Thaçi: Vendimi rreth pronës së Manastirit, sipas Kushtetutës dhe Konventës Europiane

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me pronësinë e Kishës në Deçan, pas kërkesës së Lidhjes së Historianëve “Ali Hadri” për shkarkimin e kryetares së Gjykatës Kushtetuese.
Ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se vendimi është i bazuar në Kushtetutën e Kosovës dhe se prona është e patjetërsueshme.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese rreth pronës kishtare në Deçan është i bazuar në Kushtetutë të Shtetit dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kosova është shtet ligjor ku vendimet gjyqësore respektohen. Prona është e patjetërsueshme, e kujtdo qoftë ajo”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Reagimi i Thaçit vjen pas kërkesës së Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” për shkarkimin e kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, lidhur më pronat e ndara për manastirin e Deçanit.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që 25 hektarë tokë prona të ndërmarrjeve publike “Apiko” dhe “Iliria” t’i lihen nën pronësi Manastirit të Deçanit, është kundërshtuar nga historianët e Pejës.