të ri për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta – që zëvendësoi atë të vitit 2006 – dhe të Strategjisë kundër piraterisë, ministri e ka quajtur storie suksesi fushën e të drejtave të autorit.
“Krijimi i Task Forcës tashmë ka shkuar si propozim në Qeveri dhe mendojmë se do funksionalizohet në fillim të janarit”, ka thënë ministri Krasniqi. “Aty janë të përfshira shumë institucione dhe pritet të bëhet një punë e mirë gjatë vitit të ardhshëm”, ka premtuar Krasniqi.(koha)