UBT

Thaçi le të vendosë: e do Kosovën apo pushtetin më shumë!

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Nga Xhemal Ahmeti – Hashim Thaçi kishte harruar të mendojë për këtë skenar që ndodhi. Ose nuk i mori seriozisht as analistët e as opozitën. Kështu veprojnë ata me vetëbesim të tepruar.

Sidomos analistët kryesorë në mediat serioze (Zëri, Express, Blic) kosovare paralajmëruan rolin e pashmangshëm të Ramush Haradinajt brenda çdo matematike aleancash dhe se pa të nuk do të mundej askush nga partitë e mëdha të bëjë qeverinë. Kjo edhe për shkak të rolit parimor të Vetëvendosjes! e cila hoqi dorë nga pushteti, por njëkohësisht edhe lëshoi të gjitha sinjalet e mundshme se do të përkrah çdo alternativë e cila shpie drejt shkarkimit të qeverisë Thaçi.

Kjo është tash situata. Si të do të shkojë puna më tutje?

Krejt varet nga ajo se sa e do Thaçi Kosovën dhe sa pushtetin. Nëse ai e preferon këtë të fundit para paqes, stabilitetit të vendit, konsolidimit të demokracisë atëherë do të bëjë probleme. Do të ngul këmbë në «ruajtjen e pushtetit për partinë më të madhe dhe legjitime» dhe do të bëjë interpretimet kushtetutare, po në këtë mënyrë siç ia nisën varësit e tij nëpër pozita të ndryshme. Ata e dinë që kushtetuta e Kosovës pikërisht në këtë drejtim është sipërfaqësore dhe nuk precizon se kush e merr shansin për së dyti – pas dështimit të të parit – përsëri PDK apo e dyta për nga numri i votave LDK?

Precedentë në këtë drejtim ka plotë, ku partia e dytë me një koalicion të gjerë ka bërë qeverinë. Madje në shumë raste edhe është preferuar ta bëjë qeverinë kur vendin e parë e kanë fituar sidomos populistët dhe faktorë që nga instancat supranacionale janë konsideruar si të dëmshme dhe të paefektshme në mbylljen e procesit të transicionit në vend. E pikërisht në këtë drejtim «bota» është e ndarë në dysh.

AMERIKANËT DHE CO.

Është sekret publik që amerikanët, për shkak dëgjueshmërisë së disiplinuar të Thaçit dhe për arsye të qeverisjes «bashkë» preferojnë një kontinuitet. Mirëpo jo me çdo çmim. Madje ata edhe do të lehtësoheshin në një mënyrë sepse me daljen e Thaçit në opozitë do të desintensifikohej konflikti permanent me shtetet kryesore të Evropës perëndimore (me Gjermaninë në krye) të cilat qëmoti ëndërrojnë në një ndryshim.

Ato presin një qeveri kosovare që sidomos nuk do të luftojë me ligjin por do ta bëjë atë edhe në rast se asaj i rrëzohen ministra e drejtorë nëpër instanca të ndjeshme të aparatit shtetëror. Gjë që Thaçi jo se nuk e bënte, por përkundrazi bllokonte gjithandej duke marrë në mbrojtje ata që dënoheshin e duke lënë në mëshirë të fatit ata që dolën më vonë të pafajshëm.

Uji Dea

Politika e involvuar ndërkombëtare kësaj radhe duket se ka nisur që sot të braktisë versionin Thaçi të menaxhimit të shtetit kosovar. Prapëseprapë këta, përkundër mitologjisë së krijuar rreth pushtetit të tyre në konfigurimin e proceseve politike në vend do të kalojnë në anën e «sovranit», asaj shumice tjetër përtej 30% -it të PDK-së. Një mobilitet të tillë në drejtim të aleancës së porsakrijuar, përveç riparimit të marrëdhënieve me europerëndimorët, ata do ta bëjnë edhe për dy arsye tjera: nuk kanë interes të konsiderohen si uzurpatorë të së drejtës demokratike të 70%, çka do të rriste ksenofobinë në vend dhe do të humbnin besimin si instruktorë të demokracisë pluraliste, pra do të konsideroheshin edhe më shumë «imperialistë».

OPOZITA

Të gjitha indikacionet flasin se i gjithë fati i Kosovës nesër e tutje varret nga duarshtrëngimi i tre liderëve Isa Mustafa, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj. Përpos kësaj VV është duke luajtur rolin deri më tani më konstruktiv në interes të vendit, duke u sakrifikuar në favor të ndërrimit të qeverisë.

Me gjitha defektet që mund t’i kenë Isa Mustafa, Haradinaj dhe Limaj për një gjë njihen: nuk i ndryshojnë marrëveshjet si çorapët. Këtë e dinë edhe Hashim Thaçi. Ai morri vesh se edhe minoritarët shumë shpejtë demonstruan gatishmërinë t’i bashkohen dokumentit të nënshkruar nga tri liderët e opozitës. Nuk ka mbetur më asnjë matematikë e arsyeshme që do t’i ndihmonte PDK-së që ta mbajë pushtetin – përveç kokëfortësisë në stilin «pas meje cofshin krejt».

THAÇI

Po qe se i fundit nuk bëhet «burrë» dhe del në opozitë vetë duke stërzgjatur procesin ka gjasa të ndodhin acarime dhe zgjedhje të radhës. Përqindjet mund t’i decimohen vetëm PDK-së nga kjo pozitë siç është tash. Ish-kryeministri nuk duhet të shpresojë në vota të protestës «pasi të gjithë e luftojnë», por më shumë do të pësojë debakël partia e tij për rrezikimin e vendit në interes të pushtetit të tij personal.

Hashim Thaçi tashmë është një ndër politikanët më të stërvitur të Kosovës dhe shumëkush jashtë e brenda shpreson që t’ia lëshojë udhën opozitës, 70 % tjetër.

A nuk ishin mjaft dy mandate? Kosova e meriton një frymë, elan dhe energji të re.