Terrori i maskave

Mark Noshi ka mbetur i plagosur, kurse gruaja e tij, Angjelina ka vdekur në vend. Ata po ktheheshin në shtëpinë e tyre në Smaq të Gjakovës, kur katër persona të maskuar ua kanë zënë pritën.
Teksa Angjelina ka futur dorën në çantë, grabitësit duke menduar se ajo po nxjerr armë, kanë shtënë mbi të me automatik A-47. Express sjell rrëfimin e familjes së viktimave.
Pesë kilometra para se të arrinin në shtëpinë e tyre ne fshatin Smaq 2 të Gjakovës, katër persona u kanë dalë në pritë të armatosur.
Fillimisht personat e maskuar i kishin zënë pritën Mark Noshit (52 vjeç) dhe bashkëshortes së tij, Angjelina Noshit (32), të cilët më veturën e tyre diku rreth orë 21 e 30 minuta të enjten po ktheheshin nga Prizreni për në shtëpinë e tyre.
Grabitësit i kishin kërkuar të holla këtij çiftit dhe në momentin që Angjelina ka tentuar të nxjerrë nga çanta e saj kuletën për t’i dhënë para grabitësve, ata kanë shtënë me revole mbi të duke e qëlluar për vdekje.
Besohet se personat e armatosur kishin shtënë mbi këtë grua 32-vjeçare duke menduar se ajo po nxirrte nga çanta ndonjë revole e jo kuletën për t’u dhënë atyre paratë e kërkuara.
Këtë akt të tmerrshëm këta persona të maskuar e të armatosur e kanë kryer në prani të burrit tashmë të së ndjerës, Mark Noshit.
Ata nuk janë ndalur me kaq. Fillimisht i kanë qëlluar Markut bashkëshorten, e cila nga plumbat e marrë ka vdekur në vend, përderisa më pas kanë qëlluar edhe në Markun.(Express)