Teuta Krasniqi: Qielli është kufiri im!

Aktore e moderatore mjaft e suksesshme e angazhuar në shumë fusha, kryesisht të televizionit, por nuk i ka munguar as teatrit. Kjo është Teuta Krasniqi që shumica prej nesh e njohim tash e disa vite si Saranda e serialit “Kafeneja jonë”. Ajo në intervistën tonë shpalos shumë momente nga jeta e saj, përkushtimin ndaj profesioneve dhe angazhimet për të ardhmen.
Intervistoi: Albert Limani
* Vini nga një familje e angazhuar dhe mjaft e suksesshme, sa ju ka ndihmuar kjo në suksesin që keni arritur deri tani?
Teuta: Natyrisht, fakti që jam pjesëtare e një familje te shëndoshë, më ka ndihmuar shumë, sepse që nga fillimet e karrierës sime kam pasur përkrahje të madhe nga familja, përkrahje e cila vazhdon gjithmonë. Përkrahja është e nevojshme për çdo njeri qe ka ambicie qe të arrijë diçka në jetë, por kësaj duhet shtuar domosdo talentin dhe vullnetin për punë, sepse pa këto dy te fundit, njeriu nuk mund t’iu mbijetoj sfidave të shumta që ka jeta artistike.
* Sa po gjeni kohë që t’i përkushtoheni familjes, sidomos vajzës suaj, Tarës?
Teuta: Tara është prioritet i padiskutueshëm në jetën time. Gjitha punët e angazhimet e mia mundohem t’i aranzhoj në atë mënyrë që vajzës sime ti mungoj sa më pak. Familjen e kam në rend të parë, pastaj karrierën të cilën nuk e lë anash, sepse puna që bëj është pjesë shumë e rëndësishme e imja, më përmbush e më bën te ndjehem edhe më e dobishme edhe si nëne e si grua.
* Njiheni si aktore dhe moderatore, ku e gjeni veten më shumë?
Teuta: Unë jam aktore me profesion, por edhe moderimin e konsideroj si një profesion te dytë, sepse të dy këto profesione i kam ushtruar njëkohësisht. Janë profesione të vështira që kërkojnë angazhim të madh, koncentrim ekstrem, memorie te zhvilluar dhe janë shumë sfidues. Pikërisht për këtë arsye e gjej veten shumë mirë në dyjat.
* Teatri, filmi apo televizioni, cili është me u rëndësishmi për juve?
Teuta: Ne teatër jam e angazhuar qysh prej fillimeve të studimeve te aktrimit, nga viti 2001, qe dmth kam një numër te konsideruar shfaqjesh. Po ashtu ne televizion kam filluar punën si prezantuese në vitin 2001, siç e ceka më lart të dy profesionet i kam ushtruar njëkohësisht. Filmi mbetet ende shpresë dhe dëshirë, (po flas për film te përmasave me te mëdha e serioze ), edhe pse natyrisht kam te xhiruar edhe disa filma. Unë e dua filmin shumë dhe e them sinqerisht qe me dhimbset edhe vetja edhe plot kolege që nuk kemi pas mundësinë të tregojmë punën tonë më shumë në këtë fushë. Për fatin tonë tash kanë filluar të lëvizin gjërat më shumë edhe në këtë drejtim dhe kam shpresa që do të arrij ta realizoj edhe ketë dëshirë e ambicie timen.
* Kanë kohë që nuk jepet më emisionin social “Lidhja Mes Nesh” a ishte ideja juaj që të bëni një emision të tillë, dhe pse nuk vazhdon edhe tani, pasi nevoja për të ndihmuar në Kosovë është e madhe?
Teuta: Emisioni “Lidhja mes nesh” ka qenë ide, koncept dhe autorësi e imja. Kam punuar jashtëzakonisht shumë për të arritur atë rezultat e pëlqyeshmëri qe ka pasur. Jam shumë falënderuese ndaj donatorëve të shumtë që kanë besuar në mua dhe vizionin tim dhe më ndihmë n e tyre e kam bere te mundur. Gjatë tri cikleve te emisionit kemi arritur që t’i ndërtojmë 21 shtëpi, ku kemi strehuar më shumë se 200 kokë banori përmes ndihmave të donatoreve. Fatkeqësisht, ka ende shumë familje në nevojë, por unë nuk kam mundësinë të vazhdoj me atë projekt, sepse kërkon angazhim maksimal dhe shumë punë në teren, e tani unë nuk e kam kohën në dispozicion siç e kam pasur para disa viteve, sepse kam obligime më të mëdha familjare dhe duhet të jem më shumë kohë me familjen time.
* Të ndërrojmë pak temën e bisedës – keni provuar disa profesione, por a keni menduar ndonjëherë për ndonjë duet me Bleron?
Teuta: Hahahaahha, jo. Unë nuk jam këngëtare. Është e vërtetë qe kam kënduar disa herë, por vetëm kur e ka kërkuar ndonjë prezantim ose rol i imi.
* Si duket roli i Sarandës të është përshtatur më së miri, a keni diçka të përbashkët me atë rol?
Teuta: Fatmirësisht, përveç energjie që na karakterizon, nuk kam asgjë të përbashkët me personazhin e Sarandës. Unë e dua atë rol dhe e interpretoj me kënaqësi të madhe.
* A mendoni se pikërisht roli i Sarandës ju ka bërë më shumë të njohur për publikun?
Teuta: Mua nuk më ka bërë të njohur Saranda, sepse unë kam qene shumë më herët e angazhuar me projekte të ndryshme dhe aktive ne televizion, por “Kafeneja jonë” me mban në kontinuitet dhe në formë të mirë profesionale. Definitivisht jam falënderuese që jam pjesë e atij ekipi të mrekullueshëm. Po ashtu “Kafeneja jonë” edhe mua edhe kolegëve te mi na ka sjell shumë simpati te publiku dhe më këtë na kane dhënë përgjegjësi më të madhe që të vazhdojmë me përkushtim punën tonë.
* Si po ju shkon emisioni juaj i dedikuar femrave “Pa Teklif”?
Teuta: Emisioni “Pa teklif” që u dedikohet femrave, që nga muaji shkurt do të filloj transmetimin në TV 21.
* Cilat janë komentet që i merrni nga njerëzit kur ju takojnë në rrugë?
Teuta: Fatmirësisht janë pozitive, me afrohen me dashamirësi dhe në të njëjtën mënyrë ua kthej.
* A bëheni ndonjëherë xheloze ndaj Bleros dhe ai ndaj jush?
Teuta: Asnjëherë. Ne kemi hyrë në lidhjen tonë të pjekur e të formuar, duke e njohur mirë profesionin e njëri-tjetrit. Kemi mirëkuptim maksimal në këtë aspekt.
* A keni menduar ndonjëherë të hyni në politikë ?
Teuta: Jo. Unë dua te bëj atë profesion që e dua dhe di te bëj më së miri, aktrimin dhe moderimin.
* A do donit që vajza juaj, Tara, të bëhet aktore ose këngëtare ?
Teuta: Lutem për shëndetin dhe mirëqenën e saj, pastaj çka do të vendos ajo si profesion, do të jetë vendim i saj, ne si prindër do të jemi këtu për t’ia dhënë përkrahjen tonë maksimale dhe te pakursyer. Unë e shoh qe prej tash Tara e do skenën, vazhdimisht këndon, vallëzon, kënaqet me duartrokitjet. Unë mendoj që do të bëhet balerinë.
* Cili do të ishte kulmi i karrierës tuaj?
Teuta: Nuk ka “kulm”, qielli është kufi. Çdo punë e kryer me sukses me nxit për të filluar tjetrën edhe më me shumë përkushtim.
* Siç tham më lart jeni mjaft e angazhuar në shumë fusha, por ju njiheni edhe si një besimtare, sa po gjeni kohë ti përkushtoheni fesë?
Teuta : Besimi nuk ka te bëjë me çështjen e asaj sa kemi kohë ose jo. Besimi është diçka që e mban me vete dhe te përfaqëson si njeri. Unë mendoj që besimi është diçka shumë personale dhe secili e ka për vete prandaj nuk e shoh si “marketing” këtë aspekt që për mua është shumë i shenjtë. Nuk ka ndonjë njësi matëse për besim që njeriu do të mund te vlerësonte se kush beson më shumë ose kush më pak. Atë e din veç Zoti!
* Cilat janë angazhimet tuaja për këtë vit?
Teuta: Do të jetë një vit i ngjeshur më shumë angazhime si: “ Kafeneja jonë “, “Pa teklifi”, Teatri, “Vita” etj.
* Një mesazh për fund?
Teuta: Shëndet dhe paqe për të gjithë. (ORAinfo)