Tetë të arrestuar për vjedhje të karburanteve të “Bechetel Enka” në autostradë

Malishevë – Policia e Kosovës në Malishevë ka ndërmarrë një aksion të madh bastisjeje përgjatë trasesë së autostradës natën mes së shtunës dhe së dielës, me ç’rast ka arrestuar tetë persona, si të dyshuar se janë marrë me vjedhje dhe kontrabandë të karburanteve.
Lajmin të dielën e ka konfirmuar komandanti i PK n Malishevë, Bekim Begaj. Të arrestuarit janë nga fshatra të ndryshme të Malishevës, Tërpezë, Damanek, Banjë etj.
Sipas komandantit Begaj, aksioni është ndërmarrë pas shndërrimit në dukuri të vjedhjes së karburanteve nga makinat e kompanisë “Bechtel Enka”, e cila po e ndërton autostradën.
“Shtimi i numrit të vjedhjeve në trasenë e autostradës na ka detyruar të hartojmë një plan
dhe nga ora 23:00 e natës së shtunë dhe deri në orën 6:00 të së dielës kemi qenë në aksion dhe kemi ushtruar kontrolle të shumta përgjatë trasesë së autostradës, duke filluar nga Tërpeza e deri në Bellanicë, me ç’rast janë arrestuar tetë persona nga lokalitete të ndryshme të Malishevës”, ka bërë me dije Begaj.
Merret vesh se janë bastisur persona të dyshimtë si dhe veturat e tyre. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe janë konfiskuar edhe dy armë zjarri pa leje, 61 copë fishekë dhe 250 litra naftë.
Të arrestuarit, sipas njoftimeve të policisë, janë punëtorë të kompanisë së sigurimeve “Besa Security” (gjashtë) dhe të konsorciumit “Bechtel Enka” (dy).
Gjashtë nga të arrestuarit janë liruar pas marrjes së deklaratave dhe lënda e tyre ka shkuar në procedurë të rregullt, ndërkaq dy të tjerë, tek të cilët janë gjetur armë, janë ndaluar edhe më tej në polici.