Mobi Casa

Thaçi ia gatuan “Kulaçin” Haradinajt

/ 19 minuta lexim
ARKATANA

Duke përcjellë dhe duke vlerësuar përplasjet e fundit në mes të kryeministrit Haradinaj dhe presidentit Thaçi, analistët politikë dhe qytetarët konsiderojnë se ky i fundit po përgatitet seriozisht që t’ia gatuajë “kulaçin” liderit të AAK-së, siç e ka djegur tanimë disa herë më parë këtë, por edhe të tjerët.

Bislimi: Hashim Thaçit nuk i intereson se kush është kryeministër, përderisa ai person është një partner që ai e kontrollon 100%

“Hashim Thaçi vetëm për të shtyrë përpara planin e tij djallëzor për pazare me Serbinë për territorin, në mënyrë që t’i shpëtojë Gjykatës Speciale, është në gjendje të bëjë gjithçka; prej shantazhit, kërcënimeve e deri tek rrëzimi i Qeverisë, pasi Thaçit i duhet vetëm një kryeministër ‘kukull’ që bën atë çka kërkon e thotë ai. Përkeqësimi i raporteve mes presidentit e kryeministrit i ka vënë në siklet partnerët e koalicionit qeveritar nën ethet e rënies së Qeverisë. Përballja mes presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj do të jetë atraktive për qytetarët e zhgënjyer të këtij vendi dhe gjellë e shijshme për Gjykatën Speciale. Padyshim, paaftësia e Ramush Haradinajt për udhëheqjen e bisedimeve e bën atë fajtorin kryesor pse Thaçi e ka marrë ‘zgjedhën në krahë’ për udhëheqjen e bisedimeve, edhe pse një Rezolutë e Kuvendit, që ende është në fuqi për dialogun, e obligon pikërisht kreun e ekzekutivit të udhëheqë procesin e dialogut!”, thotë analisti Florim Zeqa për gazetën “Kosova Sot”.

Duke përcjellë dhe duke vlerësuar përplasjet e fundit në mes të kryeministrit Haradinaj dhe presidentit Thaçi, analistët politikë dhe qytetarët konsiderojnë se ky i fundit po përgatitet seriozisht që t’ia gatuajë “kulaçin” liderit të AAK-së, siç e ka djegur tanimë disa herë më parë këtë, por edhe të tjerët.

Sipas njohësve të rrethanave politike, Hashim Thaçi është në gjendje që vetëm për të shtyrë përpara planin e tij djallëzor për pazare me Serbinë për territorin, në mënyrë që t’i shpëtojë Gjykatës Speciale, është në gjendje të bëjë gjithçka prej shantazhit, kërcënimeve e deri tek rrëzimi i Qeverisë, pasi Thaçit i duhet vetëm një kryeministër “kukull” që bën atë çka kërkon e thotë ai. Sipas analistëve, përplasja për dialogun me Serbinë mund të eskalojë dhe ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Mirëpo,sipas analistëve, edhe nëse bie Qeveria e Kosovës, Haradinaj nuk mund të amnistohet, sepse edhe ai vetë është fajtor që ia mundësoi presidentit Thaçi të marrë timonin e bisedimeve, duke deklaruar se kinse ka punë më të “mençura” për të bërë, edhe pse një rezolutë, që ende është në fuqi për dialogun, e obligon pikërisht kreun e ekzekutivit të udhëheqë procesin e dialogut.

Për Luginën duhet kompensim

Sipas analistit politik Shefik Shkodra, këtyre të dyve, edhe kryeministrit, edhe presidentit, është vështirë t’u besohet në deklaratat që i japin, sepse zakonisht vendosmëria e tyre është pak labile, kur vjen në pyetje interesi i kërrigës së tyre, por gjithsesi që nëse vazhdohet me këtë trend të tanishëm rrëzimi i Qeverisë dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të pashmangshme si proces. “Njeriu, kur deklaron diçka me aq vendosmëri dhe pastaj del si jo reale, atëherë gjithnjë vjen në shprehje dyshimi për atë që e thotë herëve të tjera. Në qoftë se kryeministri Haradinaj bie në kundërshtim me Thaçin, zgjedhjet janë të paevitueshme, sepse kërkohet një kryeministër që dëgjon. Përpjekja e Thaçit është e madhe për të realizuar me çdo kusht idenë e tij të negociuar me Vuçiqin, për ‘korrigjimin’ e kufijve. Dhe, duhet ta potencoj edhe njëherë, Serbia nuk e lëshon Luginën e Preshevës pa asnjë kompensim. Dhe, kjo është e qartë tashmë”, theksoi ai. “Në Veri të Kosovës, veç janë të koncentruar serbët, ose ndarje ose Asociacioni i Komunave me shumicë serbe dhe atë me mundësi ekzekutive, që do të thotë, një mini-republikë brenda Kosovës. Për këto variante presidenti ka mjaft presion nga anët e jashtme, natyrisht duke pasur parasysh heqjen e aktakuzës. Ekipi negociator është duke u përpjekur që edhe miqtë e tjerë të jashtëm t’i bindë se duhet të bëjë pazare me Serbinë, korrigjim apo ndërrim. E, në fund, ndoshta edhe një përpjekje, në pamundësi të dhënies së tokës, atëherë Asociacionin”, tha analisti Shkodra për “Kosova Sot”.

BISLIMI: ËSHTË VETË RAMUSH HARADINAJ FAJTOR, PËR FAKTIN QË IA MUNDËSOI PRESIDENTIT THAÇI TË MARRË TIMONIN E BISEDIMEVE
Sipas politologes Liridonë Bislimi, me këto fërkimet e fundit, përplasjet publike në afërsi, por edhe në distancë në mes të kryeministrit Haradinaj dhe presidentit Thaçi për idenë e shkëmbimit të territoreve, po duket që kreu i shtetit ka për qëllim degradimin e kryeministrit Haradinaj duke ia gatuar “kulaçin”, siç e ka djegur tanimë disa herë në të kaluarën, sepse tanimë dallimet mes tyre për temën e bisedimeve janë tepër të mëdha. Sidoqoftë, ajo thotë se përgjegjësia për këtë rrezik që i kanoset Haradinajt, i takon atij tani, sepse që në fillim është dashur të dijë që nuk e prêt një partneritet serioz dhe i sinqertë në koalicionin me PDKnë. “Ekziston një luftë në distancë në mes të Thaçit dhe Haradinajt, e këtë luftë e ka krijuar Hashim Thaçi vetëm për të shtyrë përpara planin e tij djallëzor për pazare me Serbinë për territorin, ne mënyrë që t’i shpëtojë Gjykatës Speciale. Thaçi ka një sëmundje patologjike të të qenit gjithnjë i pari, e për të qenë i tillë atij i duhen partnerë te dëgjueshëm në Qeveri, për të shtyrë përpara planet e tij të dëmshme për Kosovën dhe qytetaret e saj, dhe presidentit sundues e autoritar, Hashim Thaçit nuk i intereson se kush është kryeministër, përderisa ai person është një partner që ai e kontrollon 100%!”, u shpreh Bislimi. Madje, ajo thotë se përgjegjësia akoma më e madhe e Haradinajt është që ai vetë është tërhequr nga dialogu, duke bërë gabim strategjik që ia ka besuar atë Hashim Thaçit, dhe tani mbetet të shihet nëse Haradinaj do të vazhdojë ta kundërshtojë edhe më tutje presidentin apo do t’i nënshtrohet atij për ta ruajtur pozitën. “Është vetë Ramush Haradinaj fajtor, për faktin që ia mundësoi presidentit Thaçi te marrë timonin e bisedimeve, pasi ai vetë si kryeministër vullnetshëm u deklarua se kinse ka punë më të ‘mençura’ për të bërë, edhe pse një rezolutë, që ende është në fuqi për dialogun, e obligon pikërisht kreun e ekzekutivit, që të udhëheqë procesin e dialogut .Mbetet të shihet nëse Ramush Haradinaj do të vazhdojë ta mbajë qëndrimin e tij duke ia ndalur planin e Hashim Thaçit për ‘korrigjim kufijsh’ mes Kosovës e Serbisë, duke e ditur që po e rrezikon postin e shumëpritur të kryeministrit, apo do të bëhet sërish ‘i dëgjueshëm’ dhe ta pranojë në heshtje disfatën ndaj Hashim Thaçit dhe realisht mund të prodhojnë polarizime në bashkëqeverisjen AAK-PDK”, vijoi më tej ajo. “Këto lojëra politike të presidentit Thaçi nuk janë të sinqerta, serioze e aq më pak në dobi të konsolidimit dhe shtet ndërtimit, pasi padyshim deri tani Haradinaj për të është një kukull kryeministër, i cili jashtë tutelës së PDK-së nuk mund të lëvizë kurrsesi. Thaçi ka në duar të tij gjithë këtë proces dhe do të përdorë të gjitha mekanizmat jashtëligjorë e jashtëinstitucionalë për të konfirmuar edhe një herë këtë version, pasi çdo korrigjim në versionin aktual sanksionohet me Kodin e Procedurës Penale si tradhti kombëtare”, tha Liridonë Bislimi.

ARKATANA

BADALLAJ: HASHIM THAÇI ËSHTË DREDHARAK I LINDUR, PËR INTERESA TË TIJ PERSONALE ËSHTË NË GJENDJE TA SHESË EDHE KOSOVËN SI TË ISHTE PLAÇKË PAZARI
Analisti politik Reshat Badallaj konsideron se derisa Hashim Thaçi është dredharak i lindur, për interesa të tij personale është në gjendje të bëjë çdo gjë deri ta shesë edhe Kosovën si të ishte plaçkë pazari. “Hashim Thaçi, në gjak e ka hajninë dhe tradhtinë dhe është i sëmurë për karrierizëm. Ndaj ka filluar pazaret e pista me Serbin fashiste dhe me kumbarën e tij, Aleksandar Vuçiqin. Për të turbulluar vendin, ky matrapaz ka mundësi që të rrëzojë Qeverinë ashtu-ashtu kuislinge, duke mos vrarë mendjen se sa i kushton buxhetit të shtetit. Dhe, ky dredharak mund ta rrëzojë fare lehtë Qeverinë kuislinge të Ramushit, sepse ky i fundit është i papjekur politikisht, prandaj Hashimi i Brojës lehtësisht ia gatuan kulaçin në kuzhinat e tradhtisë, që të bjerë në gropë Rambo duke menduar se politika luftohet me dajak në krah”, theksoi ai.”Ramushi nuk ka punë më të mençura, por u vërtetua se ka budallallëk që po na kushton shumë shtrenjtë. Pra, Ramushi pa dilemë ka hise në këtë pazar që ia mundësoi dhe nuk kundërshtoi Thaçin që t’i zhvillojë bisedimet me Serbinë gjakatare dhe atë pa asnjë kusht fare. Hashim Thaçin nuk mund ta ndalë Ramush Haradinaj, sepse Thaçi ka bandën e kanaleve të nëntokës kriminale në Kosovë shumë të fuqishme dhe Ramushi do të digjet”, tha Badallaj për “Kosova Sot”.

ZEQA: THAÇI VETËM PËR TË SHTYRË PËRPARA PAZARET ME SERBINË PËR TERRITORIN ËSHTË NË GJENDJE TË BËJË GJITHÇKA; PREJ SHANTAZHIT, KËRCËNIMEVE E DERI TEK RRËZIMI I QEVERISË
Analisti politik Florim Zeqa thotë se përplasja për dialogun me Serbinë, edhe pse në dukje të parë shihet si një lojë e radhës e pushtetarëve, megjithatë lëvizjet e Thaçit e dëshmojnë të kundërtën. “Hashim Thaçi vetëm për të shtyrë përpara planin e tij djallëzor për pazare me Serbinë për territorin, në mënyrë që t’i shpëtojë Gjykatës Speciale, është në gjendje të bëjë gjithçka; prej shantazhit, kërcënimeve e deri tek rrëzimi i Qeverisë, pasi Thaçit i duhet vetëm një kryeministër ‘kukull’ që bën atë çka kërkon e thotë ai. Përkeqësimi i raporteve mes presidentit e kryeministrit i ka vënë në siklet partnerët e koalicionit qeveritar nën ethet e rënies së Qeverisë. Përballja mes presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj do të jetë atraktive për qytetarët e zhgënjyer të këtij vendi dhe gjellë e shijshme për Gjykatën Speciale”, u shpreh ai. ” Padyshim, paaftësia e Ramush Haradinajt për udhëheqjen e bisedimeve e bën atë fajtorin kryesor pse Thaçi e ka marrë ‘zgjedhën në krahë’ për udhëheqjen e bisedimeve, edhe pse një Rezolutë e Kuvendit, që ende është në fuqi për dialogun, e obligon pikërisht kreun e ekzekutivit të udhëheqë procesin e dialogut! Për dallim nga herët e tjera, kësaj radhe djegia e Ramush Haradianjt nga Hashim Thaçi do të jetë përcëlluese. Përveç rrëzimit nga lartësia e pushtetit, subjekti i kryeministrit do të pësojë fiasko në zgjedhjet e ardhshme si pasojë e ‘tsunamit’ të klanit ‘Pronto’ dhe gëlltitjes së hartave të Murat Mehës nga ana e Haradinajt për faljen e 8200 hektarëve Malit të Zi! Situata bllokuese në Kuvend, Gjykata Speciale dhe raportet e përkeqësuara mes presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj e determinojnë shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme, të cilat’ përveç rirreshtimit të skenës aktuale politike, pritet të sjellin rikonfigurim të pushtetit me aktorë të vjetër të politikës”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

MEHMETI: RAMUSHI PO RRËSHQET NËN KURTHIN E HASHIMIT, NJËSOJ SI ME DEMARKACIONIN
Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti është i bindur që kryeministri Haradinaj është gati të përmbyset, nëse ai nuk ndërron qëndrim sikur në rastin e demarkacionit. “Besoj se ngadalë, por sigurt, Ramushi po rrëshqet nën kurthin e Hashimit, njësoj si me demarkacionin. Është e habitshme, se përkundër kaq shumë intrigave që ia ka bërë, prapëseprapë Ramushi nuk po arrin të shpëtojë nga mashtrimet e presidentit aktual. Draftrezoluta është pikërisht ajo çfarë Thaçi kërkonte, që përmes Kuvendit të legjitimojë marrëveshjet me Vuçiqin, në këmbim të fatit të tij personal .S’i mund t’i besosh një Kuvendi, i cili është nën diktatin e Thaçit, dhe pikërisht ky Kuvend ka arritur t’i falë Malit të Zi tokë. Andaj, nuk ka shumë shpresë se Kuvendi apo Qeveria mund të stagnojnë Thaçin nga ideja e tij për korrigjim të kufijve, mbetet si shprese që Gjermania do ta ndalojë. Fatkeqësisht, Haradinaj asnjëherë nuk ka treguar zgjuarsi në politike, dhe bindjet e tij kanë ndryshuar për shkak të lakmisë për pushtet”, vlerësoi ai. “Nëse nuk e mbështet Thaçin, Ramushi shkarkohet nga Qeveria. Kjo do të jetë loja që Thaçi do ta përdorë që të marrë mbështetje në Kuvend, pikërisht nga AAK-ja dhe koalicioni qeverisës”, tha analisti Faton Mehmeti.

GURAZIU: HASHIM THAÇI ËSHTË MJESHTËR PËR PËRGATITJEN E NDËRSKAMCAVE
Kurthi i radhës kundër Haradinajt nga ana e Hashim Thaçit është i sigurt duke u përgatitur edhe tani, dhe kjo po shihet haptas, sipas analistit Ragip Guraziu.”Hashim Thaçi është mjeshtër për përgatitjen e ndërskamcave, prandaj edhe kësaj radhe po shihet që ai do ta djegë Haradinajn. Po shihet që veç ia ka gatuar atë ‘kulaçin’ famëkeq si herëve të tjera kryeministrit Ramush Haradinajt dhe ky i fundit me mendjelehtësi e ka hëngër atë ‘kulaç’. Tani, Thaçi po ndihet në siklet, sepse kontrollin e ka humbur mbi institucionet dhe subjektet politike, dhe kështu do të plasë sherri dhe me deklaratat e presidentit Hashim Thaçit, sidomos këto të fundit. Sa i përket rastit Haradinajt, pavarësisht rezistencës së tij, lë të kuptojmë se sadopak ai ka pasur një tërmet, edhe vetë kryeministri duhet ta kuptojë se karrigia e kryeministrit nga ky moment veç ka filluar të lëkundet, ka filluar të lëvizë dhe nuk do të shkojë gjatë e do të thyhet”, tha analisti Ragip Guraziu për “Kosova Sot”.

KELMENDI: THAÇI PËR POZITË DHE PËR FINANCA ËSHTË GATI TË SHKELË MBI ÇDO ÇËSHTJE
Sipas prof. Muhamet Kelmendit, z. Thaçi është një politikan që kurrsesi nuk mund të qëndrojë në pozitat e veta pa krijuar fërkime dhe konflikte, dhe këtë traditë të tij të mbrapshtë po dështon ta vazhdojë deri në fund të karrierës. “Ai i takon plejadës së politikave të pandërgjegjshëm dhe shumë të rrezikshëm. Për z. Thaçi nuk ka asgjë më të rëndësishme se pozita. Për atë dhe për financa, thjesht ai është gati të shkelë mbi çdo çështje. Për z. Thaçi nuk ka vlerë shteti dhe as populli, as kombi dhe as çështjet jetike të kombit, si : territori, sovraniteti dhe integriteti etj., kundruall pikësynimeve mbizotëruese mbi të gjitha, në kapjen e shtetit, edhe mbi koalicion qeverisës, sikundër dhe mbi të gjitha organet e pushtetit nga ai lokal deri në atë qendror, mbi Parlament, Qeveri, gjykata ,polici e prokurori. Z. Thaçi e konsideron veten të paprekshëm dhe çdokush që del kundër drejtimit të tij ai, Hashim Thaçi, e vlerëson atë me epitetin armik, sepse edhe qëllimi i tij është zhdukja e jo kompromisi, zhvillimi dhe zgjidhja e problemeve. Mu kjo politikë është edhe tash në koalicionin PAN. Në njërën anë është z. Thaçi dhe grupi politik rreth tij dhe, në anën tjetër është Qeveria, e cila po këmbëngul të mbështetet në normat juridike dhe kushtetuese të Republikës, dhe po i zbaton e mbron sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”.

Qytetarët akuzojnë kreun e Republikës
Të rrezikuar e shohin pozitën e kryeministrit Haradinaj, nëse ky qëndron në këto kundërshtime për pazaret e presidentin deri në fund, edhe qytetarët e anketuar nga gazeta. Qytetari Bajram Mujku thotë se kryeministri ka të drejtë që po e kundërshton idenë e presidentit për pazar me territoret, për çka Thaçi mund të jetë marrë vesh me Vuçiqin dhe tani nënshkrimi i marrëveshjes mund të jetë vetëm një akt formal kinse i bisedimeve të zhvilluara në Bruksel, në mënyrë që t’i shpëtojë Gjykatës Speciale.”Unë mendoj që tani nuk ka faj Ramushi që po e kundërshton idenë e presidentit Thaçi, sepse ajo me të vërtetë është e dëmshme dhe e rrezikon seriozisht ekzistencën e shtetit të Kosovës. Çështja e bisedimeve assesi nuk do të duhej lënë kaq lehtë në përgjegjësinë dhe në autoritetin e presidentit, por kjo temë duhet të dalë të diskutohet në Parlament, të jetë sa më transparente me popullin, me të gjithë qytetarët, sepse territori i Kosovës nuk është pronë e Hashim Thaçit, duhet ta marrë shumë seriozisht edhe presidenti këtë fakt dhe duhet të mendojë më shumë për popull, por nuk po e bën këtë si duket. Ai nuk duhet të lejohet të bëjë vetëm atë që e mendon dhe dëshiron vetë ta bëjë për interesin e tij personal, privat. Unë mendoj që ai ka hyrë në këtë projekt-ide, sepse është marrë vesh me Vuçiqin atje, derisa herë njëri e herë tjetri po deklarojnë se është ide e njërit apo tjetrit. Dreqi e marrtë vesh. Kjo është katastrofë, sepse deri më tash u bënë 19 vjet në liri dhe po vijnë të bëhen 11 vjet pavarësi si shtet dhe hapja e këtyre temave nuk është aspak e mirë. Zgjidhja më e mirë për ta çuar vendin përpara, mendoj është nëse arrijmë që këta njerëz t’i heqim krejt nga skena politike, që të gjithë pa dallim dhe të vijnë në politikë e institucione njerëz të rinj, të kulturuar e të shkolluar mirë, që të mendojnë për të mirën e vendit, për zhvillim dhe për perspektivën e kësaj rinie të shëndoshë që e kemi, e jo të merren me këso temash në dëm të shtetit e në interesin e tyre personal”, theksoi Mujku. Edhe qytetari tjetër, Selver Lenjani thotë se kërcënimet e Hashim Thaçit mund të jenë shumë serioze kundër Ramush Haradinajt, pasi ky i fundit po e kundërshton vazhdimisht idenë e shkëmbimit të territoreve, edhe është pozicionuar fuqishëm në mbrojte të tërësisë territoriale të shtetit, në bazë të Kushtetutës që ka Kosova dhe të njohjeve ndërkombëtare të siguruara mbi këtë bazë kushtetuese dhe me këtë territor.”Qëllimet e presidentit Thaçi tanimë po shihen ashiqare, që ta marrë vetë mbi vete timonin e drejtimit të të gjitha institucioneve të Kosovës, që të jetë mbi Qeverinë dhe mbi Kuvendin, për të mos guxuar askush që t’i përzihet në planet dhe në projektet e tij personale sado të dëmshme që mund të jenë për vendin. Mirëpo, kjo është e tmerrshme çka po dëshiron presidenti të arrijë me këtë qëllim të vetin, prandaj unë si qytetar i një zone kufitare me Serbinë, ku edhe sot ë kësaj dite akoma kemi probleme të hapura për territor, për pronat tona të ligjshme që po na trajtohen si pjesë e territorit të shtetit të Serbisë, u bëjë thirrje të gjitha partitë politike që t’i dalin përpara dhe ta ndalojnë këtë projekt ogurzi të presidentit Thaçi. Ai po mendon që është pronë e tij private krejt Kosova, por mos të mashtrohet, le ta dijë që nuk është kështu, se janë qytetarët e Kosovës që do të reagojnë e do ta kundërshtojnë çdo pazar të tij në dëm të shtetit, sovranitetit dhe integritetit territorial të garantuar me Kushtetutë”, vlerësoi ai për “Kosova sot”. Sipas tij, protestat e organizuara ditë më parë më së miri e dëshmuan gatishmërinë e qytetarëve për të kundërshtuar dhe për të pamundësuar çfarëdo veprimi të kësaj natyre nga ana e presidentit.

(Kosova Sot)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.