RCCOLA

Thaçi: ‘Republika serbe’ nuk lejohet në Kosovë

/ 4 minuta lexim

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë raportimit në Këshillin e Sigurimit tha se Kosova, shtet i pavarur dhe sovran është realitet, faktor paqeje dhe stabiliteti. Ai deklaroi para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit se nuk do të lejohet ‘Republika serbe’ në Kosovë.

Kreu i Qeverisë së Kosovës tha para të pranishmëve se Kosova ka shënuar përparim në shumë aspekte dhe sipas tij, merita i shkon qytetarëve që po shohin drejt së ardhmes prosperuese.

Ai tha se momentet nëpër të cilat po kalon vendi janë dëshmi shtesë për pjekurinë shtetëformuese të Kosovës.

Sipas tij, pavarësia e Kosovës është gërshetim i përpjekjeve të qytetarëve të Kosovës dhe mbështetjes së bashkësisë ndërkombëtare.

Thaçi duke folur për gjendjen në Kosovë tha se prapa shpërthimeve në veri të Kosovës, gjegjësisht ndaj Zyrës administrative qëndrojnë strukturat paralele. Sipas tij, fatkeqësisht roli i Serbisë ende nuk është konstruktiv.

Ai me këtë rast potencoi para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit se në Kosovë nuk do të lejohet “Republika Serbe”.

Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Thaçi tha se do të kenë sukses nëse ekziston edhe vullneti i Serbisë. Ai tha se nuk do të bisedojnë për statusin e integritetin territorial të Kosovës. Ai tha se për këto vija të kuqe kanë edhe mbështetjen ndërkombëtare.

Dacic: Jemi për dialog, por nuk i nënshtrohemi procesit

E plotësuar: Pas raportimit të shefit të UNMIK-ut, kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic deklaroi se shteti i tij është pro dialogut me Kosovën, por tha se nuk i nënshtrohen plotësisht procesit.

Ai tha se janë të gatshëm për zgjedhjen e problemeve të hapura dhe kanë politikë të bazuar në kompromis, por sipas tij, Serbia nuk e pranon shtetin e pavarur të Kosovës, të vetëshpallur.

Dacic duke folur për bisedimet me Kosovën tha se dialogu ka dhënë rezultate të theksuara, ndërsa kërkoi zbatimin e marrëveshjeve të arritura gjerë tani.

Kryeministri i Serbisë ndër të tjera foli edhe për rolin e UNMIK-ut. Ai tha se roli i tij për stabilizimin është i pashmangshëm dhe mandati i tij duhet të mbetet i pandryshuar.

Fundamenti

Sipas tij, qytetarët serbë nuk kanë besueshmëri në Qeverinë e Kosovës, prandaj tha se duhen mbrojtja e trashëgimisë kulturore serbe.

Duke komentuar raportin, Dacic tha se shpreh keqardhje që raporti reflekton gjendje jo stabile dhe të brishtë për popullatën serbe.

E plotësuar: Përfaqësuesi special i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Farid Zarif, në raportin e tij ka theksuar shumë sfida me të cilat po përballet Kosova.

Ai ka theksuar se në dialogun për normalizim marrëdhëniesh në mes të Kosovës dhe Serbisë janë arritur kompromise të ndjeshme dhe se sfidat kryesore janë në terren.

“Ne dhe partnerët tonë i japim mesazh Prishtinës dhe Beogradit dhe i inkurajojmë që të jenë më të përgjegjshëm që të mbrojnë popullatën”, ka thënë ai.

Zarif ka përmendur disa incidente, të cilat, sipas tij, e kanë rrezikuar sigurinë në vend. Ai ka përmendur vandalizmin ndaj varrezave, duke i konsideruar si veprime të papranueshme por ka falënderuar Policinë e Kosovës për efikasitet.

Këshilli i Sigurimit diskuton për Kosovën

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka nisur diskutimin për raportin e rregullt të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, për situatën në Kosovë.

Në seancë marrin pjesë kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic.

Në raportin e rregullt tremujor për Kosovën, sekretari Ki-moon ka thënë se janë bërë hapa përpara me kalimin e bisedimeve Prishtinë-Beograd nga niveli teknik në nivel të lartë politik.

Ndërkaq, kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic ka takuar në New York sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, të cilin e ka informuar në lidhje me bisedimet me Kosovën. Ai po ashtu ka thënë se misioni i OKB-së në Kosovë duhet të ketë rol udhëheqës, raporton Rel. /Telegrafi/