Thaçi: Bisedimet në fazën më të vështirë për Serbinë

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi deklaroi të enjten para deputetëve të Kosovës se aktualisht janë në fazën më të ndjeshme të bisedimeve, më substanciale dhe më të vështirë për Serbinë, pasi sipas tij, Serbia duhet të shpërbëjë pa kushte strukturat ilegale në veri.

Ai gjatë raportimit para deputetëve të Kosovës lidhur me bisedimet tha se ky është një ballafaqim jo i lehtë për Serbinë, sepse vetë ata kanë ushqyer për 13 vite strukturat paralele në veri të Kosovës.

Sipas Thaçit, të gjithë serbët në veri që nuk kanë qenë të përfshirë në krime mund të përfshihen në institucionet e Kosovës.

Ai njoftoi se marrëveshja me Serbinë nuk është arritur në bisedimet e fundit, për faktin se Serbia po kërkon kompetenca ekzekutive për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Mobi Casa

“Një gjë të tillë nuk do të ndodh kurrë. Nuk do të zgjidhim një problem duke krijuar një tjetër edhe më të madh…”, deklaroi Thaçi, duke shtuar se nuk do të ketë ndarje, republikë serbe, ahtisaari plus, apo diçka tjetër në veri të Kosovës.

“Ne nuk kemi asnjë lloj presioni nga askush, sidomos nga partnerët tonë ndërkombëtare. Presioni tani është në Beograd. Ata duhet të ndërrojnë qasjen e tyre ndaj Kosovës. Duhet të sillen në mënyrë evropiane ndaj Kosovës”, u shpreh ndër të tjera Thaçi.

Kreu i ekzekutivit tha se më 2 prill shkojnë të Bruksel, të gatshëm për marrëveshje. Ai tha se 2 prilli do të jetë vendimtar për marrëveshje dhe siç tha ai janë shumë komod me atë çfarë është në tavolinë sepse është në përputhje me Kushtetutën dhe Pakon e Ahtisaarit.

Sipas tij, marrëveshja me Serbinë do të jetë në dobi të Kosovës dhe të ardhmes euro-atlantike. /Telegrafi/