RCCOLA

Thaçi e Veseli, përgjegjës për humbjen

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

Disa nga anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) e akuzojnë liderin e partisë, Hashim Thaçin dhe zëvendësin e tij, Kadri Veselin, për humbjen e kësaj partie në shumicën e komunave të Kosovës. Sipas anëtarëve të PDK-së, Thaçi e Veseli i kanë emëruar krye në vete kandidatët për kryetarë të komunave dhe kështu kjo kryeneçësi është konvertuar në debakël.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Xhevat Bislimi, i cili së fundi doli “disident”, e ka drejtuar gishtin nga kreu i partisë, Hashim Thaçi, dhe zëvendësi i tij, Kadri Veseli, për humbjet në Gjilan, Viti, Lipjan, Malishevë e në shumë komuna të tjera.

“E vetmja përgjegjësi në PDK është Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli”, ka thënë Bislimi, sipas të cilit, ata vetë i kanë marrë vendimet, vetë i kanë kandiduar kryetarët aktualë për kryetarë komunash, madje krejt fushatën e PDK-së e kanë personalizuar.

“Po besoj që bëhen burra dhe e marrin përgjegjësinë, të paktën kësaj here sepse vendimmarrja ka qenë absolute dhe përgjegjësia duhet të jetë absolute”, është shprehur ai.

Mobi Casa

Bislimi ka thënë se nëse këta dy nuk e marrin përgjegjësinë, PDK do të shkojë edhe më poshtë, ashtu sikur ka nisur të shkojë.

“Sokol Haliti nga LDK i cili fitoi për kryetar në Viti duhet ta falënderojë publikisht Hashim Thaçin edhe Kadri Veselin”, ka thënë Bislimi.

Ndërkohë, deputeti nga radhët e PDK-së, Berat Buzhala, nuk e sheh aq strikte punën e kandidimit të kryetarëve të degëve për kryetarë komunash. Sipas tij, kjo është më shumë çështje e debatit brendapartiak. “Unë konsideroj që mirë kishte me qenë që kryetari i degës të jetë edhe kandidat për kryetar komune, mirëpo këtë gjë ne nuk mund ta qesim në Kushtetutë që të jetë domosdoshmërisht kryetari i degës kandidat për kryetar komune”, ka thënë Buzhala…(Zëri)