Thaçi vs Haradinaj: Nga malet, tepihu i kuq e deri te gara për kryeministër

Nga lufta, te tepihu i kuq që Hashim Thaçi i shtroi Ramush Haradinajt pas lirimit të dytë nga Haga, e deri më sot kur të dytë janë në betejën kundër njëri-tjetrit se kush do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës, historia mes tyre ka qenë me batica dhe me zbatica.
Përmes disa fotove të përzgjedhura, do të provojmë të shtjellojmë disa nga detajet e kësaj historie që daton nga koha e luftës kur njëri quhej me nofkën “Gjarpri ” e tjetri me “Smajli”, e deri më sot kur të dy këta më, siç shkruhet përditë nëpër media, nuk kanë fare komunikim me njëri-tjetrin.
Natyrisht se kjo nuk është një histori e plotë, janë vetëm disa momente domethënëse që iu sjellim të ilustruara – si rikujtim dhe jo si vlerësim ndaj njërit apo tjetrit apo të atij që mund të ketë pasur të drejtë apo jo.
Ramush Haradinaj ishte Komandant i Zonës së Dukagjinit të UÇK-së gjatë luftës së Kosovës, madje njëri ndër me të fortët të asaj kohe.
Thaçi ishte pjesëtarë i UÇK, siç thuhet që nga momentet e para, por ai nuk flet për pjesëmarrjen e tij në beteja. Madje në një intervistë bërë së fundmi në Euronews ai vë në dije se ai nuk kishte marrë pjesë në beteja. Kjo është një foto e rrallë e Thaçit me pajisje të luftës.
Thaçi ishte drejtor i drejtorisë politike të UÇK, që i bie se ai ishte edhe shefi politik i Haradinajt dhe të gjithë komandantëve të luftës. Në këtë cilësi, Thaçi do të ishte edhe përfaqësues i tyre në Rambuje.
Haradinaj dhe komandantët e tjerë të zonave kishin mbetur në Kosovë, por me pajtimin e tyre Thaçi do të ishte nënshkruesi i Marrëveshjes së Rambujes.
Pas luftës, Hashim Thaçi do t’i kthehej politikës ndërsa Haradinaj do të mbetej fillimisht në ushtri.
Haradinaj më pas do të formonte partinë politike të tij. Momenti i parë kur do tensionoheshin marrëdhëniet politike mes Thaçit dhe Haradinajt, do të ishte pikërisht koha kur Haradinaj vendosi të ndërtoj qeverinë me LDK-në në vitin 2004 dhe Thaçi e PDK të mbeteshin në opozitë.
Prej atij momenti e deri në kthimin e tij nga Haga për herë të dytë, raportet mes Haradinajt e Thaçit, gjegjësisht partive PDK dhe AAK do të ishin krejtësisht kundërshtuese për të mos thënë armiqësore. Deri kur Thaçi vendosi të pres me ceremoni shtetërore Haradinajn, e ky i fundit të shpresonte të bëhej kryeministër në marrëveshje me te. Këtu filloi paqja…
Kjo paqe u thye kur Haradinaj vendosi të lidhet me Isa Mustafën dhe Fatmir Limajn, në një marrëveshje që Haradinajn e bënte kryeministër të ri të Kosovës…
Kush kënd do ta mund, Haradinaj-Thaçin apo Thaçi-Haradinajn do të mund të mësojmë ndoshta deri në fund të kësaj jave…/Gazeta Blic/