UBT

Thaçi sërish kritikon politikën e jashtme të BE-së

/ 5 minuta lexim

Themelimi i Bashkimit Evropian përmes lënies së shoqërive ballkanike jashtë tij ishte shkas plotësues për ndezjen e konfliktit të madh ish-jugosllav.

Për më tepër, do të shtoja se qasja relativiste e këtij unioni të ri në ditët e para të agresionit dhe vrasjeve në ish-Jugosllavi, po ashtu asistoi që ajo tragjedi të zgjaste një dekadë të plotë.

Kështu ka deklaruar kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë fjalimit të tij të mbajtur në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni. Ai ka thënë se 20 vjet më vonë, procesi shumë i ngathët dhe i veshtirë i anëtarësimit të shteteve të reja ballkanike në këtë union vazhdon ta mirëmbajë frymën e rivalitetit rajonal, e mungesës së bashkëpunimit dhe për më tepër, sikur në rastin e Republikës së Kosovës, vështirësimin e normalizimit të marrëdhënieve fqinjësore me Republikën e Serbisë.

“Në anën tjetër, sot është e qartë se, fatkeqësisht, ‘dilemat ballkanike’ nuk e përbëjnë më majen e listës së telasheve të udhëheqësve të Bashkimit Evropian… Sot, të gjithë evropianët dhe aleatët e tyre janë të vetëdijshëm se stabilizimi ekonomik i Unionit është një proces sa i rëndë, aq edhe i gjatë. Këtu, s’do mend, e keqja e recesionit ekonomik është recesioni i fuqisë politike dhe, rrjedhimisht, recesioni i vizionit ideologjik. Brenda nate, problemet e brendshme ia zëjnë vendin angazhimeve ndërkombëtare përderisa qeveritë konsumohen në mirëmbajtjen e mirëqenies elementare të qytetarëve të tyre. Shkurt, sot, vështruar nga Ballkani, zëri i Brukselit pothuajse nuk dëgjohet fare nga jehona e deklaratave dramatike nga Berlini, Parisi e Londra, dhe, tutje, nga Athina, Madridi e Lisabona”, ka thënë Thaçi.

“Dhe çfarë do të mund të mendojë apo të thotë, në gjithë këtë vërshim të telasheve, një qytetar i rëndomtë nga perëndimi i Ballkanit? Çfarë duhet të besojë ai, i cili tash e 20 vjet jeton nga një shpresë e vetme, se anëtarësimi i vendit të tij në Union do t’i jep fund frikës dhe pasigurisë për të ardhmen? Pikërisht ai qytetar i cili i mbijetoi tragjedisë së paimagjinueshme jugosllave vetëm përmes shpresës se një ditë, së paku fëmijët e tij, do të jetojnë në shtëpinë e përbashkët evropiane, larg nga urrejtja etnike, përndjekja politike dhe varfëria ekonomike?”.

Fundamenti

“S’do mend, e vetmja gjë të cilën ai do të mund ta pohojë me siguri të plotë është fakti se, së paku, ai dhe vendi i tij nuk janë përgjegjës për recesionin e sotëm evropian. Mirëpo, kjo s’do të thotë se ai dhe vendi i tij nuk bëjnë pjesë në grupin e viktimave të këtij recesioni. Mes brengave serioze të sigurisë, izolimit, pamundësisë së lëvizjes së lirë, kufijve të hekurt dhe aplikacioneve për viza—në Kosovë, ai qytetar sot përballet edhe me mbyllje të përditshme të vendeve edhe ashtu të pakta të punës, me varfëri dhe skamje, të ngjashme me atë nga dy dekada më herët”.

“Skamja çon në urrejtje. Urrejtja nis luftën. Njohësit e kujdesshëm të rrethanave ballkanike e dijnë se ishte pikërisht kjo njëra ndër arsyet që shkatërroi Jugosllavinë para syve të Bashkimit Evropian. Për ta, dhe për ne të tjerët që jetojmë atje, është fare e njohur teknologjia e cila i kthen shoqëritë në errësirën e etno-nacionalizmit, e cila pastaj ndriçohet nga zjarri i pushkëve e tankeve”.

“Kam frikë se rikthimi i nacionalizmit etnik si program qeveritar tashmë ka filluar në rajonin tonë. Garnitura të politikanëve nga dekadat e përgjakshme janë ri-popullarizuar dhe po fitojnë garat zgjedhore. Një rajoni aq të vogël si ky i yni nuk i duhet shumë për ta replikuar modelin e nisur në fqinjësi. Sikurse edhe 20 vjet më herët, paqja dhe lufta janë barabarësisht të mundshme dhe të pamundshme në Ballkan. Fare pak duhet për të mbizotëruar njëra—apo tjetra”.

“Këtu, me ironi do të përkujtoja se dy dekada më herët, Bashkimi Evropian nuk e kuptonte thellësisht rrezikun që i kanosej kombeve të ish-Jugosllavisë, andaj edhe nuk veproi fuqimisht. Sot, jam i bindur se këtë rrezik e kupton thellësisht—porse fuqia e tij vepruese është tashmë në recesion”. , ka thënë ndër të tjera kryeministri i Kosovës.

“Sot, shteti ynë është i vetmi në të gjithë Ballkanin që mbetet i bllokuar dhe i paralizuar nga pamundësia e lëvizjes. Unë dua të besoj se Brukseli nuk do të vonohet për të marrë vendimin e duhur port ë vonuar për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës—për të mundësuar lëvizjen e tyre të lirë nepër Evropë. Zgjerimi i Unionit dhe anëtarësimi ynë nuk ka alternativë. Për ne, debati rreth asaj se çfarë nënkupton sot Bashkimi Evropian në këtë botë të transformuar nuk ka ndonjë rëndësi. Ekzistimi i tij dhe gatishmëria jonë për të qenë pjesë e tij vazhdojnë të jenë shpresa dhe motivacioni i vetëm për t’i ikur asaj që kërcënohet”, ka thënë ndër të tjera kryeministri i Kosovës. /Telegrafi/