Thaçi dhe Vuçiq sot ‘projektojnë’ marrëveshjen finale

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen sot në kuadër të fazës finale të dialogut të Brukselit, ku pritet ta konfirmojnë gatishmërinë e tyre për të intensifikuar punën drejt arritjes së marrëveshjes përfundimtare, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi sot do të takohet me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq për të konfirmuar gatishmërinë për intensifikimin e fazës finale të dialogut ndërmjet të dyja shteteve. Kjo është bërë e ditur nga Zyra e shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Frederica Mogherini. “Në takim dy liderët pritet të konfirmojnë gatishmërinë e tyre për të intensifikuar punën drejt arritjes së një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin gjithëpërfshirës, i cili është vendimtar për rrugët e tyre evropiane”, thuhet në këtë njoftim.

Derisa Zyra e Presidentit të Kosovës nuk ka njoftuar nëse sot presidenti Thaçi do ta shpalosë idenë e tij për korrigjimin e kufijve me Serbinë, analistët politikë thonë se ka gjasa që edhe kjo temë të jetë pjesë e takimit. Në anën tjetër, partitë politike thonë se Thaçi nuk ka të drejtë të diskutojë për territorin e Kosovës, shkruan Gazeta “Zëri”.

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj, ka thënë se dialogu i Brukselit duhet të vazhdojë. Pavarësisht mospajtimeve mes pushtetit dhe opozitës në lidhje me procesin e dialogut, Selamanaj ka thënë se ende ka hapësirë dhe vullnet të arrihet një konsensus dhe të ketë një rezolutë të përbashkët të të gjitha partive në lidhje me procesin e dialogut.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).