Thaçi: Aderimi i Çekut në PDK, nuk na ndanë me Pacollin

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke folur për takimin e mbrëmshëm me kryeministrin serb, Ivica Daçiq, ka thënë se është një fillim i mirë.

Ai ka thënë se çdo shtet e ka një Mitrovicë ose pjesë problematike të vendit.

Tërësia territoriale e Kosovës, sipas kryeministrit Thaçi, është e njohur dhe e garantuar ndërkombëtarisht.

Thaçi ka thënë se marrëveshja e mbrëmshme për doganat, është një arritje e re e shtetit të Kosovës. Me këtë marrëveshje, sipas tij, Serbia de jure e njeh Kosovën.

“Serbia de fakto dhe de jure ka filluar ta njohë Republikën e Kosovës”, ka thënë Thaçi në një intervistë në rtk.

Ëndrra e Serbisë për ndarje të Kosovës, sipas kryeministrit Thaçi, është shuar me 25 korrik të vitit 2011.

“Në veri më në fund duhet të ketë rend dhe ligj, duhet të ketë gjykata, duhet të mbahen zgjedhje të lira dhe autoritet e Kosovës të shtrijnë funksionin në të gjithë territorin e vendit” ka thënë Thaçi.

Ai edhe njëherë ka përsëritur se Rezoluta e Serbisë, është e pa vlerë për Kosovën dhe është vetëm për konsum të brendshëm të Serbisë.

Thaçi ka thënë se strukturat paralele që kanë kryer krime do të dëbohen dhe ata që kanë bërë krime do të dënohen.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se Kosova ka hyrë në procesin e bisedimeve dhe kthim prapë nuk ka.

Fundamenti

Vetëm një marrëdhënie e mirë mes Prishtinës dhe Beogradit, sipas Thaçit, është një rrugë e garantuar drejt BE-së.

Duke folur për problemin e përmendores së UÇPMB-së, kryeministri Thaçi ka thënë se beson në vendimet e urta dhe të drejta të liderëve shqiptarë të Luginës së Preshevës.
“Qeveria e Kosovës do të mbështet avancimin e të drejtave të shqiptarëve në këtë rajon. Kemi biseduar me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës se shqiptarët e Luginës do të bëhen me Universitet” ka thënë Thaçi.

Sa i përket deklaratës së disa ditëve me parë të Daçiqit i cili ka thënë se Kosova duhet të jap diçka nëse dëshiron karrigen në OKB, Thaçi ka thënë se “me ose pa Serbinë, Kosovë do të jetë në OKB”.

“Kosova nuk do t’i jap asgjë Serbisë, Kosova nuk është pronë e Serbisë dhe ky nuk është Pazar”.

Ai ka treguar edhe disa nga momentet në takimi e mbrëmshëm me Daçiqin në Bruksel. Sipas kryeministrit Thaçit, nuk ka qenë e lehtë që për mbi pesë orë të qëndroj i mbyllur në një dhomë me Daçiqin, ndërsa ka shtuar se kryeministri serb në momentin e fundit është bindur që të pranoj marrëveshjen për doganat.

Sipas tij, ai të hënën do t’i kërkoj Kuvendit që të raportoj për këtë takim.

Ndërkaq sa i përket përmbylljes së procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe qetësimit të situatës në veri, kryeministri ka thënë se kjo pritet të ndodh deri në pranverën e vonë të këtij vitit.

Thaçi është pyetur edhe për aderimin e Agim Çekut në PDK-së dhe pakënaqësitë e AKR-së lidhur me këtë kalim.

“Janë në modë këto lëvizjet nëpër parti”, ka thënë shefi i PDK-së, duke shtuar se është mik i vjetër me Çekun dhe e gëzon ky lajm.

“Ky kalim i Çekut në asnjë rrethanë nuk do ta dobësoj partnerin e koalicionit dhe unë nuk jam i interesuar për një gjë të tillë. Unë do ta respektoj marrëveshjen me Pacollin deri në fund. Do të vazhdojmë bashkë me Pacollin”, ka thënë kryeministri Thaçi, duke shtuar se pret që së shpejti të takohet me kryetarin e AKR-së për t’i sqaruar këto çështje. (ORAinfo)