Thaçi: Marrëveshja nuk është ideale
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pas kthimit nga Brukseli – ku edhe ka parafiruar marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë – ka thënë se është hapur një kapitull i ri i bashkëpunimit në rajon, duke shtuar se marrëveshja nuk është ideale, por se ka qenë marrëveshja më e mirë e mundshme.
Ai ka thënë se me këtë marrëveshje fitimtare janë Kosova, Serbia dhe i tërë rajoni, të cilit i është lehtësuar rruga e integrimit për në Bashkimin Evropian.
Sipas tij, tashmë do të punohet për zbatimin e marrëveshjes, i cili do të lejojë funksionalizimin në gjendjen në veri.
Thaçi ka thënë se dialogu nuk ka qenë i lehtë dhe se marrëveshja nuk është ideale, por se ka qenë marrëveshja më e mirë e mundshme, transmeton KP.
Ai ka pohuar se i ka kërkuar Kuvendit të Kosovës që ditën e nesërme, në ora 20:00, Kuvendi i Kosovës të mbajë seancë të jashtëzakonshme për nënshkrimin e marrëveshjes. /Telegrafi/
Thaçi i kërkon Krasniqit seancë të jashtëzakonshme
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një shkrese zyrtare, dërguar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka kërkuar mbajtjen e një seance te jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për ditën e diele, duke filluar nga ora 20:00.
“Kërkesa është bërë në pajtim me nenin 69 paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 38 të Rregullores së Kuvendit të Kosovës, si dhe në përputhje me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në një komunikatë të zyrës së kryeministrit.
Gjatë kësaj seance të jashtëzakonshme, kryeministri Thaçi do të raportojë për Marrëveshjen për Normalizim në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e cila është përafruar më 19 prill 2013 në Bruksel.
“Marrëveshja e përafruar nga të dy kryeministrat është në fazën e dhënies së pëlqimit për nënshkrimin formal, për çka duhet dhënë pëlqimi paraprak nga përfaqësuesit e të dy vendeve më së largu ditën e hënë, më 22 prill 2013”, përfundon komunikata. /Telegraf/
Thaçi e informoi kryetarin e LDK- për rrjedhën e dialogut në Bruksel
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, takoi sot kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, të cilin e informoi për rrjedhën e dialogut në takimin e nëntë dhe të dhjetë në Bruksel dhe për marrëveshjen e përafruar nga dy kryeministrat, ai i Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri Thaçi theksoi se me këtë marrëveshje është arritur që të ruhet në tërësi Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës dhe ato do të zbatohen në tërë territorin e Kosovës, me çka mundësohet integrimi i asaj pjesë të vendit tonë dhe janë hapur rrugë për normalizim të raporteve në mes dy shteteve dhe popujve – të Kosovës dhe Serbisë, thuhet në një deklaratë të Kryeministrisë.
Mustafa, sipas komunikatës, i dha përkrahje parimore marrëveshjes dhe u pajtuan për mënyrën e procedimit të mëtejmë të marrëveshjes së përafruar. /Telegrafi/


