Hidromorava

Thaçi: S`lëvizim nga propozimi ynë

/ 3 minuta lexim

Prishtinë – Është në duart e lidershipit të Serbisë të pranojë ose jo marrëveshjen. Ne i kemi dhënë propozimet tona, të cilat janë kushtetuese dhe ligjore, dhe nuk do të lëvizim nga ky pozicion, ka thënë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi për REL.

Se a ekzistojnë më mundësi që Serbia të pranojë, Thaçi është shprehur “Mundësia ekziston. Serbia ka kërkuar që të bëjë dramë me këtë proces në Beograd, dhe këtë e ka thënë hapur në Bruksel, në takimet që i kemi zhvilluar bashkërisht me baroneshën Ashton. Atë dramë e ka krijuar vetë te opinioni publik. Mendoj se tani është momenti që të lëvizet përpara”.

Sipas tij, pozicioni i delegacionit të Kosovës është plotësisht i përputhshëm me idetë e baroneshës Ashton, për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që normalizon përfundimisht marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë, që hap perspektivë të sigurt euro-atlantike edhe për shtetin e Kosovës edhe për Serbinë, për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.

“Prandaj, dua të shpresoj se në orët dhe ditët e ardhshme gjërat do të lëvizin drejt një vullneti për të arritur marrëveshjen e diskutuar në këta gjashtë muajt e fundit, në nivele të larta politike në mes të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin dhe udhëheqjen e Bashkimit Evropian, konkretisht baroneshës Ashton dhe me mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ai.

RCCOLA

Sipas kryeministrit, është në interesin e të gjithëve që Serbia të pranojë marrëveshjen.

“Serbia është në dilemën midis integrimeve apo izolimit. Serbia, nëse zgjedh rrugën e integrimeve evropiane, duhet të arrijë marrëveshje me Kosovën, nëse vendos të zgjedh refuzimin e marrëveshjes, ai është vullneti i saj për vazhdimin e izolimit. Por, Serbia nuk do të mund ta mbajë peng të ardhmen evropiane të Kosovës, nuk do të mund ta mbajë peng rajonin dhe nuk do të mund të mbajë peng investimet e Bashkimit Evropian në rajon, dhe nuk do të lejohet diçka e tillë. Nëse Serbia refuzon, atëherë Kosova do të vazhdojë të shikojë perspektivën evropiane në rrugën e vet dhe Beogradi do të mbetet mbrapa me fajin e vet, nga papërgjegjësia e vet dhe nga logjika e mentalitetit të politikës së kaluar që ka shkaktuar luftërat në Kroaci, Bosnjë, Kosovë dhe kriza të rënda në Serbi”, ka deklaruar Thaçi.

Kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se është në duart e lidershipit të Serbisë të pranojë ose jo marrëveshjen.

“Ne i kemi dhënë propozimet tona, të cilat janë kushtetuese dhe ligjore, dhe nuk do të lëvizim nga ky pozicion. Është çështje e Serbisë se a do apo nuk do. Refuzimi nga ana e Serbisë do të ketë kosto për Serbinë, por ne duhet të vazhdojmë të punojmë”, është shprehur Thaçi.