Thaçi: Me asnjë çmim nuk e lëshoj postin e kryeministrit

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka refuzuar ofertën e liderit të AAK-së Ramush Haradinaj. Oferta e AAK-së është që për të hyrë në koalicion qeverisës me PDK-së, atëherë Hashim Thaçi duhet t’ia lëshoj karrigen Ramush Haradinajt.

I pyetur se a do të jetë kryeministër edhe në vitin 2013, ose deri në fund të mandatit tuaj, kryeministri Thaçi jep këtë përgjigje për gazetën “Bota Sot”: “Partia Demokratike e Kosovës është fituese e zgjedhjeve të kaluara. Kam mandatin e plotë të Kuvendit të Kosovës dhe legjitimitetin e plotë qytetar. Do ta ruaj dhe do ta kultivoj besimin që qytetarët e Kosovës kanë treguar ndaj meje kur jam nominuar kandidat për kryeministër. Këtë kontratë me qytetarë me asnjë çmim, me asnjë post, me asnjë marrëveshje politike nuk e lëshoj. Andaj, do t’i kryejmë obligimet tona kushtetuese dhe ligjore. Partia Demokratike e Kosovës po fuqizohet çdo ditë e më tepër me reformat që është duke i bërë, natyrisht me koalicionin qeverisës që është aktiv, është dinamik. E kam theksuar edhe më herët dhe e përsëris se ky kabinet qeveritar është më i miri në historinë politike të Kosovës dhe do të vazhdojmë punën tonë ekzekutive”.

Në kërkesën që të komentojë ofertën e Ramush Haradinajt për të udhëhequr qeverinë në një koalicion të mundshëm PDK-AAK, kryeministri Thaçi është përgjigjur se “Ramushi më tepër ka ofruar një vullnet se sa një ofertë”.

“Ofertën e prezanton partia që i fiton zgjedhjet dhe u ofron partnerëve të mundshëm për koalicion, andaj e mirëpres vullnetin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të z. Haradinaj që të jenë pjesë e një partneriteti strategjik ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës , mbi bazën politike të koalicionit qeverisës aktual”, ka thënë Thaçi.

Sa i përket emërimit të Blerim Shala koordinator për dialogun politik me Serbinë, kryeministri Thaçi nuk mendon se ky fakt është dëshmi se Aleanca është pjesë e koalicionit, e as se e ka “blerë” Shalën.

Në pyetjen se a mendon që përfaqësuesi i LDK-së, si partia e dytë në vend, duhet të jetë pjesë e ekipit, kryeministri i Kosovës pohon se LDK-ja fillimisht kishte shprehur “gatishmërinë që ta mbështesë procesin”.

“Ishte një premtim edhe para faktorit të brendshëm, edhe para faktorit amerikan, edhe në takimin që kemi pasur me sekretaren e Shtetit znj. Clinton dhe baroneshën Ashton. Pastaj ata ndryshuan qëndrimin. Nuk mund të mbesim të bllokuar ose të paralizuar nga ndryshimi i pozicionit të tyre”.

RCCOLA

Në lidhje me dialogun me Serbinë dhe takimet me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, Thaçi thotë se gjithçka që diskutohet prezantohet edhe në Kuvend, para gjithë spektrit politik dhe opinionit publik qytetar.

Duke folur rreth Platformës serbe për bisedime, Thaçi thotë se ai “plan qysh sot është i vdekur”.

“Nuk e ka asnjë vlerë dhe është për konsum të brendshëm nga ana e presidentit Nikolic… Kurrë ai dokument nuk do të prezantohet në ndonjë tavolinë ku marrin pjesë përfaqësuesit legjitimë të shtetit të Kosovës. Ne e kemi Kushtetutën tonë, ligjet tona dhe dokumentin e presidentit Ahtisaari”, deklaron ai.

Kur është fjala për veriun e Kosovës, Thaçi thotë se “atje do të ketë rend e ligj, do të ketë demokraci, do të ketë zgjedhje të lira, do të ketë investime socio-ekonomike”.

“Integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm, është i njohur ndërkombëtarisht dhe pretendimi për ndarje të Kosovës, ndonjë autonomi apo status special, është shuar njëherë e përgjithmonë më 25 korrik 2011”, thotë Thaçi, duke shtuar se nuk do të ketë legalizim të strukturave jolegjitime të Serbisë që aktualisht janë në veri.

Në lidhje me zgjedhjet në PDK, kryeministri i Kosovës, njëherazi kryetar i kësaj partie, thotë se “ka zhurmë edhe mediale, por një zhurmë pozitive”. Ndërsa, sa i përket faktit se Sekretari i Përgjithshëm i Partisë, Jakup Krasniqi, nuk është pjesë e këtyre zhvillimeve, Thaçi thotë: “Lidershipi i PDK-së ka marrë pjesë në kuvendet komunale. Disa kanë qenë më aktivë e disa më pak. Natyrisht se ne që kemi qenë me përgjegjësi institucionale kemi qenë më pasivë… Vendimet e Partisë, të Kryesisë, janë respektuar nga të gjithë”.