Tetë futbollistë shqiptarë kërkojnë Ligën e Kampionëve

Prishtinë – Tetë futbollistë shqiptarë do të paraqiten në fazën e plejofit të Ligës së Kampionëve për edicionin 2012-2013. Plejofi është faza e fundit para asaj grupore të Ligës së Kampionëve, ku paraqiten skuadrat më të mëdha evropiane.
Ndeshjet e plejofit zhvillohen më 2122 e 2829 gusht, ndërsa shorti për këtë fazë tërhiqet të premten (sot). Prej skuadrave të futbollistëve shqiptarë, garimin në këtë fazë e nis vetëm Borussia Mounchengladbach, ku paraqitet mesfushori Granit Xhaka. Në plejof do të luajnë edhe Fatos Beqiraj e Arijan Ademi (Dinamo Zagreb), Ardian Gashi e Loret Sadiku (Helsingborg), Admir Mehmedi (Dynamo Kiev), Agim Ibraimi (Maribor) e Isli Hidi (AEL Limassol).
Skuadrat e tyre plejofin e siguruan përmes raundit të tretë kualifikues, ndeshjet e dyta të të cilit u zhvilluan të martën e të mërkurën.
Kontributin më të madh në këtë fazë e dha sulmuesi kosovar i Dinamos së Zagrebit, Fatos Beqiraj. Skuadra e tij e eliminoi Sheriffin moldav, duke fituar dy ndeshje, të parën me rezultatin 1:0, ndërsa të dytën të luajtur të mërkurën në Zagreb me shifrat 4:0. Beqiraj pati realizuar golin e vetëm në Moldavi, ndërsa një gol shtoi edhe në ndeshjen e dytë. Ai shënoi në minutën e 34-t për rezultatin 2:0. Reprezentuesi i Malit të Zi shënoi me një gjuajtje nga zona pasi më parë u lirua nga një mbrojtës. Goli i parë i Dinamos u shënua pas një goditje dënimi të Beqirajt, që luajti deri në minutën e 77-të. Për Dinamon tërë ndeshjen luajti mbrojtësi Arijan Ademi.
Sajti zyrtar i Dinamos ka shkruar se Beqiraj ishte njëri prej dy lojtarëve më të mirë në ndeshje.
Vetë Beqiraj për sajtin zyrtar të UEFA-s ka thënë se pret që sërish të luajë në Ligën e Kampionëve.
“Ne jemi nën presion. Së fundi kemi luajtur dobët, por kemi skuadër të bashkuar. Morëm fitore që na siguron së paku Ligën e Evropës, por ky nuk është qëllimi ynë, ne duam të kualifikohemi për Ligën e Kampionëve”, ka thënë Beqiraj. “Mendoj se jam duke u përmirësuar. Më duhet kohë që të futem në formë, por shënova në dy ndeshjet e fundit dhe jam i lumtur për këtë. Gjëja më e rëndësishme është që u kualifikuam”, ka shtuar kosovari, shkruan të enjten sajti i UEFA-s. (koha)