Thaçi: Historia e Kosovës prodhoi Epopenë e UÇK-së
Në akademinë përkujtimore, e cila u mbajt për nder të veprës heroike të Komandantit legjendar, Adem Jashari dhe të dëshmorëve të tjerë që ranë në luftë për liri, kryeministri Hashim Thaçi tha se 15 vite me parë një ngjarje madhështore origjinale dhe e papërsëritshme hyri në historinë e Kosovës, të shqiptarëve dhe gjithë botës.
Me një minutë heshtje, në nderim të veprës së të dëshmorëve të rënë për liri të vendit, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë filloi akademi përkujtimore për nder të veprës heroike të Komandantit legjendar, Adem Jashari dhe të dëshmorëve të tjerë.
Duke folur në këtë akademi, Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, tha se historia e Kosovës prodhoi modelin unikat të sakrificës për liri, Epopenë e UÇK-së, Epopenë e komandantit Adem Jashari dhe të gjithë Jasharajve. Thaçi tha se gjaku i tyre vazhdon të ujis rrënjët e lirisë së Kosovës.
“Çmimi dhe sakrifica ka po atë saktësi dhe temperaturë. Aq sa ka ngrohtësia e gjakut të tyre. Aq sa ka saktësi origjinaliteti i jetës të së secilit, veç e veç. Liria e Kosovës ka saktësinë dhe precizitetin e papërsëritshëm të rënies së: Babait dhe veteranit Shaban Jashari, të komandantit legjendar Adem Jashari, të komandant Hamzës, Zahir Pajazitit, Luan e Shkëlzen Haradinajt, Bekim Berishës, Fehmi e Xhevë Lladrovcit, Mujë Krasniqit, Ahmet Kaçikut, Sali Çekut, Remzi Ademit, Agim Ramadanit dhe shumë komandantëve dhe drejtuesve tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Liria e Kosovës ka në themel rënien e ushtarit të përjetshëm. Jetën e mijëra dhe mijëra dëshmorëve të rënë në beteja, përpjekje, në aksione, në ballë të njësiteve, të brigadave, dhe kudo tjetër, gjithandej Kosovës”, tha kryeministri Thaçi, transmeton RTK.
Ndërsa, ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu tha se Epopeja e Adem Jasharit tregoi se shqiptarët janë të gatshëm të sakrifikojnë për liri.
Në emër të familjes Jashari foli nipi i Adem Jasharit, Bekim Jashari. Ai përcolli mesazh të familjes Jashari për unitet.
Akademia, ku morën pjesë personalitete më të larta të shtetet dhe të jetës politike e publike, u përmbyll me një program artistik. /Telegrafi/


