Testamenti i Lirisë
Nga Arben Kurteshi – Ne dimë t’i kthejmë ëndrrat në realitet, sikurse që e arritëm lirinë tonë të lavdishme. Historia jonë është një testament i fuqishëm për arritjen e lirisë; është një udhërrëfyes që na tregon rrugën se si lidhet ideali i zemrës dhe vizioni i mendjes me synimin, dhe se si gjithçka mund të përdoret si shteg drejt arritjes.
Ne jemi ndër popujt më të rrallë në botë që kemi dëshmuar se gati gjithçka është e arritshme, kur ideali dhe vizioni lidhen drejtpërdrejt me cakun!
Mendjendriturit tanë na mësuan se si t’i ndryshonim kushtet dhe rrethanat e atëhershme dhe se si ta pikturonim lirinë në kokat dhe se si të përdorim çdo përvojë, çdo gabim, çdo sukses si shteg drejt arritjes së madhe pra lirisë së lavdishme.
Ata me Veprimet e tyre na inkurajuan të ndërmerrnim udhën drejt arritjes.
Dhe pikërisht këtu qëndron pyetja e madhe: A është ndjekur testamenti dhe udhërrëfyesi i historisë sonë triumfale nga shoqëria jonë, që të jemi të bashkuar e solidar ndaj njëri tjetrit si dikur?
A është pikturuar dhe sa është pikturuar zhvillimi i vendit në kokat e udhëheqësve tanë pas luftës?
Sa na inkurajojnë veprimet e udhëheqësve tanë drejt zhvillimit të vendit në nivelin që e duam.
Potenciali ynë është shumë i madh, dhe e njëjta aftësi që na çoi drejt lirisë do të na çonte drejt zhvillimit ekonomik, nëse e implementojmë testamentin dhe udhërrëfyesin tonë historik.
Gjermania, e cila ishte shumë e shkatërruar pas Luftës së Dytë Botërore, arriti të zhvillohet dhe të bëhet lokomotivë ekonomike e Evropës.
Vetëm dy dekada pas luftës, Gjermanisë nuk i mjaftoi fuqia punëtore vendase dhe kërkoi punëtorë jashtë shtetit përfshirë edhe në Kosovë prej vitit 1965.
Që dëshmon se Gjermania u zhvillua hovshëm e vrullshëm brenda dy dekadave.
Botswana, një shtet afrikan, ka një BPV më të lartë se vendi ynë, larg metropoleve evropiane.
Tajvani, një shtet juridikisht i panjohur nga BE dhe SHBA, që nuk ka ulëse në OKB, pra pothuajse juridikisht “joekzistent” është një ndër shtetet më të zhvilluara në botë. Deri më tani e kanë njohur vetëm 17 shtete, ndërsa BPV për kokë banori është mbi 30.000 $, gjashtë herë më të lart se vendi ynë.
Emëruesi i përbashkët i këtyre shteteve është proaktiviteti.
Nëse e ndjekim historinë, testamentin dhe udhërrëfyesin tonë të bashkuar dhe solidar, e të përqendrohemi në krijimin e një mjedisi të favorshëm për investitorët, duke kontaktuar ata proaktiv ata dhe duke zbuluar dhe duke ju përmbushur atyre të gjitha kërkesat dhe nevojat qoftë ligjore, infrastrukturore apo sociale. Dhe t`i krijojmë të gjitha këto kushte, me punën, angazhimin dhe guximin tonë që ta fitojmë besimin e investitorëve ku kapitali investues të mund të rrjedhë më lehtë e më shpejt drejt vendit tonë dhe të mund të shndërrohet në zhvillim të hovshëm e të vrullshëm ekonomik, ku secili qytetar mund të gjejë pune me dinjitet ku të ardhurat mbulojë kërkesa dhe nevojat qytetare dhe askush mos të detyrohet ta braktisë vendin për të kërkuar punë jashtë shtetit tonë të shejtë./rajonipress/

