Thellohet bashkëpunimi institucional për fuqizimin e shërbimeve sociale dhe mbështetjen e punëtorëve socialë
Gjilan – Në një takim pune u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, me fokus forcimin e kapaciteteve të Qendrës për Punë Sociale, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe mbështetjen e profesionistëve që punojnë drejtpërdrejt me qytetarët. Në takim morën pjesë këshilltarët e Ministrit të Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Petrit Sopjani dhe Liridon Llozani, të cilët u pritën nga përfaqësuesit e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka shkruar Mimoza Kadriu.
Gjatë diskutimeve u trajtuan sfidat me të cilat përballen punëtorët socialë në terren, përfshirë ngarkesën e madhe të rasteve, mungesën e resurseve dhe nevojën për mbështetje më të fuqishme institucionale. Po ashtu, u theksua rëndësia e krijimit tëmekanizmave më efikasë për trajtimin e rasteve, avancimin profesional të stafit dhe përmirësimin e kushteve të punës.
Palët u dakorduan që bashkëpunimi institucional të vazhdojë edhe në të ardhmen, me synimin që nevojat e identifikuara të adresohen përmes koordinimit të përbashkët, duke kontribuar në ndërtimin e një sistemi social më funksional, më të qëndrueshëm dhe më pranë qytetarëve në nevojë./rajonipress/


