UBT

Thaçi e bën zëvendësministër të akuzuarin për vepra kriminale

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Prishtinë, 14 qershor – Dikasteri për drejtësi që drejton Hajredin Kuçi është përforcuar me një zëvendësministër të akuzuar për tri vepra penale.

Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Ramadan Gashi, që këto ditë me vendim të kryeministrit Hashim Thaçi është emëruar zëvendësministër i Drejtësisë, akuzohet nga Prokuroria e Qarkut e Mitrovicës për tri akte kriminale që kanë të bëjnë me shpërdorimin e detyrës zyrtare gjatë kohës sa ishte kryetar komune.

KKVITI

Gashi, emri i të cilit ende nuk figuron në faqen e Ministrisë së Drejtësisë, akuzohet se i ka shkaktuar dëme të mëdha Komunës së Skenderajt. Në të njëjtën kohë ai akuzohet se u ka krijuar përfitime materiale disa personave e firmave në këtë anë në mesin e të cilëve edhe kompanisë “R&Rukolli”. Tashmë pronë e kësaj kompanie është një parcelë në vlerë 254.000 euro e cila i është dhënë si kompensim për punimet shtesë pa kontratë që i ka kryer kjo kompani në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj. Deri atëherë ishte në pronësi të Komunës së Skenderajt. Prokuroria po i ndjek penalisht edhe ish-kryeshefin Ahmet Latifi, drejtorin për Gjeodezi, Abedin Geci, dhe zyrtarin e kësaj drejtorie Abedin Veliu.

Aktakuza, një kopje të së cilës e ka “Koha Ditore” është ngritur më 6 qershor të vitit në kaluar.