Eko Higjiena

Thaçi ia mbyll gojën Kuvendit për depërtimin e 6 gylenistëve

/ 8 minuta lexim

Avokati i Popullit: 6 shtetasit turq janë ekstraduar me dokumente të fotokopjuara, pasi nuk i kanë pasur pasaportat e tyre me vete.

Synimet dhe premtimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në veçanti ato të opozitës për krijimin e një komisioni parlamentar për hetimin e skandalit me deportimin e 6 qytetarëve turq, sipas ekspertëve politikë të fushës së drejtë- sisë dhe qytetarëve, u shndërrua në lojë politike.

Ndërkaq, Avokati i Popullit ka deklaruar se 6 shtetasit turq janë ekstraduar me dokumente të fotokopjuara, pasi nuk i kanë pasur pasaportat e tyre me vete. Madje as gjërat personale nuk janë lejuar t’i marrin. Kjo sipas avokatit përbën një shkelje të dinjitetit të tyre. Prandaj për njohësit e kësaj fushe, por edhe të qytetarëve të anketuar, është shumë e vështirë që deputetët e Kuvendit të Kosovës do ta dëshmojnë veten dhe të bëjnë asgjë, pasi që urdhri i dhënë për këtë skandal ka ardhur nga niveli më i lartë i kryetarit të shtetit, z. Hashim Thaçi. Me gjithë përpjekjet e gazetës dhe pyetjet e dërguara në adresë të tyre, Avokati i Popullit, por edhe disa deputetë nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës së djeshme.

Reshiti: Asnjë rezultat nuk është treguar nga punët e komisioneve parlamentare

Analisti politik, Ymret Reshiti, theksoi për gazetën “Kosova Sot” se asnjë rezultat nuk është treguar nga punët e komisioneve parlamentare dhe as ky i ngritur për të hetuar çështjen e deportimit të 6 qytetarëve turq.”Kjo çështje është detyrë e Qeverisë së Kosovës për ta ndriçuar të vërtetën dhe për të dërguar para drejtësisë zyrtarët fajtorë që e shkaktuan këtë skandal”, është shprehur ai. Thotë se dihet qartë se urdhërdhënësi në Kosovë për të deportuar 6 qytetarët turq është presidenti Thaçi, i cili nuk ka të drejtë të përzihet në kompetenca të ekzekutivit.”Sipas të gjitha informacioneve urdhrin e presidentit Thaçi e zbatuan drejtori i AKI-së dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës. Edhe pse kryeministri Haradinaj u shtir se kinse nuk ishte në dijeni për këtë rast dhe se do të ndërmerrte masa ndaj fajtorëve, ai u dorëzua para presidentit Thaçi, i cili po i shpërblen me poste të reja fajtorët, siç bëri me Shpend Maxhunin, të cilin për dëgjueshmëri e emëroi drejtor të AKI-së”, u shpreh ai.

Reshiti vlerëson se deputetët e Kosovës në pjesën e tyre më të madhe po i shërbejnë mafisë politike që drejton shtetin sesa qytetarëve.”Deputetët e Kuvendit të Kosovës është dashur që të sjellin në përgjegjësi presidentin Thaçi dhe ta dërgojnë para drejtësisë zyrtarët e Kosovës që kryen akt të shëmtuar. Është çudi që deputetët nuk reagojnë kundër “shpërblimeve me poste” që bën presidenti ndaj zyrtarëve të shkarkuar, fajtorë për deportimin e qytetarëve turq. Deportimi pa procedurë i qytetarëve turq paraqet një skandal të madh të cenimit të konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, është shprehur Reshiti.

Ai është i mendimit se ky rast u jep pretekst shteteve tjera që të veprojnë njësoj ndaj qytetarëve tanë, duke iu rrezikuar shëndetin dhe jetën e tyre.”Pajtimi i kryeministrit me ndërhyrjet e presidentit në kompetencat ekzekutive dhe kundërkushtetuese tregon bashkëpunimin e tyre për ta mbrojtur njëri-tjetrin para ligjit, për shkeljet që i bëjnë”, është shprehur ai për gazetën “Kosova Sot”.

Haziri: Komisioni parlamentar nuk do ta arrijë qëllimin

Analisti Arsim Haziri për gazetën “Kosova Sot” theksoi se përderisa urdhri për arrestimin ka qenë i pambështetur në norma e ligj dhe nuk ka qenë i njohur për organet themelore, atëherë çdo diskutim i nivelit institucional s’mund t’i kontribuojë në zbardhjes së këtij rasti.”Edhe komisioni parlamentar që ka funksionuar për çështjen e deportimit të 6 shtetasve turq nuk konsideroj se do t’ia arrijë qëllimit, pasi vetë rasti konsiston në procese jo të rregullta ligjore, në këtë dimension vlen edhe mendimi i Avokatit të Popullit. Hetimi për këtë skandal nuk mendoj se do të përfundojë ashtu siç është nisur, pasi vetë rasti në fjalë ka substancë politike”, është shprehur ai.

Sipas Hazirit, ky rast edhe një herë ka shpërfaqur pamundësinë dhe mosseriozitetin e shtetit tonë, që fatkeqësisht është rezultat i politikave klienteliste dhe familjare.

Hidromorava

Eksperti i fushës së drejtësisë, Muhamet Kelmendi, për gazetën “Kosova Sot” theksoi se me deportimin e 6 qytetarëve turq për në Turqi duhet të merret me kompetencë Kuvendi i Kosovës, sepse kemi të bëjmë me shkelje të rregullave të shtetit që janë në fuqi kemi të bëjmë me shkelje të shtetit ligjor të rregullave dhe ligjeve të Kosovës.”Urdhri është dhënë nga drejtori i Policisë së Kosovës dhe më pas ata janë deportuar në Turqi fshehtazi dhe nuk është dashur që të veprohet kësisoj, sepse në shtetet ligjore nëse qytetarët e huaj qëndrojnë pa të drejtë apo kanë kryer vepër, nuk është policia ajo që e nxjerr vendimin, por është dashur që këto fakte t’i jepen Prokurorisë dhe gjykatës kompetente që ka qenë dashur të veprojë në bazë të provave të nxjerrë vendim e më pas duhej që t’i deportonin”, është shprehur ai.

Sipas Kelmendit, ka qenë ish-drejtori i PK-së, tash drejtor i AKI-së, Shpend Maxhuni, që vepron kokë më vete dhe në kundërshtim me ligjin.”As drejtori i AKI-së dhe as ministri i Punëve të Brendshme nuk kanë dhënë urdhër të tillë, sepse ministri dhe drejtori nuk janë organe ekzekutimi që nxjerrin vendime të tilla”, u shpreh ai.

Qytetarët e cilësojnë lojë politike komisionin hetimor parlamentar për 6 turqit

Ndërsa qytetarët e anketuar nga “Kosova Sot” janë deklaruar se edhe komisioni parlamentar për hetimin e skandalit me qytetarët turq u shndërrua në një lojë politike, ku edhe Avokati i Popullit ka deklaruar se 6 shtetasit turq janë ekstraduar me dokumente të fotokopjuara, pasi nuk i kanë pasur pasaportat e tyre me vete e a gjërat personale me vete. Kësisoj, qytetari Burhan Jashanica, për gazetën “Kosova Sot” thotë se nuk ka asnjë dyshim se premtimet për formimin e grupit hetimor nga Kuvendi i Kosovës për ndriçimin e këtij rasti është plotësisht një lojë politike.

Ai ka bindjen se nuk do të ketë ndriçim të rastit. “Bazohem në faktin që e kam dëgjuar edhe në lajmet e dhëna më mediumet tona që kanë treguar se të gjithë fëmijët e pushtetarëve tanë janë shkolluar në ato shkolla të gulenistëve, e madje janë shkolluar pa asnjë cent”, është shprehur ai.

Sipas Jashanicës, kjo fund e krye është një lojë politike dhe pa asnjë logjikë, sepse si ka mundësi që të arrestohen mësimdhënësit e fëmijëve të pushtetarëve tanë dhe këtu bëhet fjalë vetëm për një lojë politike e asgjë më tepër. “Prandaj, nuk do të formohet kurrë grupi hetimor në Kuvendin e Kosovës, sepse ndriçimi i rastit do të zbulonte se fëmijët e tyre pushtetarët tanë i kanë shkolluar pa para”, është shprehur ai.

Jashanica këmbëngul se fakti se nuk do të ketë ndriçim të rastit është për keqardhje arrestimi i 6 turqve që pushtetarët tanë i bënë kurban për Erdoganin, duka ua dorëzuar autoriteteve të tyre njerëzit e pafajshëm.

Edhe qytetari Veton Prelvukaj për gazetën”Kosova Sot” theksoi se ndriçimi i këtij rasti tregon për një rast tipik të arrestimit e të deportimit të tyre jashtëligjshëm dhe kjo na tregon për një lojë politike dhe asgjë më tepër.”Në këtë rast nuk është respektuar hierarkia shtetërore, sepse këtu fund e krye është një lojë e madhe politike me mosformimin e grupit hetimor nga ana e Kuvendit të Kosovës”, është shprehur ai.

Ndërsa, qytetari Xhavit Zeka për “Kosova Sot” theksoi se premtimet e kuvendarëve tanë për themelimin e një komisioni hetimor është fund e krye një lojë politike e pushtetarëve tanë, sepse arrestimi i tyre u bë me urdhrat e Turqisë, që i zbatuan krerët e shtetit të Kosovës, pra atyre që bashkëpunojnë me turqit.”Kurse premtimet për formimin e këtyre grupeve hetimore nga ana e Kuvendit të Kosovës u ngjajnë vetëm lojërave politike sesa që ka gjasa që të formohet një grup i tillë hetimor që do ta ndriçonte deri në detaje rastin”, është shprehur ai.

(Kosova Sot)