UBT

Thaçi: Do ta fitojmë betejën kundër korrupsionit

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit në New York, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi se pati një rast të mirë të paraqesë arritjet e vendit të tij. Ndërsa duke folur për takimin e fundit në Bruksel ai tha se atje nuk është arritur kurrfarë marrëveshje, por pret që kjo të ndodhë më 2 prill. Gjithashtu ka thënë se Qeveria do ta luftojë pakompromis korruspsionin dhe krimin e organizuar dhe do ta fitojë këtë betejë.

“Ishte një mundësi e mirë për Republikën e Kosovës, që të prezantojë arritjet që kemi pasur në këto muajt e fundit, janë arritje që janë vlerësuar nga e gjithë bashkësia ndërkombëtare; ishte një veçanti e një rëndësie të veçantë sepse numri i njohjeve të Kosovës po rritet gjithnjë e më tepër, Kosova po konsolidohet e forcohet çdo ditë, më tepër se gjysma e anëtarëve të OKB-së e kanë njohur Republikën e Kosovës, nga të gjithë u përshëndet fillimi i normalizimit të marrëdhënieve mes shteteve të Kosovës dhe Serbisë, arritjet ekonomike; gjithashtu duhet bërë më tepër për rend e ligj, por u dëshmua edhe një herë se Kosova si vend i pavarur e sovran, po prodhon më tepër paqe, stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe perspektivë euroatlantike, ndaj dua të besoj fuqishëm se në të ardhmen jo të largët Kosova me këto hapa që është duke ndërmarrë, me reformat që është duke bërë, me normalizimin e marrëdhënieve dhe me ndërtimin e fqinjësisë së mirë edhe me Serbinë, do të lëvizë drejt perspektivës së sigurt europiane, drejt anëtarësimit në NATO, por edhe në organizatën e Kombeve të Bashkuara”, tha kryeministri Thaçi për Zërin e Amerikës.

Lidhur me epilogun e takimit të fundit në Bruksel me kryeministrin serb, Ivica Dacic, kryeministri Thaçi ka konfirmuar se është shënuar progres por nuk është arritur kurrfarë marrëveshje. “…progres është shënuar, por marrëveshje nuk ka, presim që të ndodhë marrëveshja në 2 prill”.

Mobi Casa

Kreu i ekzekutivit të vendit tha se Qeveria që ai udhëheq “është qeveria që ka filluar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të gjitha dukurive të tjera negative. Natyrisht se pluralizmi politik ka edhe reagime, çfarë mund të jenë sot”.

“Kosova tash e katërmbëdhjetë vite në fakt për sa i përket rendit dhe ligjit udhëhiqet prej ndërkombëtarëve në mandatin ekzekutiv. Gradualisht është duke e mbartur këtë autoritet tek vendorët dhe kjo luftë do të jetë e pa kompromis me moton: Zero Tolerancë ndaj korrupsionit, ndaj krimit të organizuar dhe unë ftoj të gjithë partnerët tanë, gjithë spektrin politik, shoqërinë civile, mediat, t’i bashkangjiten kësaj përpjekjeje të qeverisë së Kosovës.

Jam i bindur se këtë betejë do ta fitojmë. Por në të njëjtën kohë edhe idetë dhe konceptet politike janë të mirëseardhura për ballafaqim, por gjithmonë duhet të kemi parasysh interesin e shtetit, duhet të kemi parasysh reformat evropiane që po i bëjmë bashkërisht”, ka thënë kryeministri Thaçi. /Telegrafi/