Fundamenti

Thaçi paralajmëron zgjerim të koalicionit

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Para nisjes së bisedimeve politike me Serbinë, Kosova do të ketë nevojë për një unitet dhe mekanizma gjithëpërfshirës nga i gjithë spektri politik, ka thënë kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Ai ka thënë se nuk do të ketë prishje të koalicionit aktualj, por mund të ketë zgjerim me ndonjë subjekt tjetër politik.

Përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, kryeministri Thaçi e ka cilësuar si një sukses i jashtëzakonshëm i të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, në nivel qendror dhe lokal.

“Më 10 shtator definitivisht do të përmbyllet gjithçka. Do të ketë shumë delegacione të jashtme, mbështetëse të pavarësisë së Kosovës, që do të marrin pjesë në këtë ceremoni, e cila për Kosovën është një histori e re, është një festë, është një mesazh për suksesin e së kaluarës, por është edhe mesazh para së gjithash për të ardhmen evropiane të Kosovës”, ka thënë kryeministri Thaçi, në një intervistë për radion Evropa e lirë.

Ai ka thënë tutje se për shtet-ndërtimin, për reformat zgjedhore, për perspektivën evropiane dhe shumë agjenda tjera që ndërlidhen drejtpërdrejt me interesat e shtetit, me jetën e të gjithë qytetarëve të vendit, për bërjen e Kosovës më të konsoliduar dhe më të forcuar, meritat u takojnë të gjithëve në bazë të kontributit.

RCCOLA

“Spektri politik po merr përgjegjësitë e veta, përgjegjësi këto reflektuese për përmbylljen me unitet të plotë, politik dhe qytetar, të mbikëqyrjes së pavarësisë.

Ne kemi qenë bashkërisht në kohë të krizës, në kohë të luftës, të paqes, të statusit politik dhe kemi fituar, prandaj edhe tash kam besim të plotë që të bashkuar do të dalim edhe më të konsoliduar dhe më të fuqishëm. Është momenti që secili, në këto çaste historike për vendin tonë, t’i lëmë anash interesat personale, interesat grupore, partiake dhe secili të punojë në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet tona dhe të punojnë në përputhshmëri me interesat e shtetit dhe vullnetit të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.

Duke folur për ndryshimet e paralajmëruar në qeveri, Thaçi ka thënë se Kosova kurrë ndonjëherë në historinë e vet nuk ka pasur ndonjë Qeveri më efektive, më efikase dhe më mirë funksionale.

“Koalicion të ri nuk do të ketë para zgjedhjeve të rregullta nën afatin kushtetues, gjithmonë ka hapësirë për zgjerim dhe forcim të institucioneve. Partnerët e koalicionit e respektojnë kontratën e arritur, ndërsa sa i përket marrjes së përgjegjësive, në nivele politike, natyrisht se do të punojmë me gjithë spektrin politik”, ka thënë kryeministri i Kosovës. /Telegrafi/